Rikthimi i Nadirit në tregun farmaceutik dhe e kaluara e tij e errët. –

4 Shkurt 2019

Gazeta Shqip

Gazeta Shqip Online publikoi para pak ditësh lajmin se një kompani farmaceutike kishte hedhur në treg një antibiotik të rrezikshëm me efekte anësore dhe të parikuperueshme.

Shqip mësoi se këto barna u futën nga kompania farmaceutike CFO PHARMA, e cila dikur mbante emrin OMEGA PHARMA. Bëhet fjalë për Kinox Ciprofloxacin e cila tregtohet në doza të ndryshme, 250 mg, 500 mg, 750 mg, e denoncuar nga Agjencia Europiane e Barnave.

Administratori i kësaj kompanie është Nadir Çausholli, një emër jo i panjohur për drejtësinë dhe opinionin publik, pasi në 2015-ën u akuzua se ishte përfshirë në një skemë mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve me kompaninë e tij, OMEGA PHARMA, duke i shkaktuar shtetit 2.2 milionë euro dëme për periudhën janar 2012 – tetor 2015.

Pas disa viteve nëpër gjyqe, Çausholli fitoi pafajësinë dhe iu rikthye sërish biznesit të farmaceutikës, me një emër të ri, CFO PHARMA.

Por si u zbulua skema e Çaushollit në vitin 2015?

Pas përfundimit të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, biznesmeni i ri arrestohet së bashku me tre punonjës të kësaj kompanie, Arjola Piperaj, Laureta Kushova dhe Blerina Qatja, të cilat u akuzuan për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “mashtrimit”.

Akuza ishte për një skemë të dyshuar mashtrimi vetëm për dy lloje ilaçesh (insulinë dhe ketosteril), pasi në hetim ishte edhe përfshirja në rimbursim në mënyrë të paligjshme e disa llojeve të tjera barnash.

Sipas hetimit të Prokurorisë Tiranë, rezultoi se “Omega Pharma” kishte shpërndarë receta të falsifikuara tek farmaci të ndryshme dhe këto të fundit i kanë paraqitur recetat për rimbursim tek Fondi Rajonal i Kujdesit Shëndetësor Tiranë, duke tërhequr në total shumën e sipërcituar për dy llojet e ilaçeve.

Edhe gjatë kohës së qëndrimit të tij në burg, në vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë tender kompanisë së tij OMEGA Pharma për blerje ilaçesh, e shpallur në 2 nëntor.

“Buletini i prokurimeve publike” nr. 43 datë 2 nëntor 2015, Ministria e Shëndetësisë njoftoi kompaninë “Omega Pharma group shpk” me NIPT L01529009P, për tenderin me Nr. Ref: 396/ 14.09.2015, me objekt “Blerje barna për nevoja spitalore shtesë, deri në fund të vitit 2015, me fond limit në total: 41 milion 380 mijë e 291 lekë të reja pa TVSH, paguar me fonde nga buxheti i shtetit 2015/shpenzime. Po kështu “Omega Pharma Group shpk” me Nipt L0129009P, adresa: Tiranë, Kashar, “Kthesa e Kamzës”, përballë “Casa Italia” se është shpallur fituese edhe për ofertën e paraqitur në “Lotin 8”, me vlerë në total 685 mijë e 790 lekë pa TVSH”.

Pra, edhe pse ai përballej me disa akuza në dëm të shtetit, Çausholli vazhdonte të përfitonte para për tendërë publikë nga kompania e tij.

Pas disa sencash gjyqësore dhe pa shumë zhurmë në media, 39-vjeçari i lindur në Tiranë, del i pafajshëm nga gjykata dhe rinis sërish biznesin e tij të tregtimit të barnave farmaceutike.

Me vendim të Gjykatës së Tiranës, kompania e tij u ndalua që të tregtojë ilaçe të rimbursueshme për 3 vjet, por ai ia ka dalë që të aktivizojë një kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor vetëm pak muaj pas dënimit, pasi e transferoi kompaninë nën ombrellën e një marke të re.

Babai i tij mori administrimin dhe pronësinë e “Omega Pharma” pasi i biri, Nadir Çausholli u shpall fajtor dhe u dënua me 2.6 vjet burg të pezulluara me kusht për veprat penale të falsifikimit dhe mashtrimit me tregtinë e ilaçeve të rimbursueshme-aktivitet që sipas vendimit të Gjykatës ishte kryer në dëm të FSDKSH.

Në vendimin e korrikut 2016, Gjykata e Tiranës dënoi edhe kompaninë “Omega Pharma”, duke i hequr asaj të drejtën e tregtisë së barnave të rimbursueshme dhe të lidhjes së kontratës me FDSKSH për 3 vjet.

Por si për ironi të fatit, kompania e tij farmaceutike e re, CFO Pharma, mori çmimin si biznesi më i mirë i vitit nga Dhoma e Tregtisë dhe Bashkia Tiranë. Një vlerësim i çuditshëm, duke parë kalvarin e gjatë të akuzave për dhënie tenderësh në mënyrë të paligjshme dhe së fundmi futjen në treg të antibiotikëve të rrezikshëm, që shkaktojnë deri dhe sëmundje vdekjeprurëse.

Gazeta Shqip pritet të publikojë në vijim fakte të reja për abuzime në sektorin e barnave nga kompania e Nadir Çaushollit, tashmë me një “maskë” të re, CFO Pharma.

Gazeta Shqip