Këto çmime synojnë ringritjen e situatës letrare në vend, nxitjen e përkthimeve dhe studimeve letrare. Gjithë botimet e ardhura në lëmin e një viti do të karakterizohen në gjini të veçanta dhe librat më të mirë do të jenë kandidatë për çmimet e shpallura. Ndryshe nga edicionet e mëparshme, këtë herë librat nuk do të dorëzohen pranë MTKRS, por juria e ngritur për vlerësimin dhe dhënien e këtyre çmimeve do të monitorojë përgjatë gjithë këtyre muajve tregun e librit dhe do të hulumtojë në fondin që disponon Biblioteka Kombëtare me botime të vitit 2006. Çmimet që do të akordohen janë: "Çmimi Gjergj Fishta", një çmim i cili do t‘u jepet atyre autorëve që me veprën e tyre kanë ndikuar në krijimin e vetëdijes shqiptare, të një mendimi shqiptar filozofik, sociologjik, psikologjik e letrar në të kaluarën dhe në të sotmen; "Çmimi Konica" i cili do t‘u jepet atyre kritikëve dhe studiuesve, të cilët me veprën e tyre të botuar përgjatë vitit, kanë sjellë zbulime dhe interpretime bashkëkohore në fushën e studimit letrar; "
Çmimi Fan Noli", i cili do t‘u jepet atyre përkthyesve shqiptarë dhe të huaj, të cilët përgjatë një viti kanë sjellë në nivele të larta në gjuhën shqipe vepra të rëndësishme nga letërsia botërore dhe veprat shqipe në gjuhë të huaj; "Çmimi Kuteli" i cili do t‘u jepet atyre autorëve që me veprën e tyre përgjatë një viti kanë dhënë një ndihmesë të çmuar në përsosjen e prozës së shkurtër shqipe. "Çmimi Kadare", është një tjetër çmim i rëndësishëm. Ky çmim i quajtur karriere, do të jepet për ato personalitete që me veprën e tyre romanore, kanë pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht kanë dëshmuar se letërsia shqipe është pjesë integrale e Letërsisë evropiane. Çmim tjetër do të jetë ai që mban emrin e "Migjenit". Ky çmim do t‘u jepet atyre autorëve të rinj, të cilët me krijimtarinë e tyre të botuar përgjatë një viti, kanë mundur të përcjellin te lexuesi shqiptar modele dhe një nivel të lartë letrar. "Çmimi Poradeci" do t‘u jepet atyre poetëve që përgjatë një viti kanë sjellë një risi në lëvrimin e poezisë shqipe.
Për një njohje dhe vlerësim të atyre përkthyesve të cilët kanë dhënë një kontribut me vlerë në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja krijohet çmimi "Jusuf Vrioni". Një tjetër çmim do të jetë "At Donat Kurti", i cili do t‘u jepet atyre shkrimtarëve për fëmijë që përgjatë një viti kanë sjellë krijimtarinë më të mirë në fushën e Letërsisë për fëmijë. Juria e këtyre çmimeve do të kryesohet nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari.
Marre nga : Gazeta Shqip











