Teuta Koco jo thjesht nje pinjolle

Teuta Koço, jo thjesht një pinjolle

Të këndonte të njëjtat këngë në qytetin ku këndoigjyshja e saj, nuk ishte edhe aq e thjeshtë. Ajo nuk është vetëm Teuta. Është e mbesa e Tefta Tashko Koços. Një koncert për nder të Teftës, e ktheu sërish në Shqipëri Teuta Koçon. Me gjithë angazhimet në skenën operistike dhe së fundmi dhe atë kinematografike, ajo nuk do ta humbiste për asgjë në botë, mundësinë për të vizituar qytetin e të parëve. Ajo duhet të zbulonte se çfarë kishte mistike në atë qytet, që e ktheu sërishgjyshen, duke lënë pas Parisin, ku shkëlqeu, apo ofertat për në Nju Jork. "Po i kthehem rrënjëve të mia", - thotë sopranoja e re, e cila shoqërohet si në shumicën e herëve, nga i ati, dirigjenti i njohur Eno Koço. Ishte prezantimi i saj i parë me Korçën dhe me publikun korçar, ndaj dhe përgjegjësia nuk ishte e vogël. Megjithë buzëqeshjen që nuk i mungon asnjëherë në fytyrën që i ngjason aq shumë të atit e të qeshurës që të jep përshtypjen e një tringëllime të butë, Teuta është e emocionuar.

Duke qenë se koncerti i kushtohet Teftës, me rastin e 60-vjetorit të vdekjes, për të nuk ka prezantim më të mirë se një repertor me këngët që ka kënduar gjyshja e saj. "Kur më vjen burri nga stani", "Dola në penxhere", "Ta dish", "Bilbil, o i mjeri bilbil", "Perëndeshë e bukurisë", janë disa nga këngët që sopranoja këndoi dje, në koncertin e organizuar në Pallatin e Kulturës, nga Bashkia e Korçës dhe shkolla "Tefta Tashko Koço". Interpretimi i sopranos u shoqërua nga kori i nxënësve, si dhe interpretime të të rinjve e artistëve korçarë, mes të cilëve dhe grupii pavdekshëm "Lira", që dëshironin të merrnin pjesë në këtë koncert-homazh. Ndoshta në sallën e koncertit shumë pak ishin nga ata që kanë duartrokitur Teftën 60 apo 70 vjet më parë, por dashuria që mori nga publiku, ishte po aq e madhe. Pasi shleu një borxh që ia kishte Korçës, gjyshes, por edhe vetes, u kthye në Tiranë. Tashmë me një unazë fejese në gisht po mendon për ceremoninë e martesës, që do të zhvillohet vitin që vjen. I duhet të mendojë për çdo detaj, e në veçanti për fustanin, që duke qeshur thotë se do ta gjejë në Tiranë. Por është një kohë shumë e shkurtër. Nesër udhëton drejt Anglisë, ku e presin të tjera projekte. Të mëdha madje.

Pasi interpretoi në Francë operën "Flauti magjik" dhe mbylli eksperiencën e parë në filmin me të njëjtin titull, me regji të aktorit dhe regjisorit të njohur hollivudian, Kenneth Branagh, ku luante rolin e "First Lady"-t, duket se Koço do të sigurojë një tjetër kontratë. Bëhet fjalë për një film të bazuar në një operë të Moxartit, por që nuk do të jetë një muzikal. Regjisori Christofer Menaul i ka propozuar të luajë në filmin "Cosi fan' tutte" ("Kështu bëjnë të gjitha"). Prej operës së famshme është marrë vetëm subjekti dhe në të nuk ka asgjë operistike. "Duket se më ka parë në filmin "Flauti magjik" dhe më propozoi të interpetoj në filmin e tij", - thotë Koço. Ende nuk janë lidhur kontratat. I duhet të mendohet pakëz, teksa sheh se jeta po i merr edhe një tjetër rrjedhë. Dhe nuk është pak që me të parën herë të punosh me aktorin që ka luajtur Hamletin, të hysh në studiot ku është realizuar "James Bond"-i, e më tej të kesh një ofertë nga një regjisor me emër si Menaul, që ka realizuar një numër të madh filmash në karrierën e tij dhe ka bashkëpunuar me aktorë në zë si Ralpf Finnes, apo Helen Mirren.

Ndërkaq, Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit e ka shpallur ambasadoren e saj. Është imazhi i luftës kundër emigracionit të paligjshëm. Një detyrë që e ka marrëme shumë përgjegjësi. I ka të gjitha të drejtat të mendojë se jeta është e çuditshme, që të hap dritare që asnjëherë nuk i ke menduar. Megjithatë, është e qetë dhe e matur. Tashmë mund ta mbajë e sigurtë mbiemrin e madh që ka. Atje, në botën e madhe, askush nuk e di se ajo është e bija e dirigjentit Eno Koço dhe mbesa e sopranos mit në Shqipëri, Tefta Tashko Koços. Tani Teuta ecën vetë.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama