Festivali Fringe ne Edinburg

Festivali Fringe në Edinburg

Mijëra artistë u mblodhën këtë gusht në edicionin e përvitshëm në kryeqytetin skocez, Edinburg ku përveç Festivalit Fringe, zhvillohen edhe festivale të tjera si ai ndëkombëtar, i politikës, i librit etj.

Irena Luto e BBC-së shkoi atje për të parë disa nga shfaqjet dhe takuar artistët, disa prej të cilëve debutantë.

Ky është ditari që ajo mbajti.

Dita e parë

Festivali Fringe po i afrohet fundit dhe publiciteti nuk ka të sosur. Gati 30 minuta përpara se të zbresim në stacionin Waverly, në qendër të qytetit një grua që qëndron në sediljen ngjitur me mua më jep një fletushkë, ku reklamon shfaqjen e së bijës.

Vajza e saj është poete dhe e ka lënë karierën në Ministrinë e Brendshme britanike per t'iu dedikuar artit.

Është hera e parë në Edinburg dhe nëna e saj është shumë entuziaste për të bijën, e cila ka punuar me David Blunket, ish Ministrin e Brendshëm, aleat i ngushtë i Blairit.

Kolegu im, Edi që është me mua në udhëtim shikon se mos fotografia e poetes i ngjan ndonjë fotografie që ka parë ai në tabloide kur është përmendur emri i David Blunket. Nuk ka asnjë ngjashmëri.

Edinburgu nuk ka të krahasuar me herën e fundit që isha këtu në fund të prillit kur zhvillohej fushata zgjedhore.

Atëherë qyteti ishte kaq i pastër dhe i paprekur nga posterat elektorale sa të mos e dije nuk do ta merrje vesh se do të zhvilloheshin zgjedhjet.

Këtë verë ai ishte plot me njerëz, postera dhe fletushka.

Arti këtë verë festohet në të gjitha format e tij dhe nuk mjafton të jesh aktor apo rregjizor i një shfaqjeje.

Për shkak se teatri në Fringe është i hapur për të rinjtë dhe buxheti është i vogël, shumë prej artistëve u duhen të jenë edhe ata që u bëjnë reklamë shfaqjeve.

Ndalesa e parë është në George Street që, përveç arkitekturës së ndryshme, është si kudo në Edinburg plot me banderola që tregojnë vendet ku jepen shfaqje, plot me postera dhe njerëz që mbajnë rradhë.

Kemi shkuar për të parë Conflict Zone Theatre që shfaq Closing Time, një pjesë, e cila flet për historitë e gjashtë të rinjve emigrantë dhe vendas që punojnë bashkë në një restorant në Londër.

Rregjizori i shfaqjes Michael Ronen, një djalë i ri nga Izraeli duket i emocionuar dhe paksa i humbur kur na takon.

Ai më tregon se kështu ndihet para çdo shfaqjeje.

Closing Time ka ditë të tëra që po shfaqet në Fringe, por sot në mesin e spektatorëve është një kritik i gazetës The Scotsman dhe ajo që do të shkruhet për ta, është shumë e rëndësishme.

"Unë edhe ti," i them me të qeshur kolegut tim Edi, "nuk llogaritemi".

Shfaqja është interesante dhe dinamike. Aktorët janë shumë të mirë. Ata luajnë disa personazhe. Secili prej personazheve shndërrohet në një karakter të historive që tregojnë, në rolet fillestare.

 
Shfaqja Closing Time u prit shumë mirë nga publiku në sallë.

Çdo histori tregohet brenda një skene të thjeshtë e të errët dhe skenografia ngrihet me shumë pak elemente që e bën publikun ta ndjekë si një vepër arti apo instalacion.

Çfarë ka dashur të thotë regjizori me këtë?

Valixhe me personazhet tona brenda, një litar i kuq që ndan një tregim nga tjetri, korniza që presin fragmente bisedash, ishin disa nga elementet e skenografisë.

Ne ikim të kënaqur nga shfaqja.

Në të kishte edhe një personazh nga Kosova.

Aktori shqiptar i kësaj shfaqjeje ishte kthyer në Londër dhe roli i tij në pjesë luhej nga një palestinez, ndërsa në mesin e autorëve të pjesës është edhe gazetarja nga Kosova, Jeta Xharra.

Aktorët na japin të fala për të, kurse rregjizori i shfaqjes pasi na jep intervistën pret me ankth atë që do të shkruhet të nesërmen.

Unë dhe Edi i themi se kjo shfaqje kishte për tu pritur mirë në rajon. Ai thotë se kërkon të marrë disa kontakte teatresh prej nesh.

Nga George Street në rrugën kryesore tregtare Prince's Street, e cila është më pak se dy minuta larg dhe ne drejtohemi atje ku mbahet rradha më e madhe që shohim në Edinburg.

Është ekspozita e disa prej punëve më të famshme të pop-artistit Andy Warhol në Galeritë Kombëtare të Skocisë.

Atje janë të ekspozuara portretet e famshme të Marlyn Monroe, Jackie Kennedy, Elvis Presley dhe Lisa Minelli.

Ky është ekspozimi më i madh i punëve të artistit në Skoci dhe përkon me 20-vjetorin e vdekjes së tij.

Punët e ekspozuara i përkasin fillimit të viteve 50 deri në vitin 1986 dhe atje bëjnë pjesë pikturë, skulpturë, film dhe fotografi.

 
Ekspozita e punimeve të artistit ishte e para në Edinburg

Për herë të parë në Evropë ekspozohen edhe Time Capsule, që janë të gjitha materialet e përdorura nga artisti brenda një muaji.

Warhol e kishte zakon që të fuste në një kuti çdo gjë që përdorte në një muaj.

Pastaj i mbyllte këto kuti. Për artistin të gjitha këto materiale të përdorura gjatë një muaji përbënin një "kapsulë kohe".

Punët e artistit tregojnë atë që është jeta e thjeshtë dhe pamje të saj në të gjitha format e tij.

"Përse kutitë e supës Campbell përbëjnë art?", pyet kolegu im Edi.

Përgjigjen e gjejmë pak më tutje, në ekspozitë.

Thuhet se një stiliste i pat sugjeruar artistit në fillim të viteve 60 që të pikturonte diçka që njerëzit e shikonin në jetën e përditshme si për shembull kanoçet me supë Campbell's.

Një tjetër teori është se Andy vetë e hante shumë supën me domate.

Warhol vlerësohet si një prej artistëve më të rëndësishëm të shekullit të 20, megjithëse kur ai vdiq në mënyrë të papritur 20 vjet më parë, kritikët e tij të ashpër thanë se vdekja kishte qënë gjëja më me dinjitet e artistit.

Ngjyrat e forta të ekspozitës së Warhol që na kanë mbetur në mendje na përcjellin edhe në pjesën e vjetër të qytetit ku artistët e rrugës me ngjyra e veshje ekstravagante luajnë për turistët.

Një pjesë e madhe turistëve në qytet zgjedhin të ndjekin këto shfaqje në rrugë në vend të atyre që luhen në Fringe.

Këtu është falas, ndërsa një shfaqje në Fringe kushton mesatarisht 8 stërlina.

Edi tërhiqet nga një grup daullistësh malësore skocezë që i bëjnë vendasit të hidhen pupthi.

Një burri i veshur me kostum (që ngjante si bankier) i afrohet turmës. Nuk kalon shumë dhe ai bëhet njësh me të, aq sa nuk mbeti më gjurmë të rregullit në veshjen e tij.

Në mbrëmje drejtohemi në tentën Spigel, që i përgjan një cirku me shumë çadra të vogla. Magic Number (jo The Magic Numbers) luajnë në një nga tendat.

Ata janë një grup nga qyteti bregdetar i Brajtonit. Fillimi i koncertit të tyre është një prezantim plot humor i repertorit.

Publiku e përcolli me të qeshura dhe pas kësaj, zhurma e takave të këpucëve dhe duartrokitjet u bën një me muzikën që ishte një përzierje, xhaz, bluz dhe muzikë cigane.

Spektatorët nuk donin të dilnin jashtë tendës, por artistë u drejtuan nga dera dhe komunikimi me ta vazhdoi në tavolinat jashtë ku pihej birrë.

Dita e Dytë

Edinburgu si pjesa më e madhe e Britanisë nuk ka parë verë, këtu është zakonisht më ftohtë se në vende të tjera, por sot është shumë ngrohtë.

Ra pak shi, pastaj zagushia shoqëroi tërë ditën.

Një gazetar i BBC-së që jep me qera një ambjent për pjesëmarrësit në Fringe, më fton të ndjek një pjesë të re që quhet Black Comedy.

Siç e sugjeron edhe titulli është komedi e hidhur për një dhëndër të ri që nga dëshira e madhe për të impresionuar vjehrrin e ardhshëm, vihet në situata shumë të vështira, të cilat e bëjnë atë nga personi që përpiqej t'i kënaqte të gjithë në atë që u bën keq të gjithëve.

Kjo ishte premiera e shfaqjes dhe Charles ma rekomandoi si të mirë.

Në auditor kishte familjarë, miq dhe kritikë që dolën prej andej me buzën në gaz.

U largova duke i uruar edhe unë artistët e rinj me mendjen tek trupa Tale on Fire që pata ndjekur para një viti po në këtë skenë.

Ata ishin një vit më parë në Fringe me Sing a Storm of a Blackbird, një shfaqje shumë elegante dhe inteligjente.

Këtë vit prezantoheshin me What if?

Shfaqja e vitit të kaluar më kishte ngacmuar interesin për teatër të tillë bashkëkohor, ku perfomanca ka në thelb dance, këngë, akrobaci, ku skenografia është elementare, por shumë inovatore.

Vallë çfarë kishte sjellë Lydia Maxwell dhe Tale on Fire në Fringe?

Vitin e kaluar ajo kishte një dramë për dy emigrantë shqiptarë në Oksford dhe ajo (drama) trajtonte çështje të integrimit.

Vendi ku luante Tale on Fire këtë vit ishte edhe më i vogël se ambjenti që jep me qera Charles.

Lydia na përshëndet dhe na falenderon që kemi ardhur ta ndjekim.

What if, flet për dramën e zakonshme sociale të jetës moderne, vetminë.

Vështirësinë për të komunikuar në një botë të dominuar nga orët e gjata të punës, udhëtimet e përditshme në distancë dhe varësia ndaj internetit.

Personazhet e kanë të vështirë të komunikojnë me njëri-tjetrin. Djali do vajzën, vajzës i pëlqen një djalë tjetër...

Përpiqen të lidhen përmes internetit ku lidhen mijëra të tjerë në një skenë që mbushet nga pëshpëritje bisedash dhe demonstrime të tipit telegrafik të eksperiencave të tyre.

Skena një dysheme dhe perde bezeje, me dy kuba për t'u ulur.

Dy rafte bezeje me xhepa që varen në mur apo dollap, merrnin herë formë letre, herë laptopi në kafene e herë kompjuteri në zyrë.

Sa shumë tha kjo shfaqje në aq pak vend me aq pak shpenzime!

Edhe këtu akrobaci dhe lojë e shkëlqyer. Fytyra e aktorit një armë e fortë.

Lydia më thotë se trupa e saj ka anëtarë të rinj në bord.

Ajo ndihet e kënaqur me atë që është arritur dhe e përforcon idenë se Edinburgu është një mundësi e mirë për të prezantuar veten.

Ajo është një vajzë shumë modeste. Dhe pasi më prezanton me familjen e saj, më falenderon edhe një herë për interesin.

Në parlamentin skocez edhe këtë vit është hapur eskpozita e World Press Photo.

Iraku, Libani, Afrika janë disa nga vendet ku janë fiksuar në celuloid disa prej dramave të edicionit 2007.

Fotografitë e nderuara me çmime shfaqen në katin e parë të ndërtesës moderne të parlamentit skocez në Holyrood.

Është një fotografi e veçantë që m'i mbush sytë me lot. Dy gra afrikane stolisin një vajzë 9 vjeçare që punon si prostitutë.

Shumë nga personat në fotografitë e ekspozuara kanë qënë në ngjarje që janë zhvilluar dhe kanë përfunduar.

Ajo vajzë e vogël është duke u përgatitur për një ditë të gjatë, një dramë të vazhdueshme, një pritje që në kokën time luhet deri në infinit.

Ika duke fshirë me mëngë fytyrën...

 
Conflict Zone Theatre duke reklamuar shfaqjen 

Shumë njerëz vijnë në Edinburg për komedinë dhe një numër artistësh të njohur zgjedhin të kalojnë disa ditë këtu.

"A mund t'u shesësh humor anglezëve?", e pyes një kanadez shfaqjen, e të cilit sapo e kam parë.

Ai më thotë Po.

Ai luan me dallimet mes një nacionaliteti tek tjetri, tallet me ndryshimet mes britanikëve dhe amerikanoveriorëve dhe çdo situatë e sjell në dialektin origjinal.

Edhe unë qesh me lot, sidomos me këshillën e disa rrëshqitësve të dallgëve (surfer) nga Zelanda e Re.

Ata i thanë komedianit Graig Campbell se për të shpëtuar nga një peshkaqen duhet t'i gjuante atij me grusht, ose ta verbonte duke i futur gishtat në sy.

Graig ndërhyn në mesin e të qeshurave të publikut dhe pyet se ku e lë kjo këshillë gojën e peshkaqenit?

Kthehem në tentën Spiegel për një tjetër trajtim special muzikor.

Magic Number më lanë një shije shumë të mirë. Ata ishin një grup, sot në mbrëmje është koha për një orkestër.

Janë muzikantë të veglave kryesisht frymore. Janë nga Edinburgu dhe quhen Orchestra del Sol.

Salla është plot dhe të gjithë qëndrojnë në këmbë. Muzikantët luajnë me instrumentat dhe publikun.

Të bëjnë të qeshësh, të kërcesh, të thërrasësh. Nuk kam parë deri tani një grup kaq zbavitës sa këta.

Muzika e tyre kalon nga Gershwin tek muzika cigane, nga valsi tek bluzi.

Pjesëtarët e orkestrës ndërrojnë instrumentat kërcejnë dhe në tentën që i përngjan një cirku veshjet e tyre të tipit kabare të kthejnë 50 vjet prapa.

Një djalë i ri që është pranë meje më tërheq të kërcej polka siç e ka udhëzuar publikun Orchestra del Sol: kërce me këmbën e majtë, pastaj me të djathtën pastaj pupthi.

"Jo, jo hapat nuk shkojnë kështu", i them partnerit tim. "Kështu thotë orkestra", ma kthen ai.

Shoh nga larg kokën e kolegut tim që tundet majtas e djathtas. Ai është në pistë dhe ndoshta i vjen zorr që ta shoh se po tenton të kërcejë.

I bëj një fotografi kur s'e ka mendjen.

Kur dalim thotë se koncerti ishte fantastik.

"Po shfaqjet në Fringe?, e pyes.

"Të mira, por këta ishin me të vërtetë fantastikë."

Irena Luto : BBC.co.uk

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama