Gjirokaster zbulohet nje pllake shekullore ne shtepine e Kadarese

Gjirokastër, zbulohet një pllakë shekullore në shtëpinë e Kadaresë

Punimet që po kryhen janë pjesë e projektit të rikonstruksionit të thellë për ta kthyer shtëpinë e shkrimtarit në një bibliotekë – muze, ku do të ekspozohen edhe veprat e tij të botuara në vende e gjuhë të ndryshme të botës. Aktualisht, gjatë punimeve të deritanishme, janë bërë disa zbulime që paraqesin interes nga pikëpamja historike dhe e vjetërsisë së ndërtesës ku ka lindur Kadareja. Këto zbulime kanë dalë në dritë gjatë prishjes së mureve dhe përgatitjeve për rikonstruksionin e plotë të godinës. Inxhinieri që drejton punimet, Agron Doraci, është shprehur për gazetën “Albania“ se deri në këtë fazë punimesh janë zbuluar harqet e kamares së çardakut, si dhe të hyrjes së shkallëve në pjesën e përparme të objektit. Por, një zbulim i rëndësishëm, sipas Doracit, është një pllakë në të cilën, në pjesën e sipërme të saj, ka një mbishkrim në gjuhën turke, “Viti 1677”. Pra plot 330 vjet më parë. Ndërsa në pjesën e poshtme të pllakës ka një tjetër mbishkrim për të cilin specialistët nuk e kanë thënë ende fjalën e tyre. Mendohet se kemi të bëjmë me një emër të shkruar në një variant të greqishtes së vjetër e mund të ketë lidhje me emrin e familjes ose të arkitektit apo të ndërtuesit që e ka ngritur këtë banesë shumëvjeçare. Gjetja e këtyre objekteve ka bërë që firma ndërtuese të shtojë kujdesin, sidomos gjatë prishjes së mureve të vjetra. Sipas përgjegjësit të firmës që po realizon punimet, Mufit Kurti, faza e parë përfshin prishjen e mureve ekzistuese dhe ndërtimin e mureve të reja. Punimet për shtëpinë e Ismail Kadaresë janë planifikuar të përfundojnë në një hark kohor prej 4 muajsh. Projekti i shndërrimit të këtij objekti “shtëpi muze” kap shifrën e 100 milionë lekëve të vjetër. Pavarësisht kushteve të vështira të motit, që priten gjatë periudhës në vijim, firma është angazhuar të përfundojë punimet duke zbatuar të gjitha kushtet teknike dhe sidomos të ruajë karakteristikat e njërës prej shtëpive më të vjetra në Gjirokastër.

Jonada Babameto : Gazeta Albania



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama