Aktiviteti do të marrë startin në datën 16 prill për t'u mbyllur në 22 prill. Gjergj Prevazi, drejtor artistik i këtij festivali, e ndërmori këtë nismë një vit më parë, si një sfidë për ta bërë të pranishëm edhe te publiku shqiptar dancin kontemporan. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan, për momentin është i pari aktivitet në llojin e tij. Prevazi e nisi me idenë për ta kthyer në një festival të përvitshëm. E në këtë mënyrë, për të krijuar edhe një traditë në këtë zhanër.
"Danci modern sot është i njohur në të gjithë botën, por i përjashtuar nga politikat mbështetëse kulturore", - është shprehur ai. Në këtë edicion të dytë trupat e përzgjedhura vijnë nga Maqedonia, Italia, Serbia, Kanadaja, Zvicra, Suedia, Franca dhe Holanda. Pjesëmarrësit e "Dance Meeting 2007" në shumicën e tyre janë kompani të pavarura të dancit modern, kontemporan dhe dance - teatër. Por përveç performimeve që do të sjellin trupat pjesëmarrëse, është menduar që gjatë javës të ketë workshope dhe diskutime mbi dancin dhe hapësirat që kjo lloj rryme tenton. Gjithashtu, pas shfaqjeve do të ketë edhe konferenca shtypi për të diskutuar mbi performimet e secilës trupë. Ndonëse të përkufizuara brenda rrymës së dancit, çdo koreografi sjell diçka të veçantë në konceptimin e saj.
Programi
Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan, "Dance Meeting 2007" do të çelet në mbrëmjen e 16 prillit. Në orën 19.00 do të organizohet ceremonia e hapjes së festivalit, e cila do të pasohet me shfaqjen e pare, "Albana ose sytë mavi". Tashmë kjo pjesë është prezantuar për publikun e kryeqytetit. "Albana ose sytë mavi" erdhi si premierë e realizuar nga koreografja e njohur franceze në këtë zhanër, Karine Saporta në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Dita e dytë do të nisë në orën 10.00 me një konferencë shtypi, e cila do të organizohet gjatë gjithë ditëve në po të njëjtin orar. Më pas do të vazhdohet me workshop të realizuar nga koreografja holandeze Noortje Bijvoets, e njohur për realizime të shumta të saj si dhe mësimdhënie në dancin kontemporan.
Gjithashtu, pjesë e workshopeve do të jetë edhe Nasser Martin-Gousset, i diplomuar në Lion të Francës. Në orën 19.00 do të shfaqet pjesa "(Not )close", me koreografi të maqedonasit Kire Miladinoski. E interpretuar prej tij dhe prej balerinës Viktorija Ilioska, pjesa është një eksperiment, një këndvështrim i koreografit mbi hapësirën dhe lumturinë e dy njerëzve që janë të mbyllur ose jo. "La Volupte d'etre" e Paul Ibey nga Kanadaja dhe "Prelude" nga Miona Petroviç, Serbi, janë dy shfaqjet e datës 18 prill. Pjesa e pare, që interpretohet po nga Paul Ibey, është ndërtuar mbi të dhënat e jetës së markezës Luisa Casati, e cila ka jetuar në vitet 1881-1957 dhe është një përpjekje për të kuptuar mugëtirën që qëndron mes jetës reale dhe iluzioneve. Miona Petroviç në performimin e saj, kërkon të tregojë raportet e muzikës, kërcimit dhe trupit të njeriut. Në çfarë raporti qëndrojnë ata me njëri-tjetrin? Në datën 19 prill do të shfaqet pjesa e Laura Tanner, nga Zvicra, e ekzekutuar nga kompania e baletit me të njëjtin emër.
Programi do të vazhdojë në datën 20 prill me pjesët "Merchandise" dhe "Domestique", të realizuara nga italiania Ambra Senatore dhe pas saj, kompania suedeze, "Rytm Ba Company" do të interpretojë "Rytm Ba 2". Dita e fundit do shfaqë për publikun një pjesë të realizuar nga francezi Nasser Martin-Gousset, në bashkëpunim me trupën shqiptare të dancit dhe teatrit. Edicioni i dytë i këtij festivali do të mbyllet me pjesën "De Noorderlingen dancen", që vjen nga Holanda me koreografi të Feri de Geus. Ceremonia që do të zhvillohet në orën 22.00, do të shënojë edhe mbylljen e festivalit të dancit.
Oliverta Lila - Gazeta Shqiptare











