Ky është vendi i vendosur përfundimisht. Deri më tani ekzistonte edhe mundësia e stadiumit "Qemal Stafa" Në datën 13 qershor, adhuruesit e bluzit italian do të prekin nga afër emocionet. Zucchero mbërrin në Tiranë me ftesë të agjencisë "Living Room Show", e cila prej disa muajsh i ka kthyer në një realitet të prekshëm koncertet live nga emra botërorë të muzikës. Ndërsa deri në fund të vitit 2007, në axhendë parashikohen edhe mjaft emra të tjerë të njohur. Në vend të sallës së vetme të Pallatit të Kongreseve, këtë radhë është zgjedhur hapësira e stadiumit "Selman Stërmasi" për të pritur këngëtarin italian. Zucchero mbërrin në Tiranë mbrëmjen e 12 qershorit. Bashkë me të mbërrin edhe stafi teknik dhe banda e tij prej thuajse 25 vetësh. Reklamimi i koncertit ka filluar që prej disa javësh. Posterat gjenden jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Sipas zyrës së shtypit, pak orë përpara koncertit, Zucchero do të dalë në një konferencë për shtyp, ku do t'i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve. Takimi i tij i parë me Shqipërinë ka qenë në vitin 1999, ku ai ka kënduar në Pallatin e Kongreseve për një koncert bamirësie për Krishtlindje.
Koncerti
Në datën 13 qershor, Zucchero do të këndojë 'live' në stadiumin "Selman Stërmasi". Sipas organizatorëve, pritet që numri i atyre që do të ndjekin koncertin të jetë shumë i madh dhe për këtë është zgjedhur një hapësirë më e madhe. Ardhja e tij në Shqipëri përkon me një tur botëror që kantautori italian ka ndërmarrë për të prezantuar albumin e tij më të fundit "Fly" (Fluturo), i realizuar në shtator të vitit të shkuar. Në koncertin e datës 13 qershor, Zucchero do të këndojë këngët e albumit për publikun shqiptar, por nuk do të mungojnë as hite të njohura të tij. Të tilla janë "Donne", një nga hitet e para të tij, "Senza una donna", "Baila", Cosi celeste" etj. Koncerti nuk do të zgjasë më pak se 90 minuta. Ende nuk dihet nëse do të ketë ndonjë grup apo artist suporti, megjithatë organizatorët janë duke menduar dhe lakuar disa emra. Bileta e koncertit për person kushton 20.000 lekë të vjetra. Por duke qenë se vetëm pak ditë më vonë, në datën 19 qershor do të organizohet koncerti i ish-vokalistes së grupit "Cranberries", Dolores O'Riordan, ata që do të blejnë bileta për të dy koncertet, do t'i marrin për çmimin 35.000. Ato mund të gjenden pranë Living Room, sportelit të Teatrit të Operas dhe Baletit, agjencisë "Joy Travel" pranë stadiumit "Selman Stërmasi" dhe në dyqanet muzikore në kryeqytet.
Zucchero
Emri i tij i vërtetë është Adelmo Fornaciari. Zucchero, me të cilin njihet në art, është një emër që i ka ngelur nga fëmijëria, kur zysha e fillores i thoshte se ishte "i ëmbël si sheqeri". Që i ri nis të punojë në botën e muzikës. Bashkëpunimi i parë i rëndësishëm për të ishte me Michele Pecora, me të cilin realizon këngën e suksesshme "Te ne vai". Pas kësaj, Zucchero tenton në Sanremo "Un po di zucchero"(Pak Sheqer) është albumi i tij i parë i realizuar në vitin 1983 me sukses. Vazhdon me albumet e tjera si "Zucchero & The Randy Jackson Band", në vitin 1985. "Rispetto" (Respekt) dhe "Blue's". Suksesi i vërtetë i tij do të vijë në 1989-ën me albumin "Oro incenso e birra", që bëhet albumi më i shitur. Ishin bërë 1 milion prenotime që para se të dilte. Mes viteve 1991-1993, Zucchero vazhdoi duetet me disa nga artistët më të famshëm në botë, si Sting, Luciano Pavarotti, Andrea Bocelli, Peter Maffay, Elton John, Brian May dhe Eric Clapton. Këngët janë të përmbledhura në albumin "Zu & Co" në 2004-ën.
Oliverta Lila - Gazeta Shqiptare











