Hotel Franca aty ku takohet dhe ndahet dashuria

Hotel  Franca , aty ku takohet dhe ndahet dashuria

Ndarja e tyre, në po të njëjtën ditë është aprovuar edhe nga gjyqi. Të dy nuk i kanë rezistuar tundimit për të hyrë edhe njëherë te hotel “Franca”. Një bisedë intime e ngritur mbi pasionet dhe shqetësimet e një martese të përfunduar, i është përcjellë këtë fundjavë publikut të kryeqytetit nga shfaqja hotel “Franca”. Me regji të Erion Kames, premiera e dramës franceze është shfaqur të premten në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar dhe ka vazhduar të shtunën e të dielën.

Tronditja e një çifti, ndjenjat e tyre pas tre vjet ndarjeje janë përcjellë nëpë-rmjet lojës së aktorëve Yllka Mujo dhe Fatos Sela. Pjesa ka ardhur si përshtatje e veprës së dramaturges franceze Marguerite Duras që në origjinal titullohet “Muzika e dytë”. E përkthyer në shqip nga Elia, vajza e Mujos, vepra është përcjellë si një dialog intim, ku të dy personazhet kanë guxuar të prekin të vërtetat e dhimbshme. Fakti që e gjithë pjesa është ndërtuar vetëm në interpretimin e dy aktorëve, nuk ka pasur hedhje e pritje mes roleve, ka bërë që shfaqja të jetë një komunikim i afërt jo vetëm mes personazheve, por edhe me secilin që kishte zënë vend në karrige për ta parë. Yllka Mujo në rolin e Ane Roshet, ishte shprehur që para shfaqjes se ndjehej shumë komode në këtë rol. Për të ishte një karakter i ri që ajo e kishte dëshiruar.

Gjatë gjithë shfaqjes ajo ka qenë nën lëkurën e kësaj femre. Ane Roshet është një grua e bukur, e mençur, deri diku paksa misterioze, por njëkohësisht edhe e brishtë. Kujdeset deri në detaje që të jetë “e përsosur”. Qëndrimi, e folura, lëvizjet e matura dhe shpërthimet emocionale nga fundi i shfaqjes e rrezatojnë këtë. Duket se Yllka Mujo e ka zotëruar personazhin e saj, duke e krijuar të qartë portretin e kësaj femre. Në krahun tjetër qëndronte Fatos Sela në rolin e Mishel Nole. Fillimisht, ai shfaqet një burrë serioz dhe hijerëndë. Më pas veprimet e tij të lënë të dyshosh se ai po “gërryhet” nga ankthi i brendshëm. Personazhi lëkundet mes gjendjesh të ndryshueshme emocionale. Edhe pse i drejtohet ish-gruas së tij për të zbuluar të vërteta që e kanë munduar gjatë gjithë kohës dhe që nuk ia kishte shprehur asnjëherë më parë, qëndrimi i tij i ngurtë në dukje lëkundet. Në momente të caktuar ai shfaqet njeriu “i zbutur” nga ndjenjat, diku nuk luan nga mendimi i tij dhe fraza të caktuara në disa momente i veshin një ndjenjë humori, që në fakt përcjell edhe pak naivitet. E gjithë shfaqja, e zhvilluar në një linjë të qetë dialogjesh, pa tone të larta, mund të komunikonte ndryshe me çdo person që e shihte. Ndërsa e gjithë ngjarja mbante në sfond rikrijimin e hollit të hotelit, i konceptuar nga Soela Zani jo vetëm si një vend intim, por të krijon idenë edhe të një luksi që ky çift nuk mund ta shijonte më gjatë.
Takimi
Edhe pse të ndarë prej tre vjetësh, ata nuk i kanë harruar çastet e para që kanë kaluar në hotel “Franca”. Aty ku kishin përjetuar bohemën e tyre. Ane Roshet, pas një martese të mbytur nga mungesa e komunikimit, i është drejtuar një jete të re. Ish-burri i saj, Mishel Nole gjithashtu ka qëndruar në krahët e një të dashure të re. Ditën e divorcit të tyre, në hollin e hotel “Franca” i bashkon nostalgjia për magjinë e çasteve të para. Shtiren sikur ndodhen rastësisht në atë vend. Frazat e cunguara të fillimit i shtyjnë drejt një rrëfimi të thellë. Të dy gjenden aty, sepse instinkti u tregonte se mund të shiheshin.

Hezitimi i momenteve të para kthehet në një analizë të thellë e të gjatë të gjithë lidhjes së tyre. Dialogjet e përmbajtura prekin që nga çastet kur ata e dëshironin ethshëm njëri-tjetrin, deri në një hendek të thellë mes tyre. Këmbëngulja e tij e bën që Ane të zbulojë tradhtinë me një të panjohur kur kishte qenë në Paris. Pohon se këtë e bëri në çastet kur ndjehej e boshatisur dhe ai as që mundohej ta kuptonte. Ndërsa ai, ish-burri i saj shkon deri aty sa i tregon se ai kishte dëshiruar vdekjen e saj. Ai e kishte ndjekur shumë herë. Kur ajo shkonte në kinema, në lokal, në pazar, por nuk kishte zbuluar asgjë. I verbuar nga xhelozia do kishte dashur ta qëllonte me armën e blerë enkas, por nuk kishte mundur. Orët kalojnë. Gjithë nata qe një autopsi e marrëdhënies së tyre. Mëngjesi i nisi secilin drejt jetës së zgjedhur.


Marre nga : Oliverta Lila - Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama