Kenge termetesh

Këngë tërmetesh

Pas tërmetit të vitit 1979, thoshte se "Tërmeti tund malet, por jo shqiptarin". Pas kësaj vinin krijimet artistike, që përçonin idenë e ngadhënjimit mbi forcat a natyrës. Duke ndjekur linjën shekullore folklorike të vajeve dhe elegjive, ku vargëzohej dhimbja për një fatkeqësi, në artin e realizmit socialist ato shndërroheshin në marshe fitoresh, duke përfshirë në zhargonin tekstual dhe terma teknike, huazuar nga sektorët e fushave përkatëse, së cilës i kushtohej kënga. Fjala vjen, në rastin e ngritjes së Metalurgjikut në Elbasan, do këndohej në Festivalin e Këngës, "Përshëndetje nga furrnalta". Duke qëndruar në sektorin e industrisë së rëndë, në shumë krijime u këndohej mitit të "oxhaqeve, që ngriheshin deri në re". Në sektorin e bujqësisë, ishin të shumta motivet e këngëve, ku mitizohej figura e traktoristit apo fenomenit të brazdave, të cilat hapeshin nga vrulli revolucionar. Në periudhën kur shpërtheu lëvizja ideologjike, nën parullat "Ndërtojmë socializmin me forcat tona" dhe "Çajmë bllokadën", kënga përfaqësuese e tyre, e interpretuar në një ndër festivalet e atyre viteve, ishte "Përmbi shkëmb bukën ta prodhojmë". Në këtë krijim, lajtmotivohej dhe thirrja ideologjike: "T‘u sulemi maleve dhe t‘i bëjmë ato pjellore si dhe fushat".

Por atë botë, ky lloj realiteti i ngjizur në krijime muzikore, do ta tejkalonte përmasën tokësore. Tërmetet, ku dy të tilla në periudhën komuniste shkaktuan viktima e dëme të mëdha, u shndërruan dhe në motiv për të sfiduar fatin "hileqar" të natyrës, që në frymën e kohës, dukej se ishte i molepsur me Perëndimin armik. Në llogore, veç kontingjenteve të punës së krahut, viheshin dhe krijuesit, të njohur dhe amatorë, që vargëzonin mesazhet ngadhënjyese si përgjigje ndaj fatkeqësisë. "Lart u ngrit o Bahçallëku, më i bukur se më parë", ishte një ndër këngët që bartte mesazhin se si lagjja e njohur e Shkodrës, e rrafshuar nga tërmeti i prillit 1979, u ngrit sërish nga e para, madje dhe më e bukur: "E ngriti partia", thuhej në një frazë. Më pas, po për këtë tërmet, në festivalin e këngës të po atij viti, dy këngëtare të njohura të skenës, Ema Qazimi dhe Lindita Theodhori, do këndonin:

O ç‘u dridh toka/O ç‘u dridh qielli/vallë forcën shqiptari o ku e gjeti/përmbi tërmetet o lart, ngrihet ai/më i fortë ndihet sot/

Mbi fjalën dritë që lëshon partia/ngrihet në këmbë e gjithë Shqipëria/përmbi tërmetet o lart, ngrihet ai/më i fortë ndihet sot...

Këto vargje, që nën nota tejet entuziaste dhe me kreshendo të lartë, nuk korrespondonin aspak me kalljen e datës së përhapur gojë me gojë dhe në variant mobil/network tri ditë më parë ndër shqiptarë të të gjitha kategorive, të cilët nga frika e një tërmeti të paralajmëruar, braktisën me vërtik "llogoret e luftës" për mbijetesë në emër të jetës. Por, duke kujtuar këngët me motive tërmeti, pikaset në vizionin e sotëm, një hapësirë e gjerë motivesh krijuese, gjithsesi të njehsuara me boshtin ideologjik në frymën e realizimit socialist. Kulminacionin e këtij universi të rrallë artistik, duke veçuar gjininë e këngës, e përbën, himni i elektrifikimit me vargjet: Hëno hënë e bukuro/pse qenke mërzitur o/hënë e netëve të vona/seç të mundën dritat tona...

Ashtu sikurse në rastin e tërmeteve, sfida ideologjike që i bëhet qiellit në këtë rast është unikale. Mesazhi aspak i nënkuptueshëm, përkundrazi, me një metaforë që tenton të mos jetë e tillë, por një realitet konkret, Hëna si një planet qiellor, i largët, misterioz, tundues, nga ajo ç‘ndodh në realitetin shqiptar, katandiset në një diç të pavlerë dhe të kapluar nga trishtimi përballë llamburitjes shqiptare, nga humbja e funksionit të ndriçimit në errësirë. Por mbetet e habitshme se përse kanë munguar atë botë, krijimet muzikore kundrejt procesit të ateistizimit të vendit. Ky zhvillim i atëhershëm gjeti më tepër shprehje në libra. Ndërsa në film hasim batutën e një fshatari, që kur bëhet me djalë i drejtohet doktor Bardhylit dhe familjarëve të tij me fjalët: "S‘ka ma n‘dorë t‘Zotit, tash kena mjekë!"

Në gjininë letrare, tema e ngadhënjimit komunist mbi natyrën ishte më e përhapur e shtjelluar. Romani "Këneta" mbetet simbol i asaj lloj letërsie. Subjektet ishin nga më të larmishmet. Por, një prej tyre, ndonëse nuk pati jehonë popullore, ishte romani "Gjilpëra", me autor Guri Miçinotin, i cili, për koincidencë, ka qenë dhe një ndër shoferët e shpallur "Heronj të punës socialiste" në frontin e eliminimit të pasojave të tërmetit të vitit 1967 në Dibër dhe Librazhd. Si letrar i ardhur nga klasa punëtore, Miçinoti shkruan për dashurinë e dy të rinjve, ku djali punonte në një uzinë. Ai nis të shfaqë ftohtësi ndaj vajzës, e cila detyrohet t‘i kërkojë të vërtetën e asaj çka fshihej pas sjelljes së tij të ndryshuar, pa fjalët dhe përkëdheljet e ngrohta të dashurisë. Dhe një ditë, djali ia shpall të vërtetën që e mundonte prej kohësh; jo se nuk e donte më, porse ishte në ankth dhe vuante nga dilema se si do dilte nga prodhimi gjilpëra e parë e projektuar me shokët në uzinë!


O ç‘u dridh toka

o ç‘u dridh qielli

vallë forcën shqiptari o ku e gjeti

përmbi tërmetet o lart, ngrihet ai

më i fortë ndihet sot


Mbi fjalën dritë që lëshon partia

ngrihet në këmbë e gjithë Shqipëria

përmbi tërmetet o lart, ngrihet ai

më i fortë ndihet sot

 


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama