Nje muze per Garden pa udheheqesit politike

Nje muze per Garden, pa udheheqesit politike

Në krah të Pallatit të Brigadës në ambientet e Komandës është rikonceptuar Muzeu i ri i Gardës së Republikës. Për të na treguar rreth punës që është bërë për rikonceptimin e tij, takojmë  major Agim Deliun, aktualisht shef i Marrëdhënieve me Publikun pranë Komandës. Pasi çel derën e Muzeut të bien në sy stendat e radhitura njëra pas tjetrës, të cilat paraqesin periudhat e ndryshmen për të cilat ka kaluar Garda gjatë ekzistencës së saj, duke nisur qysh me krijimin e saj, me dekretin e datës 24 Qershor të vitit 1928, e deri në ditët e sotme.

Një thënie e Lord Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët: “Shqiptarët janë trima, më të fortë se kështjellat e tyre”, e shoqëroi kuriozitetin tonë gjatë gjithë ndalesave brenda muzeut modest. Fotografi me portrete të marra nga kalaja e Krujës, 3 shqiponja dykrenore, muri i lyer në ngjyrë të përhimët, stilizohen aq bukur me njëra-tjetrën, saqë të çojnë larg në kohë, për të na treguar qëndresën, që ka ndodhur gjatë udhëheqjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

E të përgatitur për të parë të gjitha llojet e armatimeve, që gardistët kanë patur, në periudha të ndryshme kohore, të bie në sy një veshje popullore, tradicionale e zonës së Jugut, për burra. “Opingat ja kemi bërë me dorë, ndërsa fustanellën e kemi qepur vetë”, tregon Deliu.

Përballë saj është një mitraloz i vjetër i vitit 1910, pak më tej uniforma e rojës, e lënë si imitim i veshjes së gardistëve të sotëm. “Kjo quhet veshja e ceremonialit me të cilën ne shoqërojmë Presidentin, dhe Kryeministrin gjatë takimeve me homologët e tij, apo në Parlament”, vazhdon të na shpjegoi Deliu.

Të gjitha stendat janë veshur me material të kuq. Në stenën e parë është shkruar një citat i Rexhep Mejdanit (President i Republikës gjatë vitit 1998). “Libri i gardës është një libër nderi në pasurinë e Shqipërisë, se garda dhe shteti, garda dhe republika janë binom me lidhje të forta midis tyre”. Brenda stendës gjenden të ekspozuara; flamuri luftarak që ka marrë Garda për herë të parë në vitin 1964, dhënë me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe disa dekorata.

“Ky flamur për shkak të periudhës së gjatë kohore që ka kaluar, apo për shkak të ndryshimeve politike që kanë ndodhur në këto vite, germat ngjyrë ari me të cilat shkruhet ‘Garda e Republikës Popullore të Shqipërisë’, i kishte të ndryshuara. Prandaj  e kemi sjellë në gjendjen e mëparshme, sepse është flamuri origjinalë i Gardës”. Dekoratat e mara ndër vite si: “Naim Frashëri”, i Klasit të Parë dhe të Dytë, “Urdhëri i Flamurit”, “Medalja e artë e Shqiponjës” e dhënë nga Presidenti  Mejdani dhe “Medalja e Mirënjohjes”, nga Bamir Topi gjenden në këtë muze, së bashku me historikun e Gardës të shkruar nga Safet Ramolli.

Stenda e dytë prezanton momente, të cilat janë të lidhura me shpalljen e Pavarësisë, ngjarjen më madhore të popullit shqiptar. Fotografi me truprojën, që ka shoqëruar Ismail Qemalin, me trupat mbrojtëse dhe me komandantin e parë, Isa Boletini, një citat i shkëputur nga libri “Kujtime” i Ismail Qemalit, një kopje e firmëtarve të Pavarësisë, edhe armë të kohës, që datojnë që nga viti 1895, tregojnë ekzistencën e Gardës së Shtetit përgjatë atyre viteve.

Stenda tjetër flet për krijimin konkret të Gardës, që pati një jetëgjatësi 11-vjeçare. “Garda e Shtetit u krijua me dekret më 24 qershor 1928. Garda mbretërore kishte si detyrë kryesore ruajtjen dhe sigurimin e mbretit dhe të oborrit mbretëror. Komandanti i parë i Gardës ka qenë kolonel Hysen Selmani. Garda u  rikrijua më 12 Shkurt 1944, si nevojë për ruajtjen e sigurimit të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm edhe të Misioneve të Huaja pranë tij”. Gjatës këtyre viteve ekzistence, Garda do të kishte një rol tepër të rëndësishëm në ruajtjen dhe sigurimin e drejtuesve të Luftës Antifashiste. “Pas çlirimit garda vijoi fuqizimin e vazhdueshëm për kryerjen e misionit të saj”.

Fotografi të kësaj periudhe (1944), Shtabi i Përgjithshëm, fotografi dëshmorësh të rënë, materiale me shkrim dore, fonograme që kanë qarkulluar asokohe, emra kuadrosh që kanë kryer shërbime, por edhe uniforma, që është mbajtur deri në vitin 1950 zënë hapësirën kryesore në stendën e radhës. Momente të fotografuara nga strukturat e Gardës pas viteve ’90, shërbime dhe takime të drejtuesve të shtetit me gardistë dhe struktura  të Gardës si, Aleksandër Meksi, Ilir Meta, Rexhep Mejdani, Fatos Nano etj.

Në periudhën 1997-1998, janë ndryshuar 5 komandantë garde, duke shoqëruar pasqyrën e krizës totale që kaloi Shqipëria në atë kohë. Fotografi të realizuara gjatë stërvitjeve dimërore të bien në sy më tej. “Këtu janë disa çmime, që kanë fituar kampionët tanë gjatë garave në disiplina të ndryshme sportive, ka dhe nga ata gardistë që kanë bërë histori në mundje dhe në boks, duke dalë nga 6 deri në dhjetë herë kampionë kombëtar”.

Fotografi nga vizita e Papës, momente kur në Shqipëri kanë ardhur udhëheqës nga vendet europiane, nga Amerika dhe vendet  fqinje, instrumente të ndryshme muzikore, trombë, klarinetë, aparate kimikë për zbulimin e përbërjes së ajrit, apo aparate komunikimi, radio marrëse, mjete të ndërlidhjes, një vulë e vitit 1950, makinë shkrimi etj., janë materialet që gjenden në këtë muze. Ndërsa fund të Muzeut, në cep është vendosur një tavolinë e vjetër me material kashte, tre karrige, dhe një libër përshtypjesh, ku mund të shkruajnë të gjithë ata, që vizitojnë këtë Muze.

Komandanti i Gardës, kolonel Gramoz Sako

Në një bisedë më komandantin e Gardës, Gramoz Sako, na tregon se, rindërtimi i Muzeut ka filluar vetëm në gjashtë muajt e fundit, me qëllimin e mirë për ruajtjen e trashëgimisë, traditës dhe vlerave historike e kulturore. “Është një muze shumë modest, sepse këto ishin mundësitë dhe fondet në dispozicion. Ka një mori sendesh, mjetesh, pajisjesh dhe armësh që nuk janë ruajtur nga paraardhësit tanë. Po përpiqemi t`i gjejmë dhe t’i vendosim në muze si kujtesë historike”. Zoti Sako shprehet më tej se, ata janë munduar që t`i shmangen politizimit të Muzeut, por të pasqyrojnë aktivitetin dhe etapat e zhvillimit dhe të modernizimit të Gardës si strukturë e veçantë me një mision fisnik: Ruajtjen dhe mbrojtjen e Personaliteteve të Larta Shtetërore.

“Jemi munduar që ta largojmë udhëheqjen politike. Prezenca e tyre është në funksion të detyrës që kryen Garda, pra janë në sfond të veprimtarisë së gardistëve”. E teksa na flet për Muzeun, shton edhe se janë një strukturë në reformim të vazhdueshëm, dhe si e tillë, dhe Muzeun do të përpiqen ta pasurojnë dhe ta ristrukturojnë vazhdimisht me vlerat dhe faktet më të vyera në interes të ndriçimit të kujtesës kolektive. Mbeten ende të pritje të vijueshmërisë së ndërtimit të këtij Muzeu. Muzeu  tregon historinë e kësaj strukture, etapat dhe rrugëtimin e zhvillimit të saj”.

Sako na tregon se, përpos përpjekjeve dhe dëshirës së mirë, ende vuajmë nga mungesa e një bashkëpunimi korrekt, duke mos u kushtuar shumë vëmendje objekteve dhe mjeteve, që paraqesin vlera njohjeje dhe historike.

“E rëndësishme është që Muzeu u ngrit dhe mbart vlerat e veta për brezat e gardistëve dhe të fëmijëve e pasardhësve të tyre.

Duke qenë i sapo hapur dhe me një pasuri modeste, ende nuk e kemi vendosur për ta hapur për publikun, por në të ardhmen pse jo. Mbase duke qenë i vizitueshëm, dhe mund ta pasurojmë më tej”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama