Regjisori Orgocka nderohet ne Kiev

Regjisori Orgocka nderohet në Kiev

Këtë herë ka qenë shteti ukrainas që ka pritur me madhështi regjisorin e mirënjohur, i cili me "Amokun" e dramatizuar i është afruar Evropës në interpretimin skenik, duke marrë me vete drejt vendit të tij të lindjes një tjetër çmim të madh, atë të monodramës. Orgocka e nis tregimin e tij për monodramën që ka mahnitur publikun e huaj, duke e mrekulluar atë edhe me tingujt e shqipes, me vendosjen e personazhit në realitetin shqiptar. "Në të vërtetë, ‘Amoku‘ është një fenomen shpirtëror, që e mbërthen njeriun dhe e mban gjatë, ndoshta deri në vdekje", thotë Orgocka. Aroma evropiane nuk ka lënë jashtë dhe vendin tonë, ku arti ka ngjitur në skenë përkrah regjisorëve dhe aktorëve të huaj edhe monodramën e sjellë prej së largu nga qyteti i serenatave. "Aromën e Evropës e solla pranë shqiptarëve me ‘Amokun‘ e Cvajgut, një monodramë që është mirëpritur në Kiev. Kur u nisa për t‘u përfaqësuar me këtë pjesë nuk kisha asnjë dyshim që spektatori i Kievit do ta kuptonte dhe duartrokiste dramën e personazhit, që u mbyt në det bashkë me arkivolin e një gruaje, e cila e kishte dashur deri në vdekje.

Amoku vdes në një vend të largët, atje ku në klinikën e tij pa të hynte një grua evropiane, që i ngjalli një nostalgji për vendin e tij të lindjes, duke i rikthyer kujtime por edhe shpresë. Amoku, i cili u dashurua qysh në çastin e parë, nuk arrinte të kuptonte në ishte mall apo dashuri. Dhe unë kisha marrë me vete Amokun, që në fakt është ëndrra e shqiptarëve, të cilët larg vendit dhe për të ndjerë shijen e Evropës, mbushen me mall, dashuri, shpresë dhe nostalgji që në kontaktet e para me atë që ju kthen në kujtesë qoftë edhe një copë apo pjesë të vogël nga ndjesia për vendin që kanë lënë pas krahëve. Ishte një dramë e madhe ajo e personazhit tim të dashuruar deri në vdekje dhe kishte ngjashmëri me ëndrrat e shqiptarëve. Në fillim isha i dyzuar për gjuhën në të cilën do të interpretohej Amoku im. E kisha vendosur ta interpretoja në gjuhën shqipe, por ajo që më shqetësonte dhe më mundonte në të vërtetë ishte nëse do të kuptohej Amoku im shqiptar me të cilin kisha punuar për më shumë se 40 ditë", tregon Orgocka. "Edhe kur arrita në Kiev e kisha Amokun me vete.

Vazhdoja të përjetoja të njëjtën ndjesi që isha i gjithi brenda këtij personazhi, madje bisedoja me të", tregon regjisori Dhimitër Orgocka. Ai tregon plot emocion se teksa preku skenën bashkë me Amokun, të parin vështrim e hodhi nga salla e mbushur plot. Duhet të tregonte se sa reale ishte tragjedia që kishte përjetuar personazhi i tij. "Mora frymë thellë dhe nisa lojën me Amokun tim që fliste shqip. Shihja nëse po depërtonin emocionet e mia te spektatori dhe salla qëndronte e heshtur dhe e ngrirë. Mendoja se për shkak të gjuhës, por fundi i interpretimit nuk erdhi shpejt. U dëgjua një duartrokitje e fortë. Publiku e kishte kuptuar lojën time për ta duartrokitur, teksa vazhdoja i përhumbur në lëvizjet e Amokut. Unë kisha rënë në gjunjë dhe i lutesha, i përgjërohesha gruas që kishte ardhur nga Evropa, i tregoja se sa shumë kisha vuajtur duke qenë larg vendlindjes sime. Nuk doja të ikte, nuk doja të më braktiste. Në lojën time ajo ishte një ëndërr, një qenie mes reales dhe irreales. Salla heshti përsëri, për të vazhduar sërish me një duartrokitje të gjatë.

Pikërisht atë çast, teksa përgjërohesha në gjuhën shqipe, përsërita atë çka ndjeja unë. Kisha humbur krejtësisht në brendësi të rolit tim dhe vetëm duartrokitjet ishin ato që më zgjuan. Kisha arritur tua përcillja Amokun shqiptarëve, por ajo që më emocionoi edhe më shumë ishte momenti kur spektatorët nuk po lëviznin nga salla. Vazhdonin të duartrokisnin, ndërsa nuk donin të më linin të largohesha nga skena", thotë Orgocka. Festivali i ndjekur nga mijëra artdashës dhe artistë do të mbyllej me dhënien e çmimit. Ishte vetëm një çmim mes 12 aktorëve dhe shteteve që kishin sjellë përfaqësimin dinjitoz në monodramë. "Nuk e prisja që të merrja çmimin, pasi nuk po i kushtoja shumë rëndësi. Më shumë rëndësi për mua kishte fakti që roli ishte mirëpritur dhe kisha mundur të përcjell emocione te publiku. Kur dëgjova emrin tim në momentin që po shpallej çmimi fitues u ndjeva i lumturuar. Kisha mundur të sillja afër Evropës një pjesë të Shqipërisë dhe isha vlerësuar mes më të mirëve. Por ajo që më lumturonte më shumë ishte se Amokun tim e interpretova në gjuhën shqipe dhe gjuha e vendit tim kishte qenë e kuptueshme për të gjithë. Ajo ishte njehsuar me lëvizjet skenike dhe emocionet e personazhit, ndërsa jo vetëm spektatorët, por edhe artistët kishin mbetur të mrekulluar". Në sytë e Orgockës, që ka marrë me vete dhe çmimin e madh nuk ka ikur ende shkëlqimi për "Amokun" me një gjuhë të vërtetë teatrore, që ishte gjuha shqipe.

 

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama