Teatri i thote lamtumire Fankos

Teatri i thotë lamtumirë Fankos

Shkodër
Është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare, Artisti i Popullit, regjisori dhe aktori Serafin Fanko. Fanko kishte pak kohë që jetonte në Tiranë bashkë me familjen e tij dhe në mëngjesin e ditës së djeshme ndërroi jetë. Prej 6 vitesh vuante nga probleme kardiake dhe kishte kaluar disa herë infarkt. Një ndër regjisorët bashkëkohës me kontribut të madh si regjisor në teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës ku punoi përmbi 3 dekada. Serafin Fanko do të diplomohej për regji filmi falë një burse jo shtetërore të fituar me konkurs në vitit 1959 në Pragë ku ai u paraqit me një skenar filmi me metrazh të shkurtër të titulluar “Lukja” sipas novelës të Migjenit “Historia e njenës nga ato”. Ndërpret studimet për shkak të politikës izolacioniste që po ndiqte regjimi i Hoxhës, dhe pasi u dha udhri që studentët shqiptarë të ktheheshin nga Praga pati oferta për të qëndruar atje, por nuk e hodhi këtë hap duke marrë parasysh pasojat që do të binin mbi familjen. Kthehet dhe i përfundon studimet në Shqipëri. Në vitet 1963 deri në1966 punon aktor në Shkodër, në vitet 1966- ‘67 regjisor teatri dhe pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve. Në 1967 mbron diplomën me dramën ”Fisheku në pajë” të Fadil Krajës me trupën e Teatrit “Migjeni” me të cilin e lidhin 40 vjet jetë artistike. Serafin Fanko ka vënë në skenë 170 spektakle, drama, komedi, opera, opereta, estrada me Teatrin ”Migjeni” Shkodër, me Teatrin Kombëtar, Teatrin e Operës dhe Baletit, Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, teatrin “Bylis” në Fier, atë ”Sofra” në Strugë, si dhe teatrot e Shkupit, të Malit të Zi dhe të Gjakovës Në 1982 i jepet titulli Artist i Merituar dhe 7 vjet më vonë bëhet Artist i Popullit dhe nderohet me disa çmime në festivale të teatrit.

Serafin Fanko e lidhi jetëm me teatrin jo vetëm si regjisor, por edhe si dramaturg. Është autor i14 dramave, por fare pak prej tyre ruhen në kujtesën e publikut të gjerë. Si aktor kinemaje interpretoi në disa filma artistikë e televizivë si “Emblema e Dikurshme”, “Yje mbi Drin”, “Pranvera s’erdhi vetëm” etj. Personaliteti i tij si aktor kishte karakteristikë përveç sharmit, mbajtjen e peshës së fjalës tek gjendja emocionale, tek heshtja më shumë se sa tek dinamika dhe plastika. Ndoshta kjo ndodhte ngaqë Fanko, duke qenë më së shumti regjisor “vuante” nga një lloj akademizmi i personazheve, nga zbutja e nervit të tyre, sadoqë rolet e tij nuk kanë qenë as heronj, as protagonistë.

Më 3 qershor të këtij viti, teatri “Migjeni” në Shkodër zhvilloi një aktivitet, me rastin e 70- vjetorit të lindjes së Fankos ku, edhe pse i sëmurë ai ishte i pranishëm. Ata që kanë punuar me të, kanë shprehur konsideratat e tyre për talentin e madh të Fankos, për punë e veprën e krijuar prej tij. Fadil Kraja, dramaturg, mjaft vepra të të cilit janë vënë në skenë nga Fanko, e ka quajtur atë dekan të teatrit “Migjeni”, që krijoi një arsenal të suksesshëm rolesh e veprash dramaturgjike, duke pasur dhe një formim të gjithanshëm, ishte njohës i mirë i pikturës, baletit e muzikës, formim ky që e ndihmoi në punën e tij. Publikut duhet t’i kujtohen dramat kryesisht të autorëve shqiptarë, “Fisheku në Pajë”, “Baca i Gjetajve”, “Këshilli i Ndrikullave”, “Quo Vadis”, “Hetimi” etj.

Vitet e fundit ai u shkëput nga skena. Në sezonin e vitit 2006-2006 u kthye në Teatrin Kombëtar në Tiranë për të vënë sërish një dramë shqiptare, “Babai” i Ruzhdi Pulahës. Kjo ishte regjia e fundit e Fankos. Dhe në hollin e këtij teatri, i jepet sot paradite lamtumira e fundit.

Anila Dushi : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama