Emigrimi dhe pasojat e tij ne DokuFest

Emigrimi dhe pasojat e tij ne 'DokuFest'

DokuFest nisi dje në Tiranë. I pranishëm për çeljen e programit ishte dhe drejtori Artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, i cili shprehu kënaqësinë e pikënisjes së filmave në Tiranë. “Jemi të lumtur të rikthehemi në Tiranë me një copëz të vogël të programit të madh të këtij edicionit të DokuFest, për të cilin kemi punuar një vit dhe të cilin jemi krenarë ta shfaqim në Prizren”, tha Nurkollari. Ndërsa pesë filmat e prezantuar dje në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve ishin: “Shipëreck” me regji të Morgan Knibbe, (Holandë, 2014), i cili trajtonte temën refugjatëve. “The chiken” me regji të Una Gujnak, (Gjermani, Kroaci 2014).

Ngjarjet zhvilloheshin në Sarajevë në vitin 1993 dhe në qendër ishte mbijetesa. “Paftuar”, me regji të Roland Uruçit (ShBA-Shqipëri, 2015) trajtonte trazirat që ka kaluar Shqipëria në vitet ’90, nga lufta civile, skemat e dështuara piramidale dhe eksodi masiv i popullsisë vendase. “Dao Indie, Auntie Maam has never had a passaport”, Sorayos Prapapan (Tajlandë, 2014), trajtonte problemet shoqërore, ndërsa në prapavijë qëndronte lëvizja politike kundër qeverisë në vitin 2014. “Nusja jonë”, me regji të Yll Çitakut dhe Nita Dedës (Kosovë, 2011) shpjegonte traditën e komunitetit Goran, që jeton në Lubinjë. Ata veshin dhe vizatojnë nusen ditën e saj të martesës.

228 filma nga 43 vende të botës

Gjithashtu Nurkollari prezantoi programin e plotë të edicionit 14 të festivalit, që do të mbahet nga data 08 -16 gusht në Prizren. “Të zgjedhur nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali do të prezantojë 228 filma nga 43 vende, në 6 programe speciale. Tema e festivalit këtë vit është emigrimi, konteksti i tij shoqëror global dhe lokal si edhe pasojat, të cilat do të theksohen dhe hulumtohen në aktivitete, që do të përfshijnë panele dhe debate nga filmëbërës me ekspertë të ftuar ndërkombëtarë dhe vendorë”. Përveç filmave që do të fokusohen në çështjen e emigrimit është krijuar nga regjisori fitues i “Bafta”, Daniel Mulloy një kampanjë vizuale për temën e festivalit. Filmat dokumentarë, si ata të shkurtër dhe eksperimental, do të prezantohen në kinematë e hapura të Prizrenit si: Dream Cinema dhe Kino Andrra. DokuFest gjithashtu do të prezantojë edhe filma shqip nga regjisorë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, Kosovë etj.

Homazh për Albert Maysles

Festivali do t’i bëjë homazh regjisorit të njohur Albert Maysles me gjashtë filma të tij, përfshirë “Gimme Shelter”, “Grey Gardens” dhe dy filmat e tij të fundit, “Iris” dhe “In Transit”. Albert Maysles u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, në fillim të këtij viti. Ai së bashku me vëllanë e tij, David, ridefinuan realizimin e dokumentarëve dhe ndikuan te brezi i regjisorëve me aftësi për të kapur realitetin ashtu siç ndodh.

Disa nga filmat më të mirë të këtij viti, përfshirë “Citizenfour”, fitues i çmimit Oskar për filmin më të mirë dokumentar, “The Wolfpack”, sensacionin e “Sundance”, fituesin e çmimit të jurisë atje, si dhe “The Pearl Button”, fitues i çmimit për skenarin më të mirë në këtë edicion të Berlinale do të prezantohen jashtë programit garues të festivalit. Gjithashtu këtë vit përfshihet dhe programi i kuruar nga kritiku i filmit Neil Young e që është një studim i skenës së pavarur të filmit amerikan në programin e titulluar “Shtetet e Bashkuara të Amerikës të paeksploruara”, dhe programin e Pamela Cohn, që tanimë është një eksplorim i vazhdueshëm i muzikës në filmin dokumentar, në programin e titulluar “Tingujt e shpirtit tim”.

Drejtori Ekzekutiv i DokuFest, Eroll Bilibani ndali te panelet, master-klasat dhe punëtoritë, që kanë në qendër figura të njohura në fushat e tyre përkatëse, do të trajtojnë shumëllojshmëri temash që kanë të bëjnë me filmin. “Debati ‘Ballafaqimi me të kaluarën’ ka në qendër rolin e artit dhe të kultuës në krijimin e vlerave të reja, që mund të ndihmojnë në ballafaqimin e traumave të kaluara gjatë viteve ‘90. Një debat tjetër do të mbledhë panelistë, që do të diskutojnë për shqetësimet kryesore mjedisore dhe ndryshimet klimatike në rajon”. Bilibani ndali edhe te temat e tjera që do të trajtohen si: roli i medieve në luftën kundër korrupsionit, mbi dhunën seksuale gjatë konflikteve në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, edhe për pasojat ndaj të mbijetuarve. 3 debate do të shqyrtojnë temën e migrimit në këndvështrime të ndryshme. Takimet do të zhvillohen në hapësirën e Muzeut të Hamamit.

Lucy Walker, regjisore e nominuar dy herë për Academy Award, do të flasë për procesin dhe anën praktike të editimit të filmave dokumentarë te hapësira e Kino-Klubit. Vasif Kortun një shkrimtar, kurator dhe ligjërues i artit bashkëkohor nga Stambolli do të flasë për artin dhe ndryshimet urbane, duke u fokusuar në punën e tij.

Më tej Bilibani thotë se, nëpërmjet punëtorisë “Nëse sot shkoni në pyll…” do të eksplorohen sekretet e dramës dhe të filmit, duke krijuar një performancë në natyrë. Partnerët e DokuFest Corners do të sjellin 3 punëtori, të cilat kombinojë teatrin, muzikën dhe poezinë. Një instalacion publik mbi nocionin e shtëpisë dhe një ekspozitë me shtëpi të zogjve”.

Dokuphoto prezanton punën e fotografit nga Shqipëria Enri Canaj. Fotografitë që ai prezanton dokumentojnë dëshpërimin e një grupi emigrantësh nga Siria, të cilët arrijnë në bregdetin grek. Enri Canaj po ashtu do të jetë pjesë e një master-klase, për të treguar eksperiencën e tij si fotograf.

DokuTech është një mundësi edhe për të eksperimentuar me teknologji ku do të diskutohen njohuritë̈ e hapura dhe inovacionet e teknologjisë̈ në mbarë botën me protagonistët kryesorë të këtyre zhvillimeve.

DokuKids, festivali i fëmijëve ka në qendër punë të dizajnuara me kujdes nga fëmijët, që shërbejnë si platforma të të menduarit dhe argëtimit të tyre. Fëmijët kanë mundësi të mësojnë për teknikat e filmit dhe artit të performancës duke reflektuar mbi aspekte të ndryshme të jetës së tyre. Rezultati përfundimtar do të jetë një performancë e bukur në rrugën e “Farkëtarëve”, si dhe një film i krijuar nga ata.

Muzika do të përfaqësohet nga Kosmos, Tijana T dhe Alien no. 155,  trio që prezantojnë Stambollin, Beogradin dhe Tiranën, për herë të parë. Muzikantë tjerë që do të performojnë në skenën e Andrrës të DokuNights janë: Marcel Fengler, Hajdar Berisha, Garazhë (Ergen + Pinkmetal), Nire, Wild Baby/Seve Neves, Loni, Trashmango, Ygretmen, Karamucho, Toton & Liburn Jupolli, Goce, High Roll etj.

Kalendari i përbashkët

Gjatë konferencës për medien ishte prezente dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila tha se: “Është kënaqësi për të gjithë publikun shqiptar dhe nder për mua si ministre e Kulturës që për të dytin vit me radhë së bashku me kolegët e DokuFest të prezantojmë edicionin e radhës të këtij festivali tashmë të rëndësishëm jo vetëm për botën shqiptare, por edhe në agjendat ndërkombëtare të kinemasë, si një nga markat më të mira të festivaleve që organizohen në trojet shqiptare. Për ne është detyrë dhe krenari ta mbështesim, duke qenë se DokuFest bën pjesë në kalendarin e përbashkët kulturor të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, si një ndër gurët më të rëndësishëm të këtij kalendari i cili nuk kufizohet vetëm në shfaqje të filmave por shtrihet edhe përtej datave të festivalit dhe përtej Prizrenit”.

Kumbaro: 30 mijë euro dëm ekonomik për shkak të kontratës për Monumentin e Pavarëisë

Dje gjatë prezantimit të programit të DokuFest, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ndali edhe te restaurimi i Monumentit i Pavarësisë (2012). Ajo tha se: “Monumenti i Pavarësisë është monument i porositur nga Ministria e Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve, në vitin 2012, bashkë me shumë monumente të tjera. Por vendosja e Monumentit është kryer pa mbyllur aspektet financiare të kontratës prej së cilës është marrë. Na e lanë si barrë, ose në fakt e gjetëm bashkë me shumë detyrime të tjera, rreth 1 milion euro, në vjeshtë të vitit 2013”. Kumbaro sqaron më tej se kjo kontratë ishte e komplikuar, prandaj e cilëson si barrë në kurriz të shtetit shqiptar. “Këtë e konstatoi edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kur bëri auditin e vitit 2012-13. KLSH nxori një dëm ekonomik rreth 30 mijë euro, sipas parashikimit është kryer vetëm 60 për qind e pagesës së kontratës për materialin dhe është kryer pagesa e artistëve”.

Ndërsa sipas saj, ndonëse pagesa e kryer shkon rreth 350 mijë euro edhe në këto llogaritje nga komunikimet që kanë pasur kanë gjetur edhe elemente pasaktësish në monument. “Ky ka qenë objekt në ndjekje për më shumë se një vit, ndërkohë në ndjekje të këtij procesi monumenti ka pësuar dhe degëzime, sepse nuk ishte mbyllur kontrata financiare për ta kaluar plotësisht në varësi të Bashkisë, Monumentin”. Sipas Kumbaros, ky Monument është simbolik dhe me interes për qytetin, prandaj në respekt të punës së artistëve po riparohen dhe ato pjesë që duhen hequr. “Janë kryesisht disa pllaka bronzi dhe për këtë ne vendosëm që në ditët e para të bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës, për të riparuar pjesët që mungojnë”. Ndërkohë

Bashkia është duke bërë një raport sesa do të shkojë fondi që duhet për restaurimin e Monumentit. Ministria e Kulturës ka kontribuar me Qendrën e Veprave të Artit, për të kryer ekspertizën. Bashkia po punon edhe për vlerësimin financiar të dëmit.  Monumenti i Pavarësisë në Tiranë, përbëhet nga dy kuba të hapur që simbolizojnë idenë e një fortifikimi, pra të Shqipërisë si një vend i izoluar dhe i mbyllur, i cili më pas hapet. Ky ka qenë argumenti i autorëve për leximin e kësaj vepre.

Në anën e njërit kub është shkruar me lazer Deklarata e Pavarësisë, ndërsa përballë forma e shqiponjës dykrenore. Monumenti është i lartë 4 metra dhe krijon një hapësirë brenda të cilit mund të kalojnë qytetarët. Materiali me të cilin është ndërtuar Monumenti është i tillë që gjatë ditës mbledhë energjinë, duke bërë që të ndriçojë në mënyrë të natyrshme natën. Në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e 100-Vjetorit të Pavarësisë, projekti i Visar Obrijës dhe Kai Roman Kiklas, u shpall më i mirë ndër 73 propozime të artistëve nga vendi, diaspora dhe bota.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama