Shpellat nje Shqiperi ende e pazbuluar

Shpellat, një Shqipëri ende e pazbuluar

Jemi vend unikal në këtë drejtim, thotë Zeqo. Në Shqipëri nuk ka as katalogim zyrtar e as ndonjë instancë që mund të merret me shpellat si pasuri e kombit. Madje në këtë pikë, sipas Zeqos, nuk e njohim atë që mund të konsiderohet Shqipëri e dytë, që është ajo e fshehta, e pazbuluara, mistikja dhe burimorja. Sepse, thotë Zeqo, miku i tij amerikan, Peter Febrorielli, mori me vete kampionë bloze nga shpella e Pirogoshit në Skrapar, për të zbuluar një fakt të hamendësuar, por shumë afër të vërtetës sipas të dhënave: që në viset Shqiptare mund të jetë ndezur zjarri i parë në Evropë; ose që Shqipëria të ketë qenë ndër vendet e para në kontinent ku është ndezur zjarr. "Peter Febrorielli ishte mjeshtër dhe që në fazën fillestare të studimit të një kampioni mund të nxirrte një konkluzion", thotë studiuesi Zeqo. Të dy bashkë, të financuar nga drejtori i muzeut privat, "Mezuraj", Eduart Mezuraj, ndërmorën një udhëtim studimor një muaj më parë drejt shpellës së Pirogoshit e kanioneve të Osumit në Skrapar e atyre të Vjosës. Atje ka pasuri me vlera të jashtëzakonshme, thotë Zeqo. Ndërsa për shpellën e Pirogoshit, që është më e gjata në Shqipëri, gati 2 kilometra, Zeqo shprehet se aty ka një lloj pasurie të madhe flore dhe faune. Për shembull, profesori amerikan kishte hasur në një salamandër nëpërmjet së cilës mund të përcaktonte nëse në gjatësinë e shpellës kishte ndonjë dalje tjetër. Por aty, amerikani Peter Febrorielli kreu dhe studime të kulturave mikrobike, ngase sipas Zeqos ishte i interesuar për shërimin e një sëmundjeje të quajtur Lyma. Dhe i gjithë ai "shok" mahnitje dhe befasie që kishte pësuar studiuesi i huaj, kishte rezultuar me premtimin për të sjellë një ekip xhirimi të "Discovery Channel" në Shqipëri. Që aty, Febrorielli ka marrë dhe kampionet e hirit për t‘i kaluar në studim laboratorik, për t‘i vënë një datë ritit të domosdoshmërisë praktike të ndezjes së zjarrit që shënjohet dhe si fillim i jetës njerëzore.

Mirëpo sa të rëndësishme janë shpellat në lëmin e studimeve historike? Më tepër në lëmin e antropologjisë, shprehet studiuesi Zeqo. Shpellat dhe speleologjisë janë burimi kryesor për zbulimet antropologjike, sipas Zeqos, që sjell si shembull rastet e zbulimeve të mëdha në shpellat në Alfamilos të Spanjës dhe Laskose të Francës, ku bëhej fjalë për një qytetërim prehistorik. Njeriu jetonte në shpella dhe aty e ngjizi jetën, ndaj dhe studimet antropologjike nuk mund të nisen tjetër veçse nga studimi i qytetërimit të shpellave. Po rasti shqiptar? Është ndër handikapët më të mëdhenj mungesa e speleologjisë në Shqipëri, si një shkencë që ka një objekt të vetëm, siç janë shpellat, por me objeksione të gjëra. Dimensioni kulturor është një prej tyre. Zeqo thotë se ka një shoqatë speleologësh që drejtohet nga Gëzim Ruci, një njeri që ka shkuar deri në Polin e Veriut, por që tani është paralizuar. Pra, ka njerëz që tërhiqen nga kjo fushë, por në nivel zyrtar e institucional në Shqipëri nuk ekziston speleologjia. Madje nuk ekziston asnjë hartë zyrtare e vendndodhjes së shpellave në Shqipëri, ndërkohë që ato kanë qenë objekt studimi ndër vite, por më shumë nga të huajt. I vetmi shqiptar që i ka studiuar ato e madje dhe i ka botuar në një libër, sipas të dhënave të Zeqos, është mesjetologu i njohur Theofan Popa. Ky i fundit është marrë më shumë me shpellat eremite, të cilat bëheshin strehë e murgjve të vetmuar e në to ekziston një pasuri e jashtëzakonshme pikturash e afreskesh. Janë rreth 70 shpella të tilla në territorin shqiptar, ku ndër më të njohurat janë tre të tilla, pra shpella eremitësh, në Kollomoç afër Prespës. Mesjetologu Popa kuptohet që është marrë vetëm me aspektin fetar të tyre dhe jo me pasuri të tjera. Por ç`pasuri të tjera kanë shpellat që mund të luajnë dhe rolin e parqeve kombëtare? Studiuesi Zeqo sjell si shembull të gjitha vendet evropiane që jo vetëm e kanë të zhvilluar shkencën e speleologjisë, por dhe kanë marrë në mbrojtje me ligj të gjitha shpellat, pas një regjistrimi dhe katalogimi të imtësishëm. Specifikisht ai i referohet shembullit të Kroacisë si një vend shembull në këtë drejtim. Por të vijmë më afër akoma, në Kosovë. Atje ndodhet shpella e famshme e Gadinës, e shndërruar në muze. Sigurisht, ajo është dukshëm një shpellë përplot stalaktite dhe stalakmite, por dhe në Shqipëri ka të tilla, thotë Zeqo. Ai përmend një serë shpellash të cilat i ka shkelur gjatë ekspeditave të ndryshme, sidomos në veri, ku janë gjetur të dhëna jete në lashtësi. Sepse, siç pretendon Zeqo, edhe për kulturën tonë ka shumë rëndësi studimi i kulturës së zjarrit që i paraprin neolitit dhe që gjendet pikërisht në brendësi të shpellave. Ka ardhur koha që ato të katalogohen dhe merren në ruajtje, thotë Zeqo. Të marrin statusin e parqeve kombëtare e të shndërrohen në vende atraktive për vizita turistike dhe studimore. Zeqo tregon se në një shpellë në trevën e Skraparit ndodhet një afresk me gjurmët e plumbave të një automatiku. Ndërsa andej nga Kurveleshi ka hasur në një njeri që e kishte kthyer shpellën në depo private. Kështu mund të katandisen një ditë të gjitha shpellat dhe vlerat që gjenden në to dhe "Discovery Channel" mund të vijë në Shqipëri për tjetër motiv xhirimi: se si në një vend evropian si Shqipëria njerëzit kanë kaq pak respekt dhe kujdes për vendin e tyre. Studiuesi Zeqo thotë se një ndër ushqyesit e krenarisë kombëtare te një popull (përveç ndeshjeve të Kombëtares së futbollit) është zbulimi i pasurive që fsheh toka, që mund t‘u prezantohen të huajve si vlerë e atij vendi. Në rastin e shpellave, Zeqo thotë se aty fshihet Shqipëria e dytë, për nga vlerat gjithmonë. Një Shqipëri që duhet zbuluar, ruajtur e prezantuar për hir të krenarisë që ajo të mos mbetet kurrë boshe dhe kallp.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama