"Kultura duhet të bëhet shprehimisht një pjesë e vetëkuptueshme e përditshmërisë sonë. Ajo nuk duhet të jetë vetëm diçka për raste të veçanta ose për të diela. Kultura është jeta jonë, janë marrëdhëniet tona. Bëhet fjalë edhe për artet e larta, por të cilat përfaqësojnë një lloj creme de la creme."
Duke u nisur prej një koncepti sa më të gjerë të kulturës, administratori i BE për kulturën me origjinë nga Sllovakia nxit çdo formë të bashkëjetesës, të të vepruarit të përbashkët dhe të dialogut. Kryesorja është që kultura t'i kalojë kufijtë e shteteve. 400 milionë EURO do të shpërndahen pak a shumë bujarisht nga viti 2007 deri në vitin 2013, pas paraqitjes së lutjeve për festivale, përkthime, workshope, instalime multimediatike ose edhe faqe kreative interneti. Reklama më e njohur është programi "kryeqyteti kulturor i Evropës", në të cilin çdo vit, një deri në dy qytete shpallen qytete model kulture. Të gjitha shtetet anëtare merren parasysh për të bërë përzgjedhjen. Jan Figel:
"Milan Kundera, një autor çek, tha njëherë: Evropa është shumëllojshmëria më e madhe që ekziston në hapësirën më të vogël të mundshme. Ne tregojmë që është e mundur të jetosh së bashku, jo vetëm të bashkëjetosh, por të jetosh, të krijosh dhe të jesh veç kësaj edhe atraktiv."
Sllovaku Jan Figel, i lindur më 1960 dhe i rritur në komunizëm, bëri pas kthesës politike karrierë si kristjandemokrat. Për të ka veçanërisht rëndësi mirëkuptimi midis anëtarëve të vjetër dhe të rinj të BE: "Vija ndarëse midis Lindjes dhe Perëndimit duhet të kapërcehet në zemra dhe në mendje. Nga ana politike, ne vërtet që e kemi lënë pas vetes, por këtë duhet ta bëjmë edhe në mendje."
Deri në nëntor 2004, kur u bë komisar i BE, Jan Figeli kishte pasur të bënte pak në karrierën e tij me kulturën. Ai kishte shkëlqyer më tepër në sfond si menaxhues politik. Veprimet e bujshme, kakofonike dhe të drejtuara vetëm për jashtë në aktivitetet kulturore nuk janë natyrë e tij: "Nën konceptin kulturë unë kuptoj më shumë se artet. Në kuadër të arteve, mua më pëlqen të lexoj libra. Ky është pasion dhe shlodhje. Nganjëherë gjej edhe kohë që të shkoj në Theatër ose kinema"
Jan Figel ka studiuar inxhinjeri elektronike. Edhe kjo fushë, në të cilën krijohen vazhdimisht gjëra të reja, nuk është për të kaq larg kulturës dhe artit: "Unë kam ëndërruar që të studioj art. Eshtë shumë e vështirë që të flasësh për të kaluarën, sepse ja që në komunizëm mundësitë kanë qenë shumë të kufizuara."
Endrrën e tij të rinisë ai nuk e realizoi dot për shkaqe politike. Tani, komisari i kulturës është i kënaqur, që katër fëmijët e tij me talent muzikor dhe bashkëmoshatarët e tyre kanë pafundësisht shumë mundësi, jo së fundi edhe në sajë të programeve evropiane të nxitjes dhe zhvillimit.
"Unë jam i gëzuar, nëse brezi tjetër pas timit është në gjendje t'i zhvillojë më mirë talentet e tij se sa ishim në gjendje ta bënim këtë ne në të shkuarën."
Marre nga : DW-Word.de











