Ansambli folklorik "Elba - Folk", është vlerësuar me çmimin "Çelësi i artë" në festivalin folklorik që u organizua në Susdalit të Moskës. Ky ansambël ka marrë pjesë në Festivalin Folklorik Botëror në Susdalit të Rusisë, pikërisht në Moskë, ku morën pjesë 13 shtete nga tre kontinentet, Azi, Afrikë dhe Evropë. Çmimin "Çelësi i Artë" e ka konfirmuar vetë presidenti i "Elba Folku", muzikologu dhe studiuesi, Thanas Meksi. Sipas tij, janë vlerësuar shumë kostumet popullore të trevës së Elbasanit, si dhe vallet e kësaj treve. Vlen të theksohet fakti se është hera e parë mbas 50 vjetësh që ansambli shqiptar merr pjesë në një festival të tillë ndërkombëtar. Tashmë pritet që në ditët në vijim, ansambli "Elba Folk", të kthehet në qytetin e Elbasanit për të festuar këtë çmim, i cili sipas Meksit "nderon jo vetëm qytetin e Elbasanit, por mbarë "Shqipërinë".
"Elba - folk" është një ansambël folklorik nga qyteti i Elbasanit i krijuar para 10 vitesh dhe në repertorin e tij ka interpretime të ndryshme këngësh, vepra orkestrale dhe valle të shumëllojshme nga treva të ndryshme shqiptare, por në veçanti nga zonat etnomuzikore të Qarkut të Elbasanit. Ky ansambël është pjesëmarrës në shumë veprimtari ndërkombëtare si në Holandë Gjermani, Itali, Maqedoni etj., për të cilin nuk kanë munguar vlerësimet dhe çmimet e shumta. Në Moskë, Elbasani, ngjitet pas afro 50 vjetësh qëkurse marrëdhëniet apo miqësia me këtë bashkësi shtetesh, u ftoh në vitet ‘60.
Marre nga : Gazeta Shqip











