Maks Velo

Maks Velo dhuron punët e tij kushtuar vëllezërve Ivanaj. –

Nga: Ben Andoni

 Artisti Maks Velo ka dhuruar 7 vepra të realizuara në kohë ndryshme që, sipas tij, u frymëzuan nga personaliteti i Mirash Ivanaj, me jetën e të cilit lidhet vuajtja e përbashkët si një ish i burgosur politik gjatë ditëve të errëta të Shqipërisë. Veprat ndryshojnë në madhësi dhe në llojin e artit, nga skica të vogla me laps mbi letër, tek dy të mëdha te skicuar me qymyr druri dhe bojë vaji…

Respekti i madh për vëllezërit Mirash dhe Martin Ivanaj e kanë bërë krijuesin, piktorin e njohur dhe publicistin që t’i dhurojë Fondacionit Ivanaj në Tiranë disa punë të tij, kushtuar vëllezërve Ivanaj. Drita Ivanaj, e bija e Martin Ivanaj, themeluesja e fondacionit M&M Ivanaj e ka vlerësuar këtë dhuratë por ka ndarë dhe shumë përshtypje për punën dhe kontributin e tij, duke apeluar që shoqëria shqiptare ta kultivojë këtë ndjenjë. Maks Velo ka dhuruar 7 vepra të realizuara në kohë ndryshme që, sipas tij, u frymëzuan nga personaliteti i Mirash Ivanaj, me jetën e të cilit lidhet vuajtja e përbashkët si një ish të burgosur politik gjatë ditëve të errëta të Shqipërisë. Veprat ndryshojnë në madhësi dhe në llojin e artit, nga skica të vogla me laps mbi letër, tek dy të mëdha te skicuar me qymyr druri dhe bojë vaji. Të gjitha punët e piktorit të njohur janë realizuar falë disa fotografive që janë shfaqur në vitet e fundit në artikujt e gazetave që ilustrojnë jetën dhe punën e Mirash Ivanaj për vendin e tij: Shqipërinë.

Punët, që janë realizuar në pastel dhe në vaj, të përmasave të ndryshme janë vendosur tashmë në mjediset e këtij fondacioni dhe përbëjnë një dëshirë të kahershme të autorit në nderim të Mirash Ivanajt. Në fakt, Z.Velo, me angazhimin e tij të përhershëm publik është munduar që të japë mesazhe në të gjitha fushat. Ato rrokin nga apelet publike, por edhe krijimet dhe sidomos shkrimet publicistike për problematike të ndryshme. Në rastin tonë, ai përgatiti një cikël, kushtuar personalitetit të madh Mirash Ivanaj. Një personazh i jashtëzakonshëm, që e ka bërë për vete arkitektin dhe piktorin e njohur, e të cilit i ka kushtuar këtë cikël. Mirash Ivanaj është një figurë shumë dimensionale dhe që me kujdesinë e tij iu dedikua arsimimit shqiptar dhe reforma e tij synonte të prekte thelbin e strukturës së paditurisë shqiptare. Por, ai nuk u mjaftua me kaq: ai donte të ngrinte një strukturë jetëgjatë që ta rregullonte të gjithën këtë. Me personalitetin e lartë por më shumë nga të gjitha: konceptet e qarta arriti të vendoste themelet e arsimit modern shqiptar. Fati i jetës nuk u tregua dashamirës me të, por për të gjithë njerëzit ai mbetet një nga pikat e referimit për dinjitetin tonë. Kjo është fillesa e veprimit të pabujshëm të piktorit dhe publicistit të njohur. Jeta dhe fati i Mirash Ivanajt përfundoi në mënyrë tragjike, i trajtuar shumë keq nga regjimi në fuqi, të cilit i besoi verbërisht, kur besoi se mund të punonte nën të, falë idealizmit të saj. Maksi e ka trajtuar me një kujdes, falë atyre imazheve që kanë mbetur, duke përshfaqur dhe nderimin e tij. Nuk e ka braktisur stilin e tij duke e përshtatur dhe imazhin e mësuesit të njohur për korpusin e tij artistik…

Maks Velo

Mirash Ivanaj haset pak e gjithnjë e shumë pak në literaturën tonë. Falë Fondacionit dhe punës së tij të pareshtur, veprimtaria e tij dhe e të vëllait, një personazh po ashtu me shumë vlera, hera-herës del emri i tyre, por mesazhet reale të dy vëllezërve Ivanaj kanë humbur dhe madje, janë harruar. Madje, edhe atë ditë vjeshte, 65 vjet më parë, kur do të ndërronte jetë, ai pothuaj ishte harruar. Kurrë nuk mund të kesh trishtim më të madh në të gjallë sesa të harrojnë. Kjo i ndodhi, njërit prej personaliteteve më të jashtëzakonshme të kulturës dhe arsimit shqiptar. I sfilitur, i stërmunduar, bashkëkohësit, kujtonin se të ndjerit i dukej më mirë të qëndronte në burg sesa të dilte jashtë hekurave ku nuk e priste askush. Artikullshkruesit e jetës së tij pohojnë se ai i drejtoi një letër drejtorit të burgut për t’i kërkuar ta mbante ende sepse nuk kishte asnjë të ardhur për të jetuar dhe po ashtu asnjë vend se ku mund të qëndronte. Dhe “u shpërblye” realisht, pasi më 22 shtator të vitit 1953 do të ndërronte jetë vetëm12 ditë para mbarimit të afatit të dënimit të tij. Ishte 62 vjeç. Atëkohë, një moshë e denjë për moshën e tretë.
Dhurata e Maks Velos na kujton se ekzistojnë sërish njerëz që mbrujnë mesazhe, por edhe që nderojnë dhe me anë të këtij akti kujtojnë shqiptarët se puna e idealistëve nuk vdes asnjëherë. Ja pse dhurata e bukur e Velos, përjetësuar me 7 vepra, është kaq e lartë si akt.

Nga Gazeta Shqiptare