Të rinjtë nuk i mban karrigia, ndërsa ata më në moshë ngrihen pa drojë për të kërcyer. Një muzikë shumëngjyrëshe, pa kombësi, pa limite. Madje edhe instrumentet që prodhojnë tinguj nuk i ngjajnë atyre të zakonshmëve. Kur dëgjon se si zëri përthyhet në faqet e atyre pasqyrave metalike, me forma të çuditshme, pyet veten nëse janë vërtetë reale, apo pjesë e imagjinatës. Pas një koncerti në një nga lokalet e ish-bllokut, ku u ndoqën nga dhjetëra të rinj, grupi francez "Leda Atomica" dha një koncert në skenën e "House of Arts"në një ambient intim. Një publik jo shumë i madh në numër ndoqi për rreh një orë performancën e pashoqe të francezëve.
Me idenë që xhazi fshihet tek të gjitha zhanret muzikore, muzika e "Leda Atomica" sjellin një gërshetim zhanresh. Nga muzika klasike e sjellë përmes zërit të vokalistes së grupit, tek ajo folklorike, kur ritmet e forta të veglave të perkusionit të kujtonin vallen e Tropojës. Pastaj nga malësitë e Shqipërisë ngjiteshin në Alpet franceze e që andej mes mureve të manastireve me himne kishtare. Kthehen në tingujt tradicionalë xhaz, e më pas në një lloj hip-hopi interesant me vargjet e poetit me origjinë shqiptare, Skënder Sherifi. Pas një hyrjeje të veçantë nga katër artistët francezë, grupit i shtohet edhe klarinetisti Fatos Qerimaj, i cili përmes klarinetës së tij i shton përzierjes së ritmeve edhe ngjyrën vajtimtare. Është artistja Mimoza Ahmeti më pas që interpreton në shqip poezi të Skënder Sherifit e më tej shoqëron tingujt me zërin e saj. Këngëtarja dhe aktorja Marie Demon është ajo që i jep më tepër gjallëri skenës.
Përveçse këndon, "vë në punë" instrumentin e çuditshëm, herë-herë krijon tinguj me anë të një makine të vjetër shkrimi, kërcen si fiset afrikane rreth zjarrit, madje bën edhe flluska sapuni në ajër. Duke krijuar një atmosferë argëtuese. "Leda Atomica" interpretoi natën e parafundit të Festivalit të shtatë "Tir Jazz fest", i cili u mbyll mbrëmë me një kuartet zvicerian, në përbërje të të cilit është edhe shqiptarja Elina Duni. Në fund të festivalit të shtatë, drejtori i festivalit, Fatos Qerimaj, përshkruan rrugën që ka ndjekur aktiviteti në vite, afrimin e artistëve të huaj, vështirësitë e artistëve shqiptarë dhe mënyrën e re të komunikimit me publikun.
Sapo mbyllët një edicion të shtatë të Festivalit të xhazit, si do ta përshkruanit kurbën që ka ndjekur ai gjatë këtyre viteve?
Festivali ka prekur të gjitha momentet historike që xhazi ka në vetvete dhe është përqendruar në kualitetet më të mira stilistike. Fillimisht festivali i xhazit ishte më shumë një ide se realizim. Menduam që Tirana të ketë një festival xhazi, duhet ta ketë sepse i ka munguar si aktivitet, por edhe si mënyrë shprehejeje të artistëve. Ishte një dëshirë brenda disa individëve, por asnjëherë nuk ishte bërë publike. Kjo na nxiti që të nisim një rrugë që nuk do të ishte e lehtë. Menduam që me të gjitha mundësitë dhe ndihmën e artistëve të huaj të bëjmë një strategji dhe kemi arritur interesim dhe cilësi dhe një pjesëmarrje të mirë.
Kjo do të thotë që festivali juaj është tashmë pjesë e kalendarëve artistikë ndërkombëtarë?
Festivali është në kalendarin e aktiviteteve kulturore shqiptare, por edhe atyre të huaja.Kemi një president nderi, si Hans Johakim Roedelius, që i jep mundësi publikimi aktivitetit. Por edhe artistët e huaj, italianë, gjermanë, francezë, serbë, etj që kanë qenë pjesë e aktivitetit kanë krijuar një linjë të rëndësishme komunikimi
Gjatë netëve të festivalit, performuan artistë nga vende të ndryshme të Evropës, që sollën performanca jo rrallë herë të çuditshme…
Ne i kemi shërbyer publikut. Atyre që janë nostalgjikë ndaj xhazit klasik, tradicional, por jemi kujdesur që edhe të rinjtë të njihen me këtë rrymë. Dhe shohim që ata kanë interesa të mëdha ndaj alternativës së xhazit dhe kjo ka bërë që shumë të rinj të jenë të pranishëm. Sa i përket organizimit, ne kemi menduar që brenda tij të jenë disa netë me të gjitha alternativat që ofron kjo rrymë. Klasik xhaz, alternativ xhaz, elektronik, hip-hop, hous, që janë futur në laboratorin e xhazit, për të dhënë një performancë më bashkëkohore.
Në programin e këtij viti shohim se thuajse mungon pjesëmarrja e artistëve të rinj shqiptarë, ka një arsye pse?
Nuk është e thjeshtë të mendosh që artistët e rinj shqiptarë të jenë pjesë e një festivali të rëndësishëm dhe kaq profesional. Ne iu kemi dhënë mundësi disa herë të rinjve për të ndërtuar formacione dhe për të ofruar projektet e tyre, për të qenë pjesë e këtij festivali. Duhet thënë se ka shumë mangësi në shkollat tona. Nuk kaedukim mbi këtë lloj zhanri, duke filluar që nga Akademia e Arteve, që nuk ka ndërtuar një strategji të qartë, të plotë, për të zhvilluar kurse verore, apo pasuniversitare, në mënyrë që xhazi të jetë pjesë e programeve të AA. Çdo gjë që është bërë deri tani është falë pasionit të të rinjve dhe njohurive që ata kanë për muzikën xhaz. Megjithatë nga viti 2000-2007 kemi frymëzuar përmes këtij aktivitetei të rinj të talentuar, që duan të bëhen pjesë e tij, por edhe institucione të tjera që kanë menduar për të ndërtuar strategji të tjera. Kur lindi në fillim festivali ishte një ide për të bërë diçka të veçantë dhe tani ka klube xhazi, disa festivale xhazi. Të shohësh jashtë nga një dritare nuk është e njëjtë si të hapësh një dritare për të parë. Në këtë koncept filloi festivali. Shumë njerëz mund të shohin përmes dritares, ndërkohë që ne e hapëm atë.
Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit e zhvendosët skenën e xhazit në qendër të ish-Bllokut. Pse kjo zgjedhje?
Mendoj që realizimi i këtij festivali pati një strategji të menduar mirë dhe që duhet të jetë më gjithëpërfshirëse se një festival. Ne kemi ftuar publikun në sallat serioze siç janë skena e Teatrit të Operës, e Akademisë, Piramidës, kurse këtë herë menduam, që ne të shkojmë tek publiku. Për ta pasur më afër, për të komunikuar me të dhe për ta ftuar më tej në skenat serioze, për t'u kërkuar vëmendjen, e cila është shumë e rëndësishme për muzikën live. Ne e thamë në publik, nuk e mbajtëm për vete. U thamë që ne kemi ardhur tek ju dhe jo ju tek ne. U kërkuam vëmendjen të rinjve dhe pamë që ata ishin të interesuar për alternativën, që ofron festivali, për muzikën xhaz, mënyrën se si organizohet një aktivitet i tillë, si luhet, si krijohet një laborator për të nxjerrë një tingull emocional, një imazh të paprekur.
Alma Mile - Gazeta Shekulli











