Kompleksi i shtatë banesave karakteristike në qytetin e Konispolit, i cili është shpallur disa dhjetëvjeçarë më parë “Monument kulture”, gjendet në prag të rrënimit. Shtëpitë e vjetra rrezikohen të shemben, pasi po degradojnë nga dita në ditë e bashkë me to do të humbin edhe vlerat origjinale, historike e ndërtimore të tyre. Burime të komunës pohojnë se “mungesa e fondeve e bën të pamundur ndërhyrjen nga bashkia në këto banesa, por Instituti i Monumenteve të Kulturës mund të japë një rrugëzgjidhje konkrete me akordimin e fondeve përkatëse“. I pyetur për gjendjen e banesave karakteristike në qytetin e Konispolit, drejtori i Zyrës Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Sarandë, Feruz Shabani, bëri të ditur: “Nga ana jonë, gjendja njihet shumë mirë, por për fat të keq për 2007-n nuk është akorduar asnjë fond për mirëmbajtjen e të gjitha monumenteve të kulturës përfshi edhe banesat karakteristike të Konispolit, të cilat janë me vlera të rëndësishme arkitekturore, ndërtimore dhe historike”.
E vetmja mundësi sot për sot, - tha zyrtari rajonal i “Monumenteve të kulturës”, - është ndihmesa dhe kontributi i Bashkisë së Konispolit, sado simbolik që mund të jetë, në funksion të parandalimit të rrënimit të këtyre vlerave të kulturës materiale dhe urbanizmit tradicional në Konispol.
Historiani dhe arkeologu sarandiot, me origjinë nga treva e Çamërisë, Halil Shabani, duke iu referuar vlerave të banesave karakteristike të kompleksit të Konispolit, tha për gazetën “Albania”: "Mosha e shtatë banesave karakteristike, që kulmojnë me shtëpinë e Alush Takës, varion nga 100 në 200-vjeçare”.
Sipas tij, ndërhyrja restauruese është emergjente "pasi pjesa perëndimore e shtëpisë karakteristike të Takajve është pothuajse e rrëzuar, sikurse edhe çatia". Në këtë kompleks karakteristik, që ndodhet në lagjen “Shehat’ të qytetit më jugor të Shqipërisë, hasen edhe banesa me kullë si shtëpia e Dalanajve dhe e Haxhive, me vlera autentike të banesave karakteristike të trevës së Çamërisë.
Studiues dhe intelektualë nga ky qytet kanë propozuar pak kohë më parë që lagjja “Shehat”, ku ndodhen banesat karakteristike konispolate, të fitojë statusin e lagjes “Monument kulture”. Por Shabani pohon: “Edhe nëse i jepet statusi krejt lagjes, ky do të jetë thjesht një gjest honorifik, si të thuash, në kushtet kur monumente kulture, si banesat karakteristike të Konispolit, të cilat e gëzojnë këtë status prej disa dekadash, nga mungesa totale e fondeve dhe e vëmendjes së pushtetit vendor po shkojnë me shpejtësi drejt rrënimit dhe degradimit”.
Gjatë vitit 2006, me fonde të buxhetit u realizua restaurimi tërësor i kompleksit islamik të Rusanit, i njohur ndryshe si Xhamia e Gjin Aleksit. Për vitin 2007, Zyrës Rajonale të Monumenteve në Sarandë nuk i është akorduar asnjë fond për restaurime dhe mirëmbajtje monumentesh. Burime zyrtare të kësaj zyre thanë për gazetën “Albania” se rajoni, të cilin ato e mbulojnë, përfshin jugperëndimin e Shqipërisë dhe në inventar ruajtjeje dhe mirëmbajtjeje kanë 106 monumente kulture, disa prej të cilave presin prej kohësh ndërhyrje emergjente konsolidimi e restaurimi. Këto të fundit, për pak kohë, mund të dalin “de fakto” jashtë listës së monumenteve të kulturës, për shkak të amortizimit dhe rrënimit gradual.
Shkëlqim Hajno - Gazeta Albania











