Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Telenovela e kutive

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Nazarko
Telenovela e kutive

Tashmë kriza politike shqiptare u zgjat shumë. Dhe ashtu si në telenovelat e gjata latino-amerikane, që rrejshëm duken sikur mbarojnë, nevojitet njëlloj përmbledhje e serive të transmetuara. Nevojitet, pse jo, dhe një qartësim i asaj se përse luftohet në serinë e fundit të radhës. Kjo është me të vërtetë diçka e nevojshme.

Jo vetëm për ata që s’kuptojnë dot sot, por dhe për ata që do të vijnë nesër dhe që duan të kuptojnë se ç’ishte ajo krizë, që mbajti mbi një vit të shtrënguar vendin në darët e saj.

Sepse është plotësisht e vërtetë që nëse dikush, pas 20 vjetësh, do të mundohet të kuptojë nga media se çka ndodhur prej qershorit 2009, në qershorin 2010, do ta ketë plotësisht të vështirë të krijojë një ide të saktë. As për vetë krizën që rrodhi aq gjatë ashtu si pa kuptuar, as për ngjarjet e tjera të rëndësishme të këtij vendi, që janë konsumuar pa vëmendjen e duhur.

Po e fillojmë me rikapitullimin e serive të kaluara. Kriza politike ka në themel të vet, krahas të tjerave, një dukuri që me kalimin e kohës është bërë më shqetësuese për zgjedhjet në Shqipëri - manipulimin e votës së atyre që mungojnë, emigrantëve. Sa më shumë emigrantë, aq më shumë mundësi manipulimi. Këto mundësi i kanë shfrytëzuar më shumë partitë në pushtetin lokal në zonat respektive, por me krijimin e regjistrit kombëtar civil, element që centralizon kontrollin mbi listat e votuesve, po e shfrytëzon partia në pushtet. Partia Demokratike. Siç tha Ruzhdia.

Ky element nuk është i vetmi që ka përcaktuar rezultatin në zgjedhje, por sigurisht e ka modifikuar cilësisht. E gjithë kjo maskaradë, e realizuar prej komisionesh të dirigjuar nga partitë dhe jo nga ligji, apo dhe marifetet e tjera për të cilat flasin bukurmirë raportet e ODIHR-it, duhet të marrë fund në shekullin e 21. Bash për këtë arsye, hapja e kutive duhet të mbështetet.

Por kjo s’do të thotë se Partia Socialiste dhe kryetari i saj, Edi Rama, ka të drejtë për mënyrën si e ka çuar para këtë luftë, apo për faktin se është marrë thuajse vetëm me këtë luftë. Gjatë këtij viti, vendit i kanë ndodhur shumë dështime, shumë dukuri negative janë vënë re, por opozita thuajse ka heshtur. Është marrë vetëm me çështjen e kutive, një refren që ka dominuar jetën tonë, megjithëse opozita mund të luftonte në shumë fronte njëherësh me intensitet të ndryshëm. Mund të kishte hyrë në Parlament dhe të afirmonte aty grupin e saj të madh parlamentar, të kishte folur për tre përmbytjet e mëdha të Shkodrës, për shtrirjen e kontrollit të një grupi pushteti në ekonominë e vendit, në pasuritë e patundshme, në gjithçka. Mund të kishte folur cilësisht, brenda institucioneve për harxhimin e parave publike në rrugë dhe tunele super të shtrenjta dhe për krizën reale, atë ekonomike, që po i ngjan gjithnjë e më shumë asaj greke. Kjo lloj lufte nga ana tjetër i ka leverdisur Qeverisë, për të bërë çfarë ka mundur në një mandat të dytë të pamerituar.

Dikush mund të thotë se Rama e ka çuar para këtë betejë për të rivendosur kontrollin mbi PS, pas humbjes së zgjedhjeve. Do ishte fatale, e mjerueshme që vetëm për kaq pak, të harxhoheshin kaq shumë energji. Sepse energjitë janë harxhuar për kërkesa publike, që janë tretur aq shumë, sa e kotësojnë praktikisht stilin e luftës që ka bërë opozita, energjitë e PS dhe të mbarë shoqërisë. Këtu mbërritëm te seria e fundit në radhë.

PS sot kërkon atë që Këshilli i Europës ja imponoi pak muaj më parë nëpërmjet Presidentit të saj, turkut Caushoglu, që para disa ditësh, realisht i paditur apo i manipuluar, ja hodhi PS fajin. Gabim: PS kërkon që pas hetimit parlamentar, çështja e hapjes së kutive të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse ajo nuk vendos, të merret mendimi i Komisionit të Venecias. Çfarë donte Çaushoglu në vizitën e tij. 

PD nuk e pranon këtë zgjidhje, duke u përqendruar në detaje procedurale - kush do ta çojë çështjen në Gjykatë? Kush do ta shtrojë legjitimitetin e hapjes së kutive në Kushtetuese?

Ja, kjo është e gjitha çfarë luhet në serinë e fundit. Për këtë, sot partitë kryesore politike shqiptare po mbajnë peng integrimin e vendit dhe heqjen e vizave për shqiptarët. Sepse ç’është e vërteta, mund të thuhet se PS do të dëshironte që të ishte ajo në pushtet, kur të hiqeshin vizat dhe jo PD. Por nëse PS, nëse kryetari i saj Rama janë kaq të paarsyeshëm, pse PD, pse zoti Berisha është kaq i paarsyeshëm sa e shtyn heqjen e vizave dhe integrimin e shqiptarëve për një detaj procedural, si ai “se kush do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”? Madje ç’është më e keqja, Qeveria dhe kreu i saj janë angazhuar në një aktivitet të ethshëm lobimi ndërkombëtar, pikërisht për një detaj të tillë procedural. Duke u përpjekur të fitojnë një betejë me kohën, duke e shtyrë zgjidhjen, por realisht duke shtyrë procesin e liberalizimit të vizave, nga i cili ajo do të përfitonte shumë politikisht. Dhe në këtë lobim sizifian, Qeveria në mënyrë krejt irracionale ka hyrë në një betejë të paarsyeshme midis Komisionit dhe Parlamentit Europian, midis kancelarive dhe Parlamentit Europian. Nëpërmjet kësaj kokëngultësie, Berisha sot po teston dinjitetin e parlamentarëve evropianë, që donin të merrnin rol aktiv në zgjidhjen e një krize politike jashtë oborrit të tyre. Dhe sigurisht do të humbë ai, jo parlamentarët evropianë, që për herë të parë me një Kushtetutë europiane të ndryshuar, mund të vendosin politikisht për fatin e vizave.

Është plotësisht e vërtetë se të dy palët nëpër beteja të mëdha e të vogla do të donin ta poshtëronin njëra-tjetrën, në mënyrë të tillë që të kuptohej qartë se cili ishte humbësi. Është pikërisht kjo që PD po përpiqet të shmangë. Për këtë arsye, ajo vazhdimisht i tërhiqet zgjidhjes, e kushtëzon atë, lobon pafundësisht dhe kotësisht pranë kancelarive perëndimore, duke i sjellë dëm imazhit të vendit dhe integrimit të tij.

Ja kjo është ajo çka po ndodh, në serinë e radhës së telenovelës politike shqiptare. Rikapitullimi i serive të para, ndoshta mund të ndihmojë për të kuptuar se për çfarë arsye sot në serinë e fundit, në mes të ndeshjeve të Botërorit, sezonit të pushimeve që po vijnë, kjo politikë vazhdon të mbajë të ngritura armët e luftës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama