Ne valixhen e librave te veres sugjeroj librat e zemres

'Ne valixhen e librave te veres, sugjeroj librat e zemres'

Shpeshherë është e vështirë të vendosësh se çfarë do të lexosh gjatë verës. Leximi i një vepre të mirë artistike është çlodhëse, por edhe një libër sociologjik apo psikologjik janë funksionalë në problematikat që shtjellojnë për jetën e njeriut. Por çfarë preferon lexuesi shqiptar? Një libër historik, një libër shkencor, humoristik, apo një libër rozë? Shkrimtarja Anna Kove për këtë verë na sugjeron disa tituj, duke argumentuar dhe propozimet e saj. Duke e konsideruar stinën e verës, një stinë shumë të bukur për lexuesit, mirëkupton dhe nevojat e tyre për librat rozë. Kove mendon se do të ishte shumë mirë, nëse lexuesit do të zhvendosnin shijet e tyre nga letërsia rozë, në letërsi të lehtë. Ajo sugjeron tituj, në të cilët lexuesi mund të përfshihet emocionalisht nga përshkrimet jetësore, si dashuria, erosi, por dhe të ndihet i provokuar, pa patur parasysh se kush është autori i librit.

Librat rozë gjatë stinës së verës sa të përshtatshëm janë për të lexuar. Mendoni se është krijuar një stereotip përsa i përket kësaj?

Stina e verës është një stinë e bukur për lexuesin. Sidomos kur je më pushime, apo edhe në fundjavë. Diell, det, më në fund qetësi. Kohë e bukur për t’u shkëputur nga realiteti mbytës dhe për të qenë në bashkëbisedim me librin. Ja, këtë ëndërrojnë shumë prej mijëra vetëve para pushimeve të tyre pasive. Kjo stinë për lexuesin sjell, si të thuash, “nevoja sezonale”, dhe këto nevoja për më të bukurën kohë të vitit duhen përmbushur sa më bukur. Këtu unë jam mirëkuptuese për atë grup lexuesish që nevojat e tyre sezonale të leximit i përmbushin me letërsi rozë. Personalisht nuk e lexoj vetë atë dhe, rrjedhimisht, edhe nuk e këshilloj. Librat rozë vërtet konsiderohen si më të përshtatshmit për pushime; por unë i mbetëm idesë se, kjo është “letërsi sipërfaqësore”.

Meqenëse në kohë pushimesh ne jetojmë disi më sipërfaqësisht, pa e vrarë mendjen, por duke u përpjekur të hamë mirë, të dukemi bukur, të ndjehemi të çlodhur, pse mos të përmirësojmë edhe shijen e leximit? Ky stereotip, jo pa bazë reale, nuk është fenomen vetëm shqiptar. Unë do të bëja një propozim: për rritje të numrit të lexuesve nga letërsia rozë, në letërsi të lehtë. Dhe këtu mund të ishin një sugjerim i mirë librat e viteve të fundit të Ismail Kadaresë. Gjithsesi, mbase më mirë është ta kalojmë kohën pasive duke lexuar, sesa duke mos qenë fare nën shoqërinë e librit, i çfarëdo ngjyre është i epitetuar ai.

Ju çfarë librash do të na sugjeronit, jo vetëm letrar, por edhe të gjinive, apo të fushave të ndryshme?

Në valixhen e librave të verës, për lexuesin që e konsiderojnë mendimin tim, do të sugjeroja librat e zemrës, t’i rimarrin nëpër duar, t’i shijojnë gjithherë ndryshëm dhe gjithherë do të kënaqen; të tjerë libra që vërtet do t’i kënaqin me mesazhet e tyre estetike, por edhe do t’i argëtojnë, u sugjeroj të kenë patjetër një libër nga shkrimtari francez Michel Houllbecq, si “Platforma” apo “Ishulli i mundshëm”.

Pse rekomandoni këta libra?

Nuk po flas për shkrimtarin dhe veprat e tij në terma profesionalë, sepse nuk është ky rasti, por te këta libra lexuesi përveçse letërsisë shumë të mirë, do të gjendet i përfshirë nga emocione përshkrimi jetësore, dashurie, erosi, por edhe do të ndihet i provokuar. I provokuar bukur. Po edhe libra nga Mario Vargas Llosa, “Vajza e prapë” mbase dhe “Festa e cjapit”, për një lexues më të përqendruar në kohët e pushimeve. “Vajza e prapë” është një “love story” (histori dashurie) e shkruar magjishëm. Këtu beteja e përhershme mes zemrës dhe arsyes në dashuri na bën të përjetojmë thellë ndjesi të pashlyera nga kujtesa. Shqiptarët do ta gjejnë shumë veten dhe realitetin e tyre në librat e këtij shkrimtari latino-amerikan.

Erci- Emmanuel Schmitt është një tjetër autor që do ta rekomandoja për këtë verë: “Gruaja në pasqyrë” është një roman shumë i bukur, ku mistikja, psikanaliza, narcizizmi dhe egoja në dashuri në tri gra të tri epokave të ndryshme, nga ajo e Mesjetës deri në shoqërinë e drogës dhe lavdisë së imazhit e bëjnë këtë libër shumë tërheqës dhe argëtues njëkohësisht. Po edhe letrat e dashurisë së shkrimtarëve të mëdhenj, si një gjini tashmë jo pak e botuar janë një ide e mirë për kohën e pushimeve, adhuruesve të Remarkut, iu them të mos rrinë pa i lexuar letrat e tij për Marlene Ditrich në librin “Thuamë se më dashuron”.Të pasionuarit e gatimit le ta kenë një libër kuzhine me vete gjithmonë te koka. Ata që e duan filozofinë: “Kështu foli Zarathustra”, të Niçes, nëse ende nuk e kanë lexuar. Ose për më lehtë, trillim filozofik: “Kështu qau Niçja”. Një vëllim me poezi lirike është gjithmonë një higjienë e mirë për shpirtin dhe freski në verë. Lirikat e Frederik Rreshpjes, do të thosha unë.

Libri rozë, njësoj si telenovelat

Poetja Lindita Ahmeti sugjeron për lexuesin tituj nga letërsia bashkëkohore shqipe, por edhe nga ajo botërore. Ajo shprehet se, këta autorë i rekomandon jo vetëm sepse janë emra të veçantë të letërsisë, por tek ata ka vënë re tërësinë e vlerave letrare, që nxisin respektin. Sipas saj, kur lexon këta autorë stimulohesh që të jepesh pas kërkimit të thellësive, mistereve dhe hapësirave metafizike.

Librat rozë gjatë stinës së verës sugjerohen si libra të përshtatshëm për t’u lexuar... Mendoni se është krijuar një stereotip përsa i përket kësaj?

Lexuesit, që kërkojnë vetëm argëtim nga leximi për librat rozë gjithmonë mendojnë se janë të mirë. Prandaj preferohen që libra të tillë të merren me vete në pushime e të lexohen në plazh nën hijen e çadrave. Natyrisht, libra të tillë nuk kanë mundësi t’u përgjigjen kërkesave të lexuesve, që nuk kënaqen vetëm me leximin si argëtim, por që kërkojnë shumë më tepër prej tij. Në kushtet e një jete plurale libri rozë është më i kërkuari, sepse ai është bërë thuajse mit në të ashtuquajturin treg të lirë. Botuesit e kanë më lehtë ta sigurojnë, ka më pak shpenzime botimi për të, dhe fitimin e kanë më të sigurtë. Mendoj se, libri rozë do të vazhdojë të jetë literaturë e preferuar e shumicës së lexuesve, njësoj siç janë dhe telenovelat e shumta, të cilat e “mbajnë në grusht” spektatorin me mitin për dashurinë. E mbajnë lidhur me mitet që krijohen për tjetërsimin dhe huajsimin e njeriut modern, me fatet e njerëzve që rrjedhin horizontalisht, por që nuk e kanë ndërtimin e figurshëm dhe mjeshtëror të krijuesve të mëdhenj.

Ju çfarë librash sugjeroni për lexuesin?

Unë lexoj rregullisht literaturë shkencore që lidhet me profesionin tim, filologji klasike, por asnjëherë nuk i largohem letërsisë, sepse dhe atë e kam profesion. Vazhdimisht lexoj prozë e poezi shqipe dhe botërore. Për preferencat mendoj se, kjo është punë e vështirë, sepse lista ime për veprat e mira është e gjatë. Por, do të përpiqem t’i veçoj disa autorë, e vetëdijshme se mund t’u hyj në hak shumë autorëve që kam konsideratë. Nga letërsia bashkëkohore shqipe rekomandoj veprat: “Prilli i thyer” dhe“Eskili ky humbës i madh” nga Ismail Kadare, “Ali Pashë Tepelena” me autor Sabri Godo,“Uilli dhe Ujku”, Vath Koreshi, “Dueli” i Agron Tufës. Për ata lexues që “kërkojnë më shumë” nga poezia shqipe propozoj të lexohet poezia e Teki Dervishit, Nehas Sopajt, Lulzim Hazirit, Salajdin Salihut, Vjollca Berishës, Arian Lekës, Parid Teferiçit etj. Nga letërsia botërore në fillim sugjeroj Homerin dhe filozofin e madh Platonin, bashkë me ta lirikën dhe dramatiken. Nga autorët botërorë veçoj “Çajld Haroldin” e Bajronit, “Ylberin”e D. H. Lorensit, “Zonja Dolovej”, Virxhinia Vulf, tërë veprën e Çehovit, poezitë e Himenesit, poezitë dhe esetë e W. B. Jejtsit etj.

Pse i rekomandoni këta tituj?

Më pyetni pse i rekomandoj këta autorë, por unë mendoj se këta emra dhe jo vetëm këta, janë emra të veçantë të letërsisë. Tek të gjithë këta e kam vënë re tërësinë e vlerave letrare, që ta nxisin respektin. Në veprat e tyre ka përvoja të ndryshme njerëzore të realizuara me një mjeshtri filigranike të gjuhës dhe përdorimin e papërsëritshëm të figurave, në radhë të parë të parabolës dhe ironisë (në prozë), dhe të shprehjes së bukur e moderne në vargje. Më pëlqejnë këta autorë se, kur i lexoj më duket se të stimulojnë të jepesh pas kërkimit të thellësive, mistereve dhe hapësirave metafizike. Dhe, kjo është karakteristikë e të gjithë këtyre autorëve që unë rekomandoj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama