Udhëtimi i Lizës (simbolikisht, Festivali Teatror i të Rinjve), ka nisur me moskuptime dhe gricje të ndërsjella mes një morie gazetarësh dhe një takëmi regjisorësh dhe aktorësh të rinj në një konferencë për shtyp, ku u promovua nisja e festivalit me shfaqjen e parë, "Udhëtimet e Lizës", me regjinë e Enton Kacës. Dy palët u përfshinë nga konfuzioni në tentativën për të sqaruar diçka dhe aty ku nuk kish asgjë për t`u sqaruar. Gjithsesi ishte me vend diskutimi i çështjes së të drejtës të autorit nga shumë pjesë që studentët i kanë peshkuar në internet a gjetiu dhe për to nuk do paguajnë asgjë. Fillimi i karrierës nis kështu me ritin e abuzimit. Madje me atë më flagrantin, shmangien nga marrja e të drejtës së autorit. Regjisori i ri, Kaca, ishte i sinqertë kur tha se nuk ka qenë i mundur ezaurimi i kësaj çështjeje. Sipas tij, për kushtet shqiptare, duke llogaritur dhe numrin e spektatorëve nëpër shfaqje, pagesa e të drejtës së autorit nuk është ndonjë shifër e madhe dhe e pamundur për t`u paguar. Por Kaca tha se kërkesave për të qenë seriozë në këtë aspekt, disa përfaqësi të huaja në Tiranë nuk i janë përgjigjur. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, la të kuptohej se me të rinjtë mund të tolerohej çështja e të drejtave të autorit, duke u shprehur se vetëm për pjesët e vëna në skenën e TK-së ishte e pamundur të mos respektohej ky rregull, ky ligj, kjo etikë.
"Udhëtimet e Lizës" është pjesa e parë që do të vihet në skenë në kuadër të Festivalit të të Rinjve, që organizohet nën mbikëqyrjen e Teatrit Kombëtar. Javët dhe muajt në vazhdim, tha drejtori Skrami, në skenën e vogël të TK-së, në sallën "Black Box", në Akademinë e Arteve, si dhe në atë të QNK-së, studentë të artit dramatik dhe regjisurës do të ngjiten me pjesët e tyre, të cilat dolën fituese në përzgjedhjen e bërë nga Këshilli Artistik i TK-së. Sa për pjesën e parë, "Udhëtimet e Lizës", ajo është e bazuar tek e famshmja përrallë, "Liza në botën e çudirave". Por vetëm si frymëzim. Liza e të rinjve paraqet një tjetër dimension, më pranë reales dhe pikërisht asaj shqiptare. Liza do të jetë ajo e përditshmërisë sonë, e përfshirë në paradokse dhe aspekte të dhimbshme të ekzistencës. Subjekti është një hibrid përzgjedhjesh nga përshkrimi i disa situatave sociale në Shqipëri, prej tre shkrimtarëve të njohur të letrave shqipe: Migjeni, Mitrush Kuteli dhe Ismail Kadare. Veprat e tyre, me të cilat është punuar subjekti, janë: "Qershijat", "Puthja e Cubit" nga Migjeni; "Vjeshta e Xheladin Beut" nga Mitrush Kuteli dhe "Kënga" e "Viti i mbrapshtë" nga Ismail Kadare. Duke komentuar këtë lloj përthithje nga krijimtaria e këtyre autorëve për të pasqyruar një realitet të sotëm, regjisori Kaca solli si shembull Mitrush Kutelin, duke thënë se pamfletet e tij janë një mrekulli për përkitjen me realitetin e sotëm nga ajo që ka shkruar shekullin e kaluar. Ndaj, për "Udhëtimet e Lizës", performanca e saj si pjesë teatrale merr pikënisje nga situata sociale konkrete në vendin tonë. Si objekt i zgjedhur (pra si Lizë) është femra, apo më saktë gruaja shqiptare. Sipas regjisorit, është pikërisht gruaja ajo që më shumë se kushdo ka ndjerë në shpinë vuajtjet, frikët, ka jetuar e paragjykuar, është dhunuar, është diskriminuar në emër të një dogme morale, që e trajton si një kafshë pune, si një qenie që s‘ka asnjë të drejtë në këtë shoqëri maskiliste. Sipas të rinjve, protagonistë në këtë shfaqje, në qendër të kritikave nëpërmjet performancave artistike e skenike, nuk do të jetë vetëm diskriminimi i figurës femërore, por edhe dogmat morale, politika, arroganca e njerëzve me pushtet, ana asociale e individit shqiptar, vogëlsia e tij, frika, dëshira për të zgjidhur gjithçka me gjak, me dhunë, paradoks ky që reflektohet edhe sot.
Ata thonë se ky projekt do të krijojë hapësira të reja në fushën e konceptimit të një vepre teatrore, ku do t‘i jepet prioritet formës së të shprehurit në teatër, një formë e cila përfshin në vetvete edhe elementë të rinj të interpretimit, formës vizuale performative të tekstit, veprimit; ku do të eksperimentohet për herë të parë interpretimi me shumë zëra, performimi i atmosferëve të ndryshme me këto zëra. Për shembull, forma e re konceptuale e këtij teatri quhet Performancë Teksti, që është krijimi i një vepre teatrore që nuk ka si princip kryesor dramaturgjik tekstin (subjektin dramatik), por bashkimin e të gjithë elementëve, si për shembull veprimin, këngën, gjestin, tekstin, ikonografinë, lëvizjen, objektet, kostumet, hapësirën etj., në një të vetëm. Të gjithë këta elementë ndërtohen nga aktori me një proces hulumtues dhe përbëjnë atë që quhet dramaturgji. Në fund të këtij procesi, aktori ka përgatitur kështu aktin e tij personal teatral në lidhje me të gjitha direksionet e dhëna nga regjia. Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe montazhi ose kompozicioni i kësaj dramaturgjie dhe që ndërtohet nga regjisori ose drejtuesi i performancës. Regjisori nëpërmjet montazhit unifikon të gjitha aktet performative teatrale të aktorëve, sipas ritmit skenik, linjës kryesore, marrëdhënieve apo edhe formës vizuale, duke ndërtuar atë që quhet shfaqje (vepër teatrore). Aktorët në performancë nuk marrin përsipër të ndërtojnë role ose karaktere, ata thjesht prezantojnë vetveten në një realitet tjetër jashtë përditshmërisë së jetës.
Marre nga : Gazeta Shqip











