Zucchero skandal gjate koncertit

Zucchero, skandal gjatë koncertit

Ajo u zhvillua në hotelin "Kala di Volpe", i cili ka 5 yje, në zonën e mrekullueshme turistike Porto Çervo, Kosta Smeralda të Italisë. Një mbrëmje gala, e organizuar nga "Starwood Hotels", për 850 të ftuar specialë, të cilët kishin paguar 1 mijë euro secili. Xukero këndonte në buzë të pishinës së hotelit dhe për atë mbrëmje u pagua 300 mijë euro.

Mbrëmja gala

Por ajo që duhej të ishte një mbrëmje luksoze me një publik të shtresës së lartë, rrezikoi të përfundonte në katastrofë. Aty fluturuan fyerje nga më të rëndat dhe vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipit të sigurisë së hotelit, u ndalën disa klientë rusë, të cilët kishin ndër mend të hidheshin mbi këngëtarin.

Kjo ndodhi përpara tri netësh. Xukero, i mbërritur në Sardenjë nga Danimarka, ku i dha fund fazës së parë të turit botëror, ngjitet në skenën e ndërtuar posaçërisht për evenimentin. Ishte parashikuar të këndonte sukseset më të njohura të karrierës, një pjesë e mirë e publikut qe ngritur më këmbë e kërcente, të tjerët, në tavolina, shijonin menynë e shkëlqyer (arragosta, midhje të rralla, haviar e shampanjë pa fund).

Shkëndija

Por jo të gjithë duket se janë të përqendruar te bluzi i veçantë i muzikantit italian, siç është rasti i një zonje, e cila në një çast të caktuar, nis të shkruajë një mesazh në celular. Xukero e shikon, nxehet dhe nis ta shajë: "Lavaman, barakë, kosh plehrash, je e shpifur", dëgjohet në regjistrimin e bërë nga kamerat e televizionit lokal "Pesë Yjet", përveç se edhe një "kundërmon si harengë", që nuk u dëgjua, por ishte shkruar të nesërmen në internet, duke u mbështetur te dëshmitë e të pranishmëve.

Sulmi dhe kundërsulmi

Pas kësaj, këngëtari merr një shishe "Gatorade" dhe e hedh në drejtim të zonjës, por nuk qëllon në shenjë. Shishja i kalon fare pranë një fëmije dhe godet një tjetër tavolinë, ku gjendeshin disa rusë. Këta vendosin t‘i përgjigjen menjëherë, flakë për flakë, "zjarrit armik". Fillimisht, i hedhin shishen me të cilën sapo u kishte gjuajtur këngëtari, që bie në skenën e improvizuar. Më pas, vendosin t‘i drejtohen artilerisë së rëndë, shishe vere e të tjera pijesh alkoolike. Por, stafi i sigurisë së hotelit i ndalon të hedhin shishe të tjera, kështu ata ngrihen vetë për t‘u ngjitur në skenë e për të rrahur këngëtarin. Përplasje, shtytje, tërheqje. Në gjithë këtë rrëmujë, Xukero vazhdon të këndojë.

Ndërhyn një zjarrfikës heroik, i cili vendoset mes klientëve rusë dhe këngëtarit, deri në çastin kur gjakrat ftohen. Ndërkohë që vazhdojnë fyerjet: "Për t‘iu duruar dy b... kaq të mëdha", ulëret Xukero në mikrofon. Për të përfunduar me fjalët: "Nuk jam këtu për ju, por për paratë që më japin".

Të ftuarit

E lebetitur, Anne Hathaway, aktorja e njohur amerikane protagoniste e filmit "Djalli vesh Prada", gjendej mes publikut në shoqërinë e disa miqve dhe mendonte se bëhej fjalë për folklor sardenjas. "Është artist i madh dhe shpresoj që kjo ngjarje e pakëndshme të marrë fund sa më shpejt", thotë Valeria Marini, edhe ajo një ndër të ftuarit e përzgjedhur në mbrëmjen gala.

Me sa dihet, Xukero nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment për ngjarjen e pakëndshme, teksa nisej për pushime me të dashurën e të birin. Në një intervistë telefonike ka replikuar: "Me të vërtetë ishte një mbrëmje shumë e gjallë. Në raste të tilla ke përballë një publik të veçantë, të ndryshëm nga ai që vjen nëpër koncerte. Rrinë të gjithë ulur e të palëvizur. Për të ngacmuar njerëzit, ndonjëherë hedh ndonjë batutë sarkastike, ndonjë provokim të vogël, ndoshta edhe të rëndë. Më pëlqen të kapem me njerëzit, nuk e mohoj. Ishte ajo zonja që luante me celularin... por, po ta bëjë këtë një aktor komik, të gjithë do qeshin e duartrokasin. Po ta bëjë një këngëtar, etiketohet si idiot".

Xukero shtoi në telefon se ushqimi ishte i shpifur. Pastaj tha: "Nuk më kujtohet, ka nga ata që fyhen dhe të tjerë që nuk fyhen. Di vetëm se sipas kontratës duhej të këndoja një orë e gjysmë. Këndova 15 minuta më shumë, pa llogaritur këtu dy ‘bis‘e. Kjo do të thotë se njerëzit u dëfryen dhe që, megjithatë, unë nuk jam këngëtar për piano bare". Diçka e përafërt kishte ndodhur në të njëjtin hotel pesë vite më parë: "Në rast se më ftuan përsëri, do të thotë se u pëlqej".

Denoncimi

Në fund të koncertit të bluzit italian, më të nxehurit nga ky episod kërcënonin se do të denonconin në polici. Por deri më tani, askush në Porto Çervo nuk i është drejtuar asaj, apo karabinierëve. Disa prej të ftuarve në koncert, që nuk u pëlqeu performanca, u kërkuan drejtuesve të hotelit që nga llogaria e mbrëmjes t‘u zbritej shpenzimi për koncertin. Pranuan të paguanin për havjarin, shampanjën, arragostat dhe midhjet, por jo për Xukeron. "Kërkesa të pranuara", u përgjigjën drejtuesit e hotelit, të cilët vërejtën se "mbanin qëndrim edhe ata vetë nga sjellja e këngëtarit". "Nuk e kuptojmë ç‘e zuri - shtojnë në "Kala di Volpe". Megjithatë jemi të prirur të mendojmë se bëhet fjalë për një mënyrë origjinalë për të tërhequr mbi vete gjithë vëmendjen e publikut. E bën në të gjitha koncertet". Është fakt, që edhe pesë vite më parëm Xukero kishte shpalosur të njëjtin repertor fyerjesh në po të njëjtën skenë, shpjegojnë drejtuesit e hotelit. "Por atëherë zgjati më pak, duke shprehur edhe keqardhjen e thellë. Kësaj here u gjendëm përpara 30 minutash marrëzi.

Mbrëmja ishte madhështore, për sa i përket organizmit, ushqimit e muzikës. Por dikush u marros...".

Per te ditur me shume mbi viziten e Zuccheros ne shqiperi klikoni ketu


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama