Nis shembja e harkut te betonte ne Butrint

Nis shembja e harkut të betontë në Butrint

Gjatë ditës së djeshme janë ngritur skelat, mbi të cilat do të qëndrohet për të realizuar shembjen e restaurimit që zgjoi polemika. "Nuk është ndonjë dëm i jashtëzakonshëm", ka deklaruar për mediat dje nga Butrinti Baçe. Sipas tij, harku është një element i çmontueshëm dhe kjo do të bëhet. "Nuk ka ndonjë pamje të bukur, por nuk është edhe ndonjë katastrofë", ka vlerësuar Baçe për restaurimin e bërë sipas një projekti, i cili u zbatua jo sipas
kërkesave të shkollës së restaurimit.

Për çmontimin e harkut dje është ngritur armatura, e cila do ta ruajë mjedisin arkeologjik nga dëmtimi. Baçe ka
shpjeguar se në ditë në vijim ndoshta qysh sot, do të përdoret vinçi, i cili do ta heqë masën që "stonon" me sitin arkeologjik të Butrintit në mënyrën se si u ndërtua dhe lëndët që u përdorën.
Kreu i Institutit të Monumenteve ka qenë realist kur ka deklaruar se "ndërtimi përbëhet nga tre elemente,
ku vetëm pjesa e mesit në hark është origjinale, ndërsa dy pjesët e tjera janë beton" dhe se "kemi të bëjmë vetëm me një pjesë që është ekzistuese 10 për qind dhe 90 për qind është bllok betoni, i cili nuk ka asnjë cilësi tamam si duhet". Ai ka siguruar se shembja e harkut do të bëhet pa krijuar ndonjë problem, pasi janë përcaktuar të gjitha detajet se si do të operohet.

Drejtori i IMK, Apollon Baçe, ka ritheksuar se "këtu ka diçka që nuk funksionon tamam si duhet", duke bërë fjalë për skemën e shërbimit të monumenteve. Ai ka shpjeguar se ngërçi qëndron në atë që "projekti bëhet nga dikush, zbatohet nga dikush tjetër dhe kontrollohet nga dikush tjetër". Këtë ai e ka quajtur një skemë që stonon dhe se është biseduar me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për të arritur në një skemë më
racionale.

Në një vlerësim të fundit prof. Apollon Baçe ka pohuar se nuk është ndonjë gjë e bukur, me të vërtet dëmton, është një trup i huaj që futet në Butrint dhe natyrisht që do të hiqet, por nga ana tjetër ndonjë dëm nuk ka". Gabimi është bërë pa dëshirë, por duke mos plotësuar ato kritere, se projekti duhet përgatitur medoemos në vend dhe në momentin kur shihet se mungojnë pjesët, atëherë duhej të ishte hequr dorë", ka përfunduar Baçe.
Nga specialistët mendohet që puna konkrete për çmontimin e harkut të përfundojë brenda ditës së sotme, por nuk ka asnjë version tjetër përveç përdorimit të vinçit, që nuk dihet nëse do të shkaktojë ndonjë dëmtim të ri në Butrint.

Në prononcimin e tij për mediat, drejtori i fondacionit "Butrinti", Rupert Smith u shpreh se ishte në dijeni të projektit qëkurse ka nisur dhe gjatë gjithë zhvillimit të tij gjatë muajve të dimrit. Ai tha se ndërkohë ka qenë i
informuar që projekti do të zbatohej në bazë të gurëve origjinalë. "Dua të bëj të qartë edhe njëherë, që ky është një projekt që nuk ka të bëjë me fondacionin ‘Butrinti‘", ka sqaruar Smith.

Sipas tij, fondacioni "Butrinti" nuk ka lidhje as edhe në financimin e këtij projekti. "Ky është një projekt, që është financuar nga Parku Kombëtar i Butrintit dhe i mbështetur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës", ka deklaruar ai. Që në momentin e parë që harku i kompozuar u bë i ekspozuar pas heqjes së armaturave, atëherë unë menjëherë kam konstatuar që projekti nuk dukej mirë dhe kemi menduar që të bënim heqjen e tij, pra zbërthimin e pjesëve të reja të shtuara dhe kjo po realizohet sot", është shprehur Smith. Sipas tij, "ne gjithmonë jemi shprehur që harku i shtuar duhej të hiqej". Ndërkohë, ai ka uruar që në të ardhmen të ketë bashkëpunim të mirë mes institucioneve përkatëse, në mënyrë që të mos arrihet më në rezultate të tilla.

Marre nga Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama