Regjistroni domainin tuaj .al

Tartaret e Krimese, rigjallerim i ngadalte

Shkruar nga:  
Postuar më: 2 vite më parë

Tartaret e Krimese, rigjallerim i ngadalte
Tartaret e Krimese, rigjallerim i ngadalte

Shatërvani me mermer të bardhë i përshkruar prej Pushkinit është ende aty, duke lëshuar një fije të hollë uji si lot, sërish dhe sërish
Në dyzet vitet e kaluara atdheu i tyre pati ndryshuar. Shtëpitë e tyre qenë zënë nga të tjerët, shumica rusë e ukrainas, të cilët nuk kishin dëshirë të largoheshin prej tyre.

Pas persekutimit gjatë periudhës sovjetike, tartarët e Krimesë janë rikthyer në shtëpinë e vet në Ukrainë ku po përpiqen të rindërtojnë jetët e veta.Rustem Eminov, tashmë në mes të dyzetave, u dërgua në azil kur qe vetëm tre muajsh. Familja e tij u detyrua të largohet nga Krimeja dhe u vendos diku larg në Azinë Qendrore. Vetëm kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, kur ai qe rreth të njëzetave, Eminov më në fund u lejua të jetojë në vendlindje.

Duke kaluar nëpër duar kupa të shumta me çaj në dhomën e tij ndërsa dielli i fortë është duke rënë, ai tregon historinë e vet. Si shumë tartarë ai u rrit në ekzil. Tashmë është një specialist në historinë e tartarëve të Krimesë dhe punon si drejtor i etnografisë në Rezervatin e Kulturës dhe Historisë në qytetin e vjetër të Bakshisarajit në Krime.

Një burrë i pashëm dhe i rruar, me një buzëqeshje në fytyrën e vet e me sjellje të hapur, unë dhe bashkëshortja ime e takuam në zyrën e tij të vogël përtej hendekut të pallatit të vjetër të Khanit, – sundimtarit të fundit mysliman të Krimesë. Ky kompleks është edhe një nga të paktat monumente që kanë mbijetuar nga populli i tartarëve.

Pavarësisht ekzilit, Eminov pranon se është një nga të paktët tartarë me fat. Shumë të tjerë patën vuajtje të tmerrshme.

Më 1944, Stalini vendosi të dërgojë të gjithë popullatën tartare të Krimesë në internim. Justifikimi për këtë ndëshkim kolektiv të burrave, grave e fëmijëve të të gjitha moshave qe se ata besohej se patën bashkëpunuar me forcat pushtuese gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth 200 mijë njerëz u futën me dhunë në trena dhe u dërguan, në pjesën më të madhe, në Uzbekistan.

Ajo që pasoi qe katastrofa. Gati gjysma e popullatës vdiq brenda një viti. Ata u detyruan të jetojnë në zona që Eminov ironikisht i quan “rezervate”.

Duhej të prisnin vitet ’60, që qeveria sovjetike të zbuste qëndrimin e vet ndaj tyre. Akuza për bashkëpunim u rrëzua dhe më 1967 tartarët e Krimesë u falën. Por sërish nuk u lejuan të kthehen në shtëpi. Vetëm në vitin 1987, kur Presidenti i Rusisë, Mikhail Gorbachev, filloi reformat e tij, tartarët më në fund u lejuan të kthehen në Krime.

Por në dyzet vitet e kaluara atdheu i tyre pati ndryshuar. Shtëpitë e tyre qenë zënë nga të tjerët, shumica rusë e ukrainas, të cilët nuk kishin dëshirë të largoheshin prej tyre.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, shumë pak tartarë ia dolën të tërheqin pasurinë e vet nga Uzbekistani.

“Thjesht imagjino se çfarë ndodh me çmimin e apartamenteve nëse 200 mijë njerëz lëvizin në të njëjtin drejtim njëkohësisht”, thotë Eminov. Familjet duhej të fillonin nga zeroja.

Dëgjova një histori të tillë nga një burrë me emrin Ruslan, i cili nuk pranoi të jepte mbiemrin e vet. I lindur në Uzbekistan, ai qe 10 vjeç kur familja e tij arriti të kthehet në Krime. Punoi fillimisht si bari në një kolkoz, një fermë kolektive në stepat e Krimesë së Veriut. Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, ferma kolektive u rrëzua.

Pa shumë arsimim dhe pa ndonjë aftësi të tregtueshme – nuk është se ka shumë nevojë për barinj në Ukrainën e ditëve tona – Ruslan zbriti poshtë në bregdet dhe tashmë punon si shofer.

Tartarët e Krimesë kanë nisur biznese të vogla, por rigjallërimi i kulturës së tyre është një punë shumë më e vështirë. Një nga problemet më të mëdha është se shumë pak gjëra kanë mbijetuar.

Krimeja ka qenë gjithmonë një tokë lufte. Shumë fuqi kanë kaluar apo e kanë mbajtur të pushtuar përgjatë shekujve.

Ushtritë e Rusisë e kanë shkatërruar dy herë Bakhçisarajin. Gjithsej kanë mbijetuar shumë pak shtëpi private apo xhami që po zhyten në rrugët dytësore të qytetit – si dhe pallati madhështor i khanëve.

Në vitet 1820, rreth 40 vjet pas përfundimit të Khanatit të Krimesë, shkrimtari rus, Aleksandër Pushkin, vizitoi këtë pallat dhe shkoi një poemë mbi dashurinë e palumtur të Khanit të Krimesë për konkubinën e tij polake.

Shatërvani me mermer të bardhë i përshkruar prej tij, është ende aty, duke lëshuar një fije të hollë uji si lot, sërish dhe sërish.

Lidhja me poetin kombëtar të Rusisë duket se e ka ndihmuar ruajtjen e këtij shatërvani të vogël dhe melankolik dhe aty pranë është shtuar busti i mërzitshëm i Pushkinit, por kjo mjaftoi për të shpëtuar nga shkatërrimi të gjithë kompleksin me dhoma, oborre e kopshte.

Rigjallërimi i kësaj popullate është i vërtetë, por sërish i dobët. Eminov flet për presionin fetar dhe është i shqetësuar se, pavarësisht Kushtetutës laike të Ukrainës, në praktikë shteti favorizon kristianizmin dhe madje edhe financon ndërtimin e kishave.

Shumë tartarë u arratisën për në Perandorinë Osmane në shekullin e 19-të dhe tashmë qeveria e Turqisë po paguan për një medrese të re, – një shkollë fetare – dhe në një projekt të përshkruar si “rindërtim arkeologjik” – po ndihmon mirëmbajtjen e objekteve ekzistuese.

Gjithsesi, ndërsa qëndrojmë në tarracën e Bakhçisarajit në një restorant ku shijohen gatimet me zemër nga Azia Qendrore, shqetësimet e mia mbi të ardhmen kulturore fillojnë dhe largohen. Tartarët janë sot në shtëpi. Ata janë me të vërtetë të mbijetuar.

Kush janë tartarët e Krimesë?

Flasin një gjuhë të familjes Turkiç dhe kuptojnë turqisht
Në shumicë janë myslimanë suni
Kanë një diasporë të madhe në Turqi
Rreth 250 mijë jetojnë aktualisht në Krime

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi