Fizionomia e nje studiuesi

Fizionomia e nje studiuesi

(Problematikat përmes jetës shkencore të Akademikut Jorgo Bulo)

 

Kur kolegu yt është gjallë, qëndron aty, përballë teje; ti diskuton, grindesh, pajtohesh në mendësi, bën projekte bashkëpunimi, nuk bie dakord përsëri, dhe kështu vazhdon bukur, shumë bukur ky ballafaqim i gjallë, aq i domosdoshëm për qënien tonë në sferën e aktivitetit shkencor. Ky debat të përcjell energji! Të ngacmon ide të reja, shpesh të bën të kuptosh se ti di, por ai që ke përballë ditka diçka më tepër se ty! Dhe, kur ai papritur largohet, ashtu butë, paqësisht, duke lënë të pa përfunduar diskutimin shkencor, miqësinë e vjetër si dhe shakatë shoqërore, e kupton se ky lloj largimi ka lënë pas një filozofi të heshtur, një porosi sa shkencore, aq edhe njerëzore: sfera shkencore, përmes diskutimeve, debateve, vetëm mund t’i bashkojë studiuesit, jo t’i largojë, jo t’i armiqësojë, jo t’i mohojë, por t’i përfshijë në një tryezë të madhe, të madhe, ku ulemi e ngrihemi vazhdimisht! Kur kolegu yt mungon, instiktivisht shkon te studimet më të mira të tij, për ta ritakuar, por tashmë në planin e brendshëm të intuitës dhe vetëdijes së tij shkencore. Vemendja tashmë bëhet më e përqendruar, sikur kërkon ta njohë atë më mirë, të zbulojë specifikën e krijimit shkencor, tipologjinë e interesimeve shkencore, origjinalitetin e mendjes së tij kërkimore-shkencore dhe vlerën e tezave shkencore.

Fusha kërkimore

Për një profesor të shkencave filologjike, fusha kërkimore është patjetër pjesë e projekteve që duhet të ketë Seksioni i Shkencave Albanologjike, si synim për të shkuar drejt hartimit të veprave madhore për kulturën shqiptare. Përqendrimi i vemendjes se Akademik Jorgo Bulos kryesisht tek letërsia e traditës, sidomos ajo e periudhës së Rilindjes Kombëtare, prej disa dekadash ishte një ndër boshtet themelore të shkencës sonë albanologjike, që synonte hartimin e korpuseve të zhvillimit historik së letërsisë shqiptare. Sigurisht, në qasjen ndaj kësaj trashëgimie deri para 25 vjetësh, për rrethana tashmë të njohura (jo subjektive, këtë është mirë ta kuptojnë disa kritizerë të sotëm!), këto projekte nuk mund të shiheshin nga horizontin ideor e profesional i sotëm. Nga ana tjetër, 25 vite e këtej, konceptimi shtetëror-institucional, me gjithë kapardisjen e jashtme, realisht i cënoi dhe, në një farë mënyre, i braktisi këto synime kombëtare, madhore, harroi aftësitë shkencore, që ishin brenda studiuesve të nivelit të J. Bulos. Dihet se formimi i një studiuesi, sidomos historiani të letërsisë, nuk arrihet brenda disa viteve, por për dekada, në përballje me situata sa shkencore, aq dhe kulturore. Nëse themi se në qasjet shkencore të J. Bulos fusha e studimit të traditës letrare ishte themelore, theksojmë se trajtimi që bëri ky studiues nuk ishte thjesht në nivelin përshkrues, paraqitës, por depërtim në thelbin e brendshëm historik të asaj trashëgimie, që në momente të caktuara historike kishte rol të veçantë për të ardhmen e kombit. Studimet për autorë të kësaj periudhe, thelbësisht të rëndësishme në vijimësinë e vlerave shpirtërore të kombit, ishin depërtim në proceset e brendshme të zhvillimit të letërsisë shqiptare. Prandaj J. Bulo ishte historian i letërsisë, jo përshkrues i dukurive dhe autorëve shqiptarë.

Ishte historian i mirfilltë, sepse në vitet e gjata të punës kërkimore vlerësonte domosdoshmërinë e kërkimit shkencor, zbulimin e dokumenteve, dorëshkrimeve të veprave letrare apo dhe të trajtimeve shkencore të autorëve të traditës. Prandaj kërkesat e vazhdueshme, si drejtues i seksionit të letërsisë dhe më pas drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, për zgjerimin e kërkimeve në arkivat e vendeve të huaja, ku jetoi dhe krijoi pjesa më e madhe e elitës shqiptare, nuk ishin të mundshme, ose ekstremisht të kufizuara në periudhën e izolimit të vendit, pra edhe të shkencës. Por, kjo domosdoshmëri nuk u vlerësuan sa duhet edhe në periudhën e re të lirisë ideologjike dhe të komunikimit, për t’i dhënë një rrokje të re, gjetjes së dokumenteve, jo vetëm të atyre që lidhen me historinë tonë (dhe kjo shumë mirë që u bë!), por edhe atyre kulturore-letrare. Ky koncept shkencor mbi kërkime arkivore-bibliografike sigurisht kishte në themel një vision të qartë mbi rrugën që duhej të ndiqte shkenca letrare shqiptare, mbi raportin që duhej të ndërtonte ajo me dokumentin, dorëshkrimin, origjinalin.

Z.Bulo ishte historian i letërsisë, sepse koncepti i tij drejtues-shkencor mbështetej në domosdoshmërinë e hartimit të monografive shkencore, shterruese, për figura të shquara të letërsisë, sepse mbi bazën e tyre krijohet mundësia e hartimit të një vepre madhore të historisë së letërsisë shqiptare. Ishte historian i letërsisë, sepse kishte një kuptim shumë të qartë për qasjen diakronike në zhvillimin letrar, përmes objektivitetit dhe ekuilibrit të vlerësimit të traditës. Problematikat serioze që reflekton sot Historia e Letërsisë Shqiptare, nuk janë personale, por pasojë e kontrollit dhe vendimeve të rrepta pushtetare (këtë nuk duhet ta harrojnë kritizerët e sotëm, të cilët nuk kanë punuar në atë trysni politike!).

Ishte historian i letërsisë, sepse e konsideronte të domosdoshme botimin e veprave të plota të autorëve të traditës letrare, si bazë tjetër e rëndësishme e ndërmarrjes së studimeve të thelluara mbi autorë dhe procese letrare. Për këtë arsye ishte ndër përgatitësit e veprës së plotë të disa autorëve, sipas kriteresh të rrepta shkencore.

Ishte historian i letërsisë, sepse kishim biseduar që ai të ndërmerrte, bashkë me studiuesin Dhori Qiriazi, në Universitetin e Selanikut, projektin e botimit të veprës së plotë të Thimi Mitkos, dorëshkrimet voluminoze të të cilave, të gjetura dhe të sjella para disa vitesh prej Jorgo Bulos, paraqesin një pasuri të jashzakonshme në kulturën shqiptare, por që kanë mbetur të harruara në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ishte historian i vërtetë i letërsisë sepse ishte ndër kontribuesit e zgjerimit të bashkëpunimit shkencor me studiues nga Kosova, Maqedonia dhe arbëreshët, duke i dhënë një shtrirje më të gjerë, (aq sa e lejonte koha) vështrimit dhe bashkëbisedimit për problematika të letërsisë shqiptare.

 Struktura e interpretimit shkencor

Historiani i letërsisë J. Bulo i përket shkollimit dhe formimit shkencor historiko-kulturor, metodë sunduese në shkencat shqiptare (i kësaj shkolle ishte edhe E. Çabej në studimet mbi letërsinë, i cili, si filolog, u formua në kulturat evropiane perëndimore). Sigurisht kjo metodë nuk të pengon të arrish në konkluzione të rëndësishme mbi zhvillimin historiko-letrar, por nuk të mjafton për të depërtuar në thelbin e poetikës së veprës së çdo autori. Por intuita shkencore, ndjeshmëria e thellë ndaj artit letrar e kanë orientuar studiuesin J. Bulo në analiza të thella, shumë interesante, duke kapërcyer kufizimet e metodës drejt analizave të brendshme, shumë interesante të poetikës së lirikës naimiane. Kjo intuitë, mpleksur me vëzhgimin e hollë mbi artin e fjalës, e kanë çuar natyrshëm në konkluzione dhe teza të rëndësishme. Studimi monografik “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit” (1999) është ndër studimet më moderne mbi poezinë e poetit të madh, modeli i vërtetë i stilit shkencor të prof. Bulos. Duke ndërtuar një marrëdhënie të re midis kodit poetik të Naimit dhe kodit të interpretuesit, studiuesi provoi se vepra letrare mbetet një strukturë artistike e hapur. Në këtë pikëvështrim metodologjik ky raport leximi dhe interpretimi ka sjellë teza interesante, që zbulojnë vizione të reja, jo vetëm për individualitetin lirik të Naimit, për dukuri të zhvillimit të letërsisë shqiptare të shekullit XIX, por edhe për pikëvështrimet teorike të studiuesit. Futja në trajtimet e rrafshit formal-tipologjik, hetimi i raportit midis përjetimit subjektiv dhe aspektit gnoseologjik, e ka çuar studiuesin në dallimin e një tipologjie mjaft interesante të lirikës. Ajo çka përbën thelbin e metodës hermeneutike-strukturaliste të studiuesit Bulo provon se vëzhgimet e tij hapin mundësi diskutimi për çeshtje të pazgjidhura të shkencës sonë letrare. Me intuitën e analizës shtresore-stilistikore dhe të sintezës shkencore shohim aplikimin e sukseshëm edhe të metodës shtresore-strukturore, kur veçanërisht zbërthehet raporti midis strukturës poetike dhe rrafshit emocional-ligjërimor, për të arritur në konkluzione shumë interesante. Zgjedhja e metodës semiotike i krijon qasje origjinale në interpretimin e evolucionit të figurave poetike. Metoda krahasimtare, e përdorur me mjeshtëri në ndërtimin e paraleleve me poezinë persiane, me poezinë evropiane, me autorë shqiptarë, me folklorin, e çon në konkluzione shkencore, jo subjektive, se pavarësisht nga çdo lloj paralelizmi, Naimi mbetet origjinal.

Pra, historian i letërsisë J. Bulo, me aftësitë e spikatura në fushën e shkencës letrare, kapërxen metodën që e kufizonte shkencën tonë, duke shkuar me vetëdije dhe intuitë drejt metodave moderne të interpretimit. Në analizat e brendshme ai dëshmoi aftësi dhe origjinalitet edhe në fushën e kritikës letrare, duke ndjekur brenda tekstit dimensione të tjera. Përmbledhjet me shkrime “Magjia dhe magjistarët e fjalës” (1998), “Shpirti i fjalës” (2014) janë mozaik tjetër i plotë i mprehtësisë së jashtzakonshme të një filologu, i rezultatetve origjinale që sjellin metodat e aplikuare prej tij, i elegancës stilistike të këtij studiuesi mëndjemprehtë.

 Brengat e studiuesit

Akademiku J. Bulo iku papritur, duke marrë me vete disa brenga që lidhen me përvojën e gjatë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, të Akademisë së Shkencave. Ishte brenga e shkatërrimit të instituteve, që nuk arritën dot të ruajnë idetë e realizimit të projekteve të mëdha shkencore, kombëtare, siç është ndërprerja e punës së nisur më parë për fjalorin disa vëllimësh të gjuhës shqipe, ndërprerja e ekspeditave dialektologjike pas botimit, më 1990, të veprës themelore “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe’, ndërprerja e punës në kartotekën e leksikut të shqipes në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ndërprerja e kolanës “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar’, duke mos ekzistuar asnjë projekt nga institucionet përkatëse dhe strategji për botime kritiko-shkencore të tyre, mungesa e një projekti për hartimin e Historisë së Letërsisë Shqiptare, të rikonceptuar me parime të tjera. Po ashtu debatet e sotme mbi standartin e shqipes, kur disa bëhen tepër agresivë (ta dërrmojmë armikun!!), prej të cilëve disa nisen më tepër nga kritere jashtëgjuhësore se sa nga thelbi i zhvillimit historik të strukturës gjuhësore etj..

Jorgo Bulo u përket përfaqësuesve të atij brezi që e lidhën gjithë jetën e tyre me punën shkencore, që nuk njohën në vitet e lodhshme, me shumë punë të papaguara, asnjë tundim drejt karrierës politike apo parasë. Ky brez po largohet dalëngadalë. Sigurisht shkenca zhvillohet në vazhdimësi nga breza të moshës së mesme, nga më të rinjtë, që patën fatin të shkollohen e specializohen me mendimet teorike-shkencore modern. Sigurisht ata janë prerja e re drejt së cilës shkojnë shkencat tona albanologjike. Midis tyre dhe brezit që ka shkuar, dhe po shkon, duhet të ketë nderim, bashkëpunim dhe rivlerësim meritash shkencore, jashtë çdo lloj paragjykimi. Kjo është politika shkencore e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

*Akademike, kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama