Filmi shqiptar nje jave ne Paris

Filmi shqiptar, një javë në Paris

Aty është e kaluara, e tashmja, e ardhmja. Aty është tradita, zakonet, historia e vjetër dhe e re, Lufta e Dytë Botërore, vitet nën diktaturë. Aty është tragjikja dhe komikja. Të gjitha në film. Pas një jave shqiptare në Athinë, filmi shqiptar, këtë herë shkon në një kryeqendër të Evropës, në Paris. Qendra Kombëtare e Kinematografisë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëvë të Jashtme Shqiptare, Ambasadën Shqiptare në Francë, AleancënFranceze dhe Ambasadën Franceze në Tiranë, organizojnë javën e filmit shqiptar në Paris gjatë muajit tetor. Në këtë javë të kulturës shqiptare do të shfaqen 5 filma artistikë me metrazh të gjatë, prodhime kinematografike të financuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë gjatë viteve të fundit. Bëhet fjalë për filmat “Parullat”, bashkëprodhim midis shtëpisë kinematografike “Albanian General Vision” dhe shoqërisë franceze “Les Filmes Des Tournelles”, me regji të Gjergj Xhuvanit dhe skenar të Ylljet Aliçkës, ku interpretojnë Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Agim Qirjaqi, Birçe Hasko, etj.

Një film që rikthehet në Francë, pas çmimit të marrë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Shfaqjet vazhdojnë me “Dasmën e Sakos”, bashkëprodhim midis shtëpisë kinematografike “Eurofilm” dhe shoqërisë hungareze “Focusfilm”, me regji të Vladimir Priftit dhe skenar të Vath Koreshit, interpretojnë Ndriçim Xhepa, Elvira Diamanti, Xhevdet Ferri, etj. Pjesë e kësaj serie është edhe filmi “Mao Ce Dun”, i shfaqur vetëm pak javëmë parë në kinematë e Tiranës. Një bashkëprodhim midis shtëpisë kinematografike “B&G Film PRO”, “Digitalb” dhe Televizionit Publik Shqiptar, me regji të Besnik Bishës dhe skenar të Besnik Mustafajt. “Gjoleka, djali i Abazit”, do të vijojë javën e filmit shqiptar në paris. Një film i konsideruar i suksesshëm, jo vetëm në Tiranë, prodhim i shtëpisë kinematografike “Albanian General Vision”, me regji dhe skenar të Dhimitër Anagnostit.

Në rolet kryesore interpretojnë Artur Gorishti, Roza Anagnosti, etj. Për të vijuar me “I dashur armik”, bashkëprodhim midis shtëpisë kinematografike “Albanian General Vision” dhe shoqërisë franceze “Accord Production”, me regji të Gjergj Xhuvanit dhe skenar të Dhimitër Xhuvanit. Interpretojnë Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Helidon Fino, Agim Qirjaqi, etj. Zhvilli i kësaj jave filmi në paris, është në vazhdën e një strategjie të hartuar nga QKK, për të promovuar kinematografinë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Një ndërmarrje, jo thjesht për tu bërë të njohur të huajve një pjesë Shqipërie, të përthyer në art, por edhe për të ftuar producentët e huaj, shtëpitë e huaja filmike, për të bashkëpunuar me producentët dhe artistët shqiptarë. Pritet që kjo javë filmash të ndiqet nga një numër i konsiderueshëm shikuesish parizienë, por edhe shqiptarë që jetojnë në Paris. Kohëve të fundit vihet re një gjallërim i ngjarjeve kulturore në kryeqendrën Franceze, me nismën e shoqatave dhe komunitetit shqiptar atje. Ndërsa na njohin përmes letërsisë së Kadaresë, Kongolit, apo shkrimtarëve të tjerë të përkthyer në gjuhën frënge, së fundmi po na njohin edhe në fusha të tjera të artit, si në ato figurative dhe së fundmi edhe në atë kinematografike.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama