Kopshti i vishnjave Çehovi flet shqip ne Teatrin Kombetar

Kopshti i vishnjave : Çehovi flet  shqip në Teatrin Kombëtar

Janë pikërisht 14 aktorët e sapodiplomuar të Akademisë së Arteve të udhëhequr nga regjisori Kiço Londo, që me kryeveprën e Çehovit, "Kopshti i vishnjave" mbrojtën temën e tyre në skenën e Teatrit Kombëtar më 11 dhe 12 korrik.

Bashkë me ta asistentë regjisorë dhe një skenograf, "guxuan" për herë të parë të ngjisin në skenën teatrore shqiptare një vepër me të cilën kanë dështuar edhe trupa të mëdha.

Por edhe pse aktorë "të sapodalë" në jetë, ia arritën të tregojnë se pavarësisht ndonjë të mete, pasioni dhe përkushtimi është "sfidë" edhe për aktorin më me përvojë.

Në "ëmbëlsinë e qershive"

Lule të bardha, ca trungje të prera pa degë e gjethe… Janë vishnjat, simboli i ndryshimit të klasave shoqërore. Por regjisori Londo duket se nuk ka dashur t'i japë shumë rëndësi kësaj ane, pavarësisht temës kryesore që trajton vepra e Çehovit: diferencës sociale. Më shumë se kaq ai "formësoi" një vepër ku nuk mungojnë të qeshurat përmes krijimit të situatave, batutave apo karaktereve që të ofrohen me shumicë.

Me sa duket "me qëllim", i është shmangur "gabimit" të Stanislavskit, i pari që vuri në skenë kryeveprën e Çehov. Vënie që vetë autori e quajti "dështim" për shkak të dramës së madhe brenda, kur ai vetë e konsideronte një komedi me katër akte.

Më tepër se të trajtojë probleme sociale e shoqërore, komedia (mund të themi e një lloji tjetër të hasur këto kohë në skenën tonë) ka një tonalitet "lulesh të bardha", të lehtë, e ku kushdo mund të gjejë vetveten të parë në pasqyrën e kohës. "Në vështirësinë e të harruarit të së shkuarës dhe kujtimeve të saj të zbukuruara", - siç kishte theksuar edhe më parë Londo.

Edhe skenografia është thjesht funksionale, në shërbim të idesë regjisoriale. Nuk ka dhoma fëmijësh, as krevat, tavolinë apo karrige. Gjithçka i përshtatet idesë së "udhëtimit të vazhdueshëm". Në skenë ka vetëm 10 valixhe, të cilat e paraqesin kopshtin si një stacion treni. Njerëzit zbresin, qëndrojnë për pak kohë… marrin sërish trenin, për të mos u kthyer më. Në kopshtin plot lule të bardha "vërtiten" krejt ngjarjet, që ëmbëlsisht "zhysin" të shkuarën si natyrshmëri e pashmangshme në të tashmen e një jete në ndryshim.

Ljubova Andreievna Ranevskaya (Marsela Lena), me të bijën-Anja (Aida Vangjeli) dhe guvernantia- Sharlota (Arjola Basho) kthehen nga Parisi në një provincë ruse në një gjendje jo të mirë financiare. Duan të shesin kopshtin e qershive, me të cilin i lidhin shumë kujtime. Ranevskaya është një aristokrate e rënë nga vakti, që ende nuk e pranon dot fatin e saj dhe të shtresës që përfaqëson. Në një situatë të tillë, në një mbrëmje si shumë të tjera "në tisin e vetëpërkundjes" të njeriut të mësuar me një lloj jete prej së cilës nuk shkëputet dot, më 22 gusht mësojnë se prona e tyre është shitur.

"Tronditja" lidhet për më tepër me emrin e pronarit të ri, Llopahini, një tregtar (Devis Muka), përfaqësues i shtresës së mesme të shoqërisë,(dikur i ati i tij 'muzhik' kishte shërbyer në familjen Ranevskaya) që e blen kopshtin për t'i vënë sëpatën pemëve të vishnjës.

Një dekor ku vendosen situata të larmishme, që përcjellin e përfaqësojnë thjeshtësisht përmes një teksti të bukur, ide jetësore e njëkohësisht filozofike. Për t'u përmendur janë kështu personazhi i studentit (aristokrati pa qime në kokë)- Petja Trofimovi (Klodjan Hoxha), i cili përfaqëson të riun idealist të kohës. Por njëkohësisht edhe personazh që i shton ngjyrën "e qershisë" shfaqjes me linjën e dashurisë (edhe pse: "qëndron më lart se dashuria") për personazhin e Anjas. Apo "naiviteti" lozonjar i Dynjashës (Jonida Cunga), me "lojën" e saj "vetëturbulluese" krah Pishçikut (Marvin Tafai) dhe Epihodovit (Genard Kadiu). Pa harruar plakun Pirs, të dehurin (Edmond Hafizademi), Gajevin (Doian Ramaliu) dhe Varjan (Aida Bajraktari).

Kjo është vepra e tretë e Çehovit e ngjitur në Teatrin Kombëtar, pas vënies në skenë të "Pulëbardhat" e "Xhaxha Vanja". Dhe e para kryevepër skenike, që e përkthyer prej vitesh në shqip nga Sejfulla Malëshova mundi të merrte jetë vetëm tani.

Blerina Goce  : Gazeta Matropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama