Xhimi nga Stone

Xhimi nga Stone

Në shkollën filmike "Marubi", kinemaja e atyshme të enjten mbrëma rezervon një ndër realizimet më të suksesshme të regjisorit Oliver Stone, "The Doors", një film kushtuar këtij grupi të famshëm roku dhe liderit Xhim Morrison. Në fakt, "The Doors" nuk është krejtësisht i pakonsumuar për publikun shqiptar. Llahtaria piraterike e pas ‘90-ës që vijon dhe sot, ndonëse pak e reduktuar, e futi atë në çdo aparat videokasete dhe në çdo transmetues televiziv privat, duke u shfaqur deri në mbingopje. Por, paçka kësaj, në kritikën botërore "The Doors", by Oliver Stone, mbetet nga realizimet më brilante dhe ta pakonkurrueshme deri më sot. Mjeshtëria e tij arriti të përcjellë disa vektorë ideorë dhe pasqyrues, duke nisur nga figura e Xhim Morrisonit. Filmi i kushtohet dhe frymës së shprehur në tezën hedoniste "Rok, seks dhe drogë", që për shqiptarët zëvendësoi parullën proletare, "Mësim, punë, kalitje".

Duke mbetur në botën shqiptare, filmi "The Doors" kaloi kufijtë bash në kohën kur si grup muzikor ishte në majat e preferencave. Ishte koha kur për herë të parë ishin futur në atë që quhej kulture undergraund, kaseta me hitet e famshme të repertorit të tyre, të shkrira te figura e Xhim Morrison. Ndryshe nga "Beatles"-at, "Rolling Stones"-at e "Abba"-t, "Doors"-at, nuk e kishin pasur atë popullaritet që vinte nga eteri i huaj radiofonik. Xhim Morrison si figurë dhe muzika e "The Doors" ishin një preferencë shumë elitare. Vetëm pas ‘90-ës ata u njohën plotësisht, ku figura e Morrisonit u ngjit dhe te një frymë neohipike, e cila përfshiu rininë shqiptare në vitet e para të hapjes, pasi tek ai nuk ishte vetëm muzika primare, por dhe poezia, raporti me drogën dhe me shoqërinë. Në film shfaqen të gjitha aspektet e jetës së komplikuar të Morrisonit, me të gjitha kurbat dhe amplitudat e forta të psikikës së tij. Stone, si një shkollë regjisure më vete, si një revolucionar në kinema me tematikat dhe subjektet e forta, sidomos ato biografike, ka mundur të japë një Morrison real dhe të pazbukuruar.

Ka shpërndarë me një racionalitet të gjithë shumësinë e temperamentit dhe tipareve të tij, që nga sentimentalizmi poetik deri te çartjet prozaike, të reflektuara dhe në jetën private. Tej aspektit muzikor, në film shfaqet Xhimi si qytetar amerikan, i një epoke shpërthyese në trajtat e një rebelizmi të përzier me pacifizëm. Ishte e vështirë ta përcaktoje se kujt rryme iu ngjit më i plotë Morrisoni. Në krijimtarinë e tij poetike, pati frymëzime nga Miltoni e Ginsbergu; në muzikë ai iu afrua një nënlloji të hardrokut, ndërsa jeta e tij private ishte ajo e një gjysmë hipie, ku droga u shndërrua në kolonë vertebrore dhe forcë lëvizëse e psikikës së tij. Në film, Stone e ka vendosur këtë lloj stereotipi të rrallë në raport me kolegët e grupit dhe me miken e tij, Pamela Courson. Ishte e habitshme se si njerëzit më të afërt të Morrisonit nuk i ngjanin aspak atij, ndërkohë që e kishin idhull. Dhe në këtë prizëm nuk ka qenë e mjaftueshme vetëm skalitja e një Xhimi të plotë, por dhe realizimi perfekt i personazheve rreth tij.

Ata dalin në pah po aq madhërishëm në modelet e tyre, si Ray Manzarek, organisti i grupit, një natyrë e qetë dhe e durueshme, tejet komunikativ dhe racional përballë çmendurive të mikut të tij, Xhim. Po ashtu, mikja e tij e zemrës, Pamela, një brishtësi e gjallë përballë një të çarturi gati epokal. Val Kilmer ka arritur të mos i lërë gjë mangut figurës së Xhimit. Edhe pse paraqitet paksa i konsumuar me role, në rastin e Morrisonit ai arriti një kulm karriere me realizimin perfekt të asaj figure, duke pasur në krah një Meg Ryan simpatike, e njohur për role vajzash fatkeqe, që dhe ajo rolin e Pamelës e pati si një lloj ylberi të kapërcyer në karrierën si aktore, duke pasur një bum preferencial nga shumë regjisorë që pas atij roli. Kur sheh filmin, vështirë ta kuptojë se asnjë prej personazheve nuk kanë qenë reale, siç mund të ishte rasti i pjesëtarëve të tjerë të grupit. Ray Manzarek është luajtur nga Kyle MacLachlan, John Densmore nga Kevin Dillon dhe Robby Krieger nga Frank Whaley. Pas suksesit me "The Doors" në vitin 1991, Olivers Stone do ishte në qendër të vëmendjes pas 3 vjetësh me një film tjetër të bujshëm, siç ishte ai me titull "Vrasës të lindur", me protagonistë Woody Harrelson në rolin e Mickey Knox dhe Juliette Lewis në rolin e Mallory Knox. Filmi u konsiderua afër trillerit si gjini, ndonëse mesazhi ishte tejet realist; ai i një shoqërie amerikane me kahmarrje të frikshme nga dhuna. Ndërsa vite më vonë, Stone vjen më "i lindur më katër korrik", një film ku Amerika u shfaq me madhështinë e saj epokale. Amerika, kjo ka qenë gjithnjë fabula e filmave të Oliver Stone dhe në rastin e Xhim Morrisonit ishte vetë ajo në portretin e një njeriu.


Marre nga :Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama