270-vjetori i doreshkrimit te Kieutit

270-vjetori i dorëshkrimit të Kieutit

Autori i dorëshkrimit të gjetur në Qeft (Chieuti) është Nikollë Filja (1682-1769).

Dorëshkrimi i Nikollë Filjas është një kodik i vjetër prej 105 faqesh, i cili përmban një doktrinë të krishtere, disa poezi laike, disa poezi fetare dhe një përmbledhje këngësh popullore.

Dorëshkrimi i Erlangenit (Erlangenski Rukopis) mbledhja më e vjetër si vëllim e poezisë popullore serbokroate, është rreth vitit 1720.

Giuseppe Crispi, Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda etj., ishin mbledhës të shquar në ngulimet arbëreshe të Italisë. Kurse në trojet ballkanike të shqiptarëve mund të përmendim Zef Jubani (1818-1880), Thimi Mitko (1820-1890), Spiro R. Dine (1844-1922) e Vinçens Prenushi. Veprimtaria do të arrinte kulmin me mbledhjet dhe botimet e Bernardin Palajt e të Donat Kurtit

Michele Marchianoi profesor i latinishtes dhe i greqishtes, njëkohësisht edhe përkthyes, njihet si njeriu që zbuloi Dorëshkrimin e Kieutit dhe e botoi më 1908, në Foggia. Këngët e kësaj përmbledhjeje u ribotuan në vëllimin e parë të serisë Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (1635-1912), Tiranë, 1961.

Përmbledhja e parë e poezisë gojore shqiptare

Lëvizja romantike që lindi në Evropë, i dha një shtytje të fuqishme jo vetëm interesimit për krijimtarinë gojore të popujve të Evropës e të popujve të tjerë, por edhe punës për mbledhjen, botimin dhe studimin e saj. Është e kuptueshme se ndikimi i kësaj lëvizjeje do të ndihej më shumë dhe më shpejt në ato vise të banuara nga popullsi shqipfolëse që ishin më afër qendrave të zhvilluara të qytetërimit evropian dhe sidomos aty ku praktikohej gjerësisht përdorimi i shkrimit. Vise të tilla qenë pikërisht ngulimet arbëreshe të Italisë ku ekzistonte një liri politike më e madhe dhe një zhvillim kulturor më i lartë sesa në trojet shqiptare të Ballkanit, të cilat ndodheshin nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Falë kësaj klime politike dhe kulturore, u bë e mundur që pikërisht në ngulimet arbëreshe të Italisë të mblidheshin dhe të shkruheshin këngët e para të poezisë gojore shqiptare, të përfshira në dokumentin që njihet me emrin Dorëshkrimi i Kieutit (Chieuti). Për këtë ngulim arbëresh, folkloristi Veis Sejko shkruan: “Chieuti është një fshat i vogël në rrethin e Molizes (Molise) të Italisë, të cilin e ngritën më 1680 një grup shqiptarësh të ikur prej atdheut nga dhuna osmane.” (f. 31).

Autori i dorëshkrimit të gjetur në Qeft (Chieuti) është Nikollë Filja (1682-1769), poet e folklorist arbëresh nga katundi Munxifsi (Mezzojuso) i Sicilisë. Ai ka shërbyer si kryeprift në katundin Qeft (Chieuti) nga viti 1708 deri në vitin 1727. Dorëshkrimi i Nikollë Filjas është një kodik i vjetër prej 105 faqesh, i cili përmban një doktrinë të krishtere, disa poezi laike, disa poezi fetare dhe një përmbledhje këngësh popullore.

Kjo përmbledhje prej tetëmbëdhjetë këngësh përbën një ngjarje të shënuar jo vetëm për folklorin dhe folkloristikën shqiptare, por edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Me këngët e përfshira në DK mbyllet periudha disashekullore e oralitetit të pastër dhe fillon periudha e oralitetit mikst kur folklori letrar nuk do të qarkullonte më vetëm duke u përcjellë gojë më gojë, por edhe në trajtën e teksteve të shkruara.

Sipas folkloristit të njohur Arnold van Gennep, këngët popullore të përcjella gojarisht nuk mund të rrojnë më shumë se 200-250 vjet në trajtën e tyre burimore, të pamodifikuara, ndërsa regjistrimi në letër ua shton jetëgjatësinë dhe, siç thotë një studiues, “i shpëton nga kthetrat e harresës”. Kështu ka ndodhur me poemat e mëdha homerike Iliada dhe Odisea, të cilat u sistemuan dhe u shkruan me përkujdesjen e Pisistratit (605-527 para erës sonë).

Autorët e lashtë sjellin dëshmi të tërthorta që vërtetojnë se poezia gojore ka ekzistuar edhe te stërgjyshërit e shqiptarëve, ilirët. Në librin e tij Geographica (Gjeografia) Straboni shkruan: “Dardanët janë aq të egër, sa edhe nën pleh bagëtish rrëmojnë gropa dhe aty rrojnë; megjithëkëtë muzikën nuk e lënë mënjanë, po përkundrazi përdorin gjithmonë fyej e vegla me kordha.” (f. 155). Nga fundi i Mesjetës, Barleti flet për ekzistencën e poezisë epike te shqiptarët. Informata të këtilla ka edhe në relacionet e shekujve të mëvonshëm. Mirëpo nga hulumtimet e derisotme, del se dokumenti i parë që vërteton ekzistencën e kësaj poezie është Dorëshkrimi i Kieutit. Meqenëse shënimet e fundit të bëra në këtë kodik i përkasin vitit 1737, ky vit mbahet si koha e datimit të tij. Duke iu referuar DK, një nga studiuesit e poezisë gojore shqiptare, Stavro Skëndi thekson: “Data e vetme e përpiktë që kemi deri më sot për lashtësinë e poezisë gojore shqiptare është 1737.” (f.48). Më tej, ai shton se këngët e kësaj përmbledhjeje mund të jenë më të vjetra se viti 1737. I këtij mendimi është edhe Q. Haxhihasani.

Megjithëse viti 1737 është një datë e vonshme në krahasim me lashtësinë e poezisë gojore shqiptare, prapëseprapë ajo është vetëm shtatëmbëdhjetë vjet më e vonë sesa data e dorëshkrimit të poezisë gojore të sllavëve të jugut. Në monografinë e tij Studime mbi epikën e Krajinës, sllavisti Alois Schmaus shkruan: “Për fat, i ashtuquajturi Dorëshkrimi i Erlangenit (Erlangenski Rukopis), mbledhja më e vjetër si vëllim e poezisë popullore serbokroate, është rreth vitit 1720. Përveç një numri të madh këngësh lirike dhe baladash, ajo përmban edhe disa këngë të vërteta historike, pa dyshim me origjinë myslimane.” (AIKP, Dosja 38/1, f. 214).

Dorëshkrimi i Kieutit ka rëndësi të madhe, së pari, sepse ai na jep mundësi të njohim trajtën që kanë pasur disa këngë arbëreshe gati tre shekuj më parë dhe t’i krahasojmë me motërzimet e tyre që janë mbledhur më vonë. Së dyti, me këtë përmbledhje nis një praktikë kulturore, e cila do të vazhdohej e do të pasurohej nga një varg mbledhësish të shquar në ngulimet arbëreshe të Italisë si Giuseppe Crispi, Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda etj. Kurse në trojet ballkanike të shqiptarëve, këtë barrë do ta merrnin përsipër disa nga intelektualët me të spikatur së kohës si Zef Jubani (1818-1880), Thimi Mitko (1820-1890), Spiro R. Dine (1844-1922) e Vinçens Prenushi. Kjo veprimtari do të arrinte kulmin me mbledhjet dhe botimet e Bernardin Palajt e të Donat Kurtit, të cilët “shpëtuan nga kthetrat e harresës” këngët kreshnike, monumentin më madhështor të poezisë sonë gojore.

Ashtu si populli, të cilit i përkisnin këngët e përfshira në të, edhe Dorëshkrimi i Kieutit kaloi nëpër rreziqe e peripeci të shumta. Atë e shpëtoi nga zhdukja një emër i nderuar i kulturës arbëreshe, Michele Marchianoi (1860-1921), i cili kishte lindur në Maqi (Maçhia), pikërisht në vendlindjen e De Radës, në këtë vatër të ndezur të patriotizmit e të kulturës shqiptare. T’u përkushtohej çështjeve shqiptare, gjurmimit të traditave popullore të të parëve, Marchianoin do ta ketë shtyrë edhe atmosfera që ekzistonte në familjen e tij, e cila dallohej për atdhedashurinë e saj të madhe.

Michele Marchianoi që punoi shumë kohë si profesor i latinishtes dhe i greqishtes, qe edhe përkthyes. Një ndihmesë të veçantë ai dha si historian i letërsisë. Në studimet e tij letrare, ai nxori në pah origjinalitetin e letërsisë arbëreshe dhe hodhi dritë mbi individualitetet e saj.

Nderimin e madh që ky studiues pati për Jeronim De Radën, e shprehu në studimin e tij L’Albania e l’opera di Girolamo De Rada (Shqipëria dhe vepra e Jeronim De Radës), 1902. Kjo është e para monografi e plotë ku autori i saj vuri në dukje “rëndësinë e poezisë së De Radës, frymën e thellë atdhetare dhe vlerat e saj estetike”.

Si folklorist, Marchianoi mblodhi e botoi shumë këngë popullore arbëreshe, të cilat u përfshinë në dorëshkrimin La rondinella. Carme nuziale albanese (Dallëndyshja. Këngë dasme arbëreshe), 1906; Canti popolari albanesi delle colonie d’Italia (Këngë popullore arbëreshe të ngulimeve të Italisë), 1908; Canti popolari albanesi della Capitanata e del Molise (Këngë popullore arbëreshe të Kapitanatës e të Molizës), 1912. Studiuesit kanë shprehur mendimin se botimet e tij folklorike dallohen për saktësi dhe për gjykime objektive shkencore.

Nga tridhjetë veprat e botuara dhe në dorëshkrim të këtij intelektuali të palodhur, mund të përmendim: La politica albanese e gli stati balcanici, La lingua albanese ed un zorlo moderno, Relique e vestigi dell’ antico ceppo glottico albanese e parantella delle lingue traco-macedo-illiriche, Le colonie albanesi d’Italia e la loro litteratura etj.

Nuk ka dyshim se një meritë e veçantë i takon Marchianoit si njeriu që zbuloi Dorëshkrimin e Kieutit dhe e botoi më 1908, në Foggia. Këngët e kësaj përmbledhjeje u ribotuan në vëllimin e parë të serisë Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (1635-1912), Tiranë, 1961.

Botimin e përmbledhjes Dorëshkrimi i Kieutit, Marchianoi e shoqëroi me një parathënie prej 64 faqesh, në të cilën flitet për historikun e gjetjes së dorëshkrimit, për gjendjen e tij, për këngët popullore arbëreshe dhe për probleme të tjera me karakter historik, gjuhësor, etnografik e letrar. (MHFSH, I, f. 20).

Megjithëse, siç kemi thënë më parë, Dorëshkrimi i Kieutit u gjet në një katund të Kalabrisë, studiuesit janë të mendimit se këngët popullore të përfshira në të janë mbledhur në Sicili, në vendlindjen e Nikollë Filjas, para se ky i fundit të shkonte në Chieuti. Këtë përfundim e shikon me njëfarë rezerve folkloristi V. Sejko, i cili shkruan: “Këngët në DK ka mundësi të jenë edhe nga Kalabria dhe Nikollë Filja të jetë jo mbledhësi, por kopjuesi i tyre, dhe mbledhësi i vërtetë të ketë mbetur anonim.” (f.31).

Tekstet e përfshira në Dorëshkrimin e Kieutit, në kapitullin që titullohet Kenkezë të Pleqrijsë, janë këto:

1. Sontenith me dij or natë

2. O se ti Pjetrë Vajvodi

3. E ligjëroi plaku me malt

4. Vaita siprë mbij katund

5. Sontenith gëzuarith

6. Vilie, vilieza kopilie

7. Mbeta motmot me rrogë

8. Kostandini i vogëlith

9. Duall e bukura në derë

10. Sontenith në dij or nat (Nik Peta)

11. Sontenith me dij or nat (Pal Golemi)

12. Shum u desh vasha me trimt

13. Sa e vogele ish molla

14. Triezë e triezezë

15. Të veni n’atë fer (E bukura Katerinë)

16. Vashëza, ç’ish më mblidh liule

17. Bëri kshijll zonja Elenë

18. Vashëza çe më mblidh liule (Shega dhe Vllastari).

Siç del nga titujt e mësipërm, në këtë përmbledhje janë përfshirë motërzimet e para të disa baladave të lashta si Kostatini i vogëlith që ka në qendër motivin e rinjohjes së burrit me gruan, apo Vashëza çe më mblidh liule (nr. 16 e nr. 18), e cila është motërzimi i njohur më i hershëm i rinjohjes së vëllait me motrën. Shum u desh vasha me trimt trajton motivin e pemëve të përqafuara, të metamorfozimit të njerëzve në bimë, një baladë me qarkullim ballkanik e mesdhetar. Në Shqipëri, ky motiv haset te balada Çika Potureshë. Motivi i rrëmbimit të gruas nga cubat është i pranishëm në këngën Të më veni n’atë fer (E bukura Katerinë), e cila ka disa motërzime në Shqipëri dhe në Kosovë. Këngët që flasin për Nik Petën e Pal Golemin janë balada historike. Ashtu si dhe balada Mbeçë, more shokë, mbeçë, mbledhur në Shqipëri dhe botuar më 1854 nga J. Georg von Hahn, ato kanë të përbashkët motivin: testamenti i trimit që po vdes. Balada Duall e bukura në derë ka analogji tipologjike me këngën serbe Kosovska devojka (Vajza e Kosovës). (Sejko, f. 73). Këngët Sontenith me dij or natë (nr.1) dhe O se ti Pjetrë Vajvodi i përkasin epikës historike.

Janë këngë lirike tekstet e tjera të dorëshkrimit si: E ligjiroi plaku me malt, Vaita siprë mbij katund, Sontenith gëzuarith, Vilie, vilieza kopilie, Mbeta motmot me rrogë, Sa e vogele ish molla, Triez e triezezë, Bëri kshijll zonja Elenë.

Për ta pasur sa më të qartë origjinalitetin dhe bukurinë e këngëve të përfshira në Dorëshkrimin e Kieutit, këtu poshtë po riprodhojmë këngën që i kushtohet bashkëluftëtarit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Pal Golemit. Për ta kuptuar më lehtë dhe për ta shijuar më mirë publiku i gjerë, këngën e përshtatëm në shqipen e sotme:

Sonte me nja dy orë natë,

Ndihej një rënkim i madh,

S’ish rënkim, po Pal Golemi,

Pal Golemi i plagosur,

Që m’u truhej shokëvet:

- O ju shokë e ju vëllezër,

Po ju truhem ju aq fort,

Të më bëni varrin tim

Sa të gjatë aq të gjerë

E te kryet e varrit tim,

Të më bëni një dritare,

Të më lini kalin tim;

E në këmbë të varrit tim,

Të lini armët e mia.

Të m’i shkruani e të m’i thoni,

Të m’i thoni mëmës sime,

Të më qepë një këmishë

Me një fill nga kripi i saj.

Të ma qëndisë atë këmishë

Po me gjak të faqeve;

Të ma terë atë këmishë

Me zjarr të zemrës së saj;

Ta dërgojë atë këmishë

Me psherëtimën e saj.

Të m’i shkruani së bukurës,

Të qëndisë një mandile

Po me gjak të faqeve.

Në mos qoftë martuar ende,

I thoni që të martohet,

Të më vejë në atë kishë,

Të hedhë sytë në atë shesh,

Të shohë shokët e mi.

Të nxjerrë një psherëtimë,

Një psherëtimë e një ushtimë,

Gjithë kisha të kumbojë.

*

* *

Për folkloristikën shqiptare, poezia gojore e përfshirë në Dorëshkrimin e Kieutit dhe poezia gojore arbëreshe në tërësi ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos për sa i përket përcaktimit të lashtësisë së poezisë gojore shqiptare, meqenëse temave, motiveve dhe subjekteve të trajtuara në të i sigurojnë një moshë së paku pesëqindvjeçare. Për këtë çështje V. Sejko thotë: “Sot arbëreshët janë një thesar folklorik i pazëvendësueshëm që nuk krahasohet me asnjë argumentim, sepse është një fosil i gjallë, pikërisht një copë Shqipërie e shek. XV.” (f. 26).

Duke pasur parasysh këngët për Skënderbeun dhe për bashkëluftëtarët e tij, studiuesi gjerman Alois Schmaus shkruan se këngë të këtij lloji nuk mund të jenë krijuar në atdheun e ri, sepse për këtë gjë mungonin rastet dhe kushtet e jashtme. (Shejzat, 1970, f. 125).

Këtë parashtresë për Dorëshkrimin e Kieutit dëshiroj ta përmbyll pikërisht me vlerësimin që studiuesi i lartpërmendur i ka bërë trashëgimisë poetike të arbëreshëve të Italisë: “Asht nji trashigim i çmueshëm, për të cilin italo-shqiptarët mund të krenohen. Ky trashigim na paraqet, brenda epikës popullore, një tip të veçantë, (të tretë), i cili njëkohësisht asht ma i vjetri, ma arkaiku. Na jep kjartësi mbi fazën ma të vjetër t’epikës shqiptare; gjithashtu mund të na ndihmonte të nxjerrim njohuni të thella për fazën e vjetër t’epikës popullore ballkanike.” (Shejzat, f. 130).

 

Prof. As. Dr. Anton Papleka : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama