Kosova – pjese e trashegimise kulturore evropiane

Kosova – pjesë e trashëgimisë kulturore evropiane

Hapja e manifestimit „Java e Trashëgimisë Kulturore Evropiane“ në Deçan u bë me një ekspozitë etnografike në “Mullirin i Shabanajve”, në të cilin në një të kaluar jo të largët bluhej mielli për mijëra banoret e këtushëm. Ndërkohë që pjesëmarrësit vizitonin pjesën e vjetër të qytezës, muzeun komunal, kullat e lashta dhe xhamitë, një grup serbësh prej 20 vetash po përfundonin vizitën treditore në Manastirin e Deçanit.

Nder ta është edhe 27 vjeçari, Nikolla Aranxhelovic, nga Beogradi, për të cilin „Java e Trashëgimisë Kulturore Evropiane“, nuk ka asnjë kuptim. Sipas tij, „në një ditë si kjo më duhet mbrojtja në çdo hap, gjithnjë janë rreth meje ushtarë e makina. Dhe, diçka e tillë nuk më është edhe aq e këndshme!“

Kjo jave nuk ka aq rëndësi edhe për vizitorët e tjerë nga Beogradi, të cilët në oborrin e manastirit me torbat gati i këndojnë Shën Savës para kamerës. As gurëgdhendësi, Vlladimir Anxheliç, nga qyteti Aranxhelovac i Serbisë, i cili para dy javësh ka ardhur me punë në Manastir, nuk ka dëgjuar për Javën e Trashëgimisë Evropiane“: „Unë këtë e mësova prej jush. Nuk kisha ide për diçka të tillë!“ Me këtë rast manastirin e viziton edhe një grup shumëetnik në mesin e të cilëve do të ketë edhe shqiptarë.

Kur grupi i besimtarëve nga Beogradi largohet nga manastiri duke bërë kryq, hyn nëpër portën e madhe të manastirit grupi i vizitorëve nga Peja dhe Deçani, , duke bërë fotografi papushim. I riu Bruçi nga Deçani dhe e reja Shala, nga Peja, sjellin  përshtypjet nga vizitat e objekteve të vizituara deri më tani: „Në përgjithësi kam përshtypje të mira, meqënëse secila e ka të veçantën e vet. Prandaj, për mua të gjitha janë të njëjta!“-thotë i riu Bruçi.

Ndërsa e reja Shala:  „Përshtyjet janë shumë të mira, meqënëse është shumë interesante të shoh kulturën e vendit tim.“ Rëndësinë e pranimit të Kosovës në unionin kulturor evropian e vë në dukje drejtori i Institutit Rajonal për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, në Pejë, Avdyl Hoxha: “Është e rëndësishme që Kosova është pranuar në këtë union të 50 shteteve evropiane, ndonëse shkatërrimet janë tejet të mëdha. Por, me organizaten INTERSOS kemi arritur t´i restaurojmë një numër të madh të monumenteve, në komunat e Pejës dhe të Deçanit, prej të cilëve edhe vetë konakun e Manastirit“.

Saimir Zajmi, udhëheqes i organizatës INTERSOS, e cila që prej tetë vjetësh  vepron në Kosovë është i mendimit:  „Në nivelin që ne punojmë, në të gjitha shtresat e popullatës vërehet një dëshirë e madhe dhe gatishmëri për t´u njohur dhe ruajtur trashëgimia kulturore e të gjithëve”.

Grupi shumëtnik udhëhiqet nga ciceroni murg, i cili pasi rrëfen historinë shekullore të manastirit të Deçanit, prin në drekën tradicionale. Ndërkohë, Samir Zajmi nga organizata Intersos vjen me mesazhin e Javës: „Kosova ka trashëgimi të larmishme dhe në një vend kaq të vogël, këto vlera të shumta duhet të njihen, të respektohen dhe të promovohen çdokund”.

Në Kosovë janë gjithsej 760 monumente të mbrojtura me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2006. Në komunen e Deçanit janë evidentuar 622 objekte, të cilat do të merren në mbrojtje nga ligji. Manastiri i Deçanit tashmë është i pranuar në organizatën e UNESKO-s si trashëgimi kulturore botërore.

Ajete Beqiraj : Dw-world.de
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama