Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mendja individuale dhe ajo kolektive

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 14 vite më parë

Rexhep Meidani
Mendja individuale dhe ajo kolektive

Një "programim" i dyshimtë. Për të folur kërkohet mendja dhe për të menduar duhet fjala, e folura (qoftë ajo dhe e brendshme). Brenda këtij dubleti: "të folur - të menduar", përveç lidhjeve të zakonshme, zhvillohen, p.sh., akuzat politike-publike pa ose me "memorie", llojet e rëndomta të propagandës partiake, thashethemnajat politike, "zhurmimet" e naty-rës sensacionale, etj. Ata ...shfaqen si "atraksione" social-politike, nëpërmjet të cilëve individët e "rrjetet" njerëzore ndërveprojnë midis tyre. Veçse, në shumë vende, gjëra të tilla mbeten më shpesh brenda etikës publike, pa kapërcyer në fyerje e bezdisje të ndërsjellë.

Fare ndryshe nga politika shqiptare, në të cilën hedhje-pritjet nga njëri krah i politikës tek tjetri, me gojë kryesore apo me gojë zëdhënësi, kanë qenë të skajshme, duke "gërmuar" fjalë e mendime, duke "zbardhur" ngjarje të zeza dhe nxirë ato të bardha, duke gjeneruar "histori" të përditshme, apo duke ndërtuar preferenca dhe fshehur gabime, deri fatale. Aq më tepër, kur në "procedura" të tilla mbizotëron mashtrimi, nga njëra anë dhe inspirimi e motivimi masiv, nga ana tjetër...

Në përgjithësi, me anë të fjalëve "formësohen" apo u jepet formë çështjeve individuale e kolektive. Me to, kudo në botë, bëhet dallimi midis pohimeve pozitive e negative, pavarësisht nëse ato shpalosen si të veçanta apo të përsëritura, me të folur mendjeje (pa zë) apo me zë të lartë. Veçse jo duke ndryshuar shenjën e pohimit, siç ndodh në Shqipërinë politike! Aq më keq, me orientim drejt një "programimi" negativ me pasoja politike-sociale, ndryshe nga ushqimi publik pozitiv, goditës ndaj çdo programimi të çoroditur, që i kundërvihet qëndrueshmërisë e normalitetit mendor. Dhe jo vetëm kaq, por edhe duke abuzuar me "armën" e përsëritjes!...

Përsëritja si programim. Në fakt, kjo "arma" e përsëritjes po e bezdis qytetarin shqiptar. Aq më tepër, që  kohët e fundit deklarimet e pohimet politike nga një krah politik dhe replikat nga pala tjetër po bëhen gjithnjë e më bajate, të përsëritura e ripërsëritura, gati çdo ditë e orë, me frekuenca të programuara, diku me një gojë, diku me disa gojë, diku me një mendje, diku tjetër me disa mendje, diku me një skemë të caktuar, diku tjetër me disa skema.

Në këtë mënyrë, ato rrënjëzohen negativisht në ndërgjegjen kolektive, duke ndikuar në mënyrën apo masën e reagimit (siç dëshmon vetë historia me zigzage e tranzicionit shqiptar). Aq më tepër, kur gjithçka në këtë përsëritje, nëpërmjet një orientimi psikik, synon ndërhyrje në "programim" për një bashkësi konkrete, siç është p.sh., ajo politike, për të menduarit dhe sjelljen e saj, harmonizimin e qëllimit individual me veprimin kolektiv. Veçse, për fat të mirë, me një dëm minimal, në sajë të shkallës së lartë të teatralitetit politik dhe nivelit të ulët të besimit publik!...

Për të përmirësuar mënyrën e sjelljes, për të emancipuar shoqërinë e individin, për të zhvilluar mundësi të reja të progresit demokratik në aspekte të ndryshme (institucionale-administrative, politike-ekonomike e sociale-kulturore), një përsëritje e përditshme me huazim, me dhënie e imponim forme, sado e lodhshme dhe e bezdisshme, mund të quhet deri diku e justifikueshme. Por, ama, të mashtruarit individual dhe, mbi të gjitha, ai kolektiv, brenda bashkësive të tilla siç janë partitë politike, që prodhojnë qeverisjen, ka pasoja të papranueshme, deri dhe të rrezikshme...

"Retorika e boshllëkut". Fuqia e fjalës së lëshuar prej një mendjeje normale dhe të qëndrueshme shoqërohet me fuqi e ndjeshmëri të brendshme, me kombinim estetik e logjik të fjalëve në shprehjet shoqëruese. Për më tepër, individi ose justifikohet, ose "dënohet" prej fjalëve të veta. Sepse, kur flitet, shfrytëzohet vetë fuqia e tyre, pozitive ose negative.



Në këtë kuptim, si të thuash, fjalët kanë një sasi "force" brenda tyre. Por, ndryshe është një forcë e mbështetur në "pushtet", trysni e komandim, dhe ndryshe është ajo e rrezatuar nga mençuria, morali, bindja e besimi. Situata bëhet më problematike kur një qenie pa tipare të tilla, e ndodhur me "hir e pahir" në krye të një kolektiviteti, "imiton" Jezusin. Aq më tepër, kur mendon, si ai, se: "qielli dhe toka do të vdesin një ditë, por fjalët e tij nuk mund të vdesin derisa të mos plotësohen tërësisht", madje duke harruar që, ndryshe nga besimi qiellor, pretendimi njerëzor është i një fuqie krejt të thjeshtë!...

Mund të pranohet një shtrirje e zakonshme e fuqisë së fjalës, por jo një pompim "histerik" i saj, larg fuqisë reale të një inteligjence mesatare. Aq më pak, për tu krahasuar me të pakrahasueshmen! Nga ana tjetër, nisur nga pretendimi se çdo fjalë ka fuqi dhe se disa fjalë së bashku kanë fuqi shumëfishe, një synim në vete është emetimi publik i kombinimeve të tyre. Por jo duke besuar se "retorika e retorikës" apo "retorika e boshllëkut" është pjesë e fuqisë (më saktë, e pseudo-fuqisë).

Kështu, p.sh., në përputhje me parimin politik të veprimit maksimal (të kundërt me principin natyror të veprimit minimal), disa fjalë kanë fuqi më shumë së të tjerat, por këtu nuk duhet abuzuar. Një abuzim i tillë duket dhe ai i perifrazuar me ironi në disa media, në "kombinatorikën" politike naive: "hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë"!...


"Mendja" si shkak. Në përgjithësi, kur flitet për diçka, duhet të besohet thellë ajo që deklarohet. Jo të harrohet menjëherë sapo të jetë pohuar. Bile, pa turpin më të vogël, pas një minute! Në politikën shqiptare të tranzicionit, kjo mbetet e zakonshme, dhe jo thjesht e vetëm në fushata zgjedhore. Aktualisht, kjo ndeshet me një teprim të padëgjuar në gjykimin ekonomik. Përfshirë dhe një vlerësim euforik të arritjeve ekonomike qeverisëse, me gojë kryeministrore, edhe pse gjithçka, rreth nesh dhe në botë, është më se shqetësuese.

Nuk mohohet, si në çdo veprimtari, ngritja e moralit dhe rritja e besimit janë të nevojshme, pse jo dhe të dobishme e inkurajuese, por jo duke e tepruar, apo më keq duke gënjyer. Kjo vlen si për qeverisjen, ashtu dhe opozitën. Nga ana tjetër, ashtu si në natyrë, edhe në shoqëri, gjithçka rrjedh sipas ligjeve të caktuara, në një zinxhir të pandërprerë shkaqesh e pasojash. Veçse, në dukuritë politike-shoqërore, në momente të dhëna duhet ridimensionuar elementi subjektiv. Bile, në ndonjë rast të tillë, duhet të "sintetizohet" në mënyrë simbolike fakti që: "mendja luan rolin e një shkaku, kurse ajo që pësohet pasoja". Me këtë lloj "paralelizmi" subjektiv, synohet të "sendërzohet" mendja në format e mendimit.

E thënë ndryshe, mendimi konsiderohet aty si një formë; madje, siç kemi formë të bukur apo të shëmtuar, kemi dhe mendim të drejtë (të shëndoshë) apo të gabuar (të sëmurë). Është pikërisht ky lloj "prodhimi" që kushtëzon mendjen e individit për të krijuar formën, pikërisht atë që ai ka në mendimet e veta. Dhe, nga ky ligj, tashmë "subjektiv" shkak-pasojë, më shumë ose pak, nuk shpëton dot njeri! Por, shqetësimi bëhet më i madh kur, në lëvizjet jashtë normales, i vishet gabimisht vetes ndonjë "dhunti hyjnore"! Madje, nëse kështu mund të arrihet ndonjë sukses, ai mund të jetë veçse rastësor. Më e mundshme është humbja; njëfarë dështimi i zbukuruar me fjalë apo farsë suksesi...

Divergjenca fjalë-mendje si shkak dështimi. Një individ, i lidhur ngushtësisht vetëm me interesat e tij, në një veprimtari kolektive, bën jo rrallë atë që është e gabuar për bashkësinë (por jo për të dhe interesat e tij). Edhe pse e ka provokuar vetë atë gabim, ai "çuditet" që nuk e merr dot rezultatin e pritur.

Një individ i tillë e ka të madhe egon e dëshirën, shpresën dhe ëndrrën, por jo mundësinë, kapacitetin e mjaftueshëm për ti vënë ato në funksion të bashkësisë. Janë të shpeshta rastet kur ky individ shkon më larg se sa ka potencial, tej asaj që beson (ose bën sikur beson) apo shet dëshirën si realitet, kur nuk ka shenja të tij. Për këtë qëllim përfshihen dhe "gojë" të tjera, të futura me ngut, njëfarë avokatie publike e politike! Pse jo dhe për të mbuluar divergjencën e termave përbërës në binomin "fjalë-mendje". E gjitha kjo mund të gëlltitet, kur është ende në proces, por shqetësimi bëhet "depresiv", kur kuptohet se, me avokati e pa avokati, nuk shkohet më tej me kokëfortësi, pa plan e mend. Bile, pavarësisht shitje-blerjeve, "gjallërimi" i abuzimit të "fjalë-mendjes" shoqërohet me veprime kontradiktore, sintezë e këtij abuzimi. Kurse, nga ana tjetër, duhet të kultivohet e kundërta.

 Dhe mbi të gjitha, duhet të thuhet ajo që mendohet, të mendohet ajo që duhet menduar, të zhvillohet aftësia për të menduar, vlerësuar e kërkuar, pavarësisht çfarë parapëlqehet e ëndërrohet nga një mendje individuale. Nëse nuk ecet kështu, varfëria ideore mund të thellohet më tej, jo thjesht si një përsëritje, por dhe duke qenë mbizotëruese si pavlefshmëri fjale, si mangësi logjike në kompozimet e saj, si kotësi veprimi dhe mungesë imagjinate. Ndërkohë që, përkundrazi, kur pasurohet mendimi, pasurohet dhe forca e tij, thellohet argumentimi e aktivizimi në realitete konkrete, në zgjedhje të shpejta dhe të duhura.

E drejta e zgjedhjes. "Presidencializmi" e kolegjialiteti. Secili ka të drejtën e zgjedhjes. Bile, në një zgjedhje të duhur individi mund të shijojë edhe fuqinë e saj. Nëpërmjet zgjedhjes veprohet, reagohet në mënyrë të caktuar; madje, edhe kur "nuk zgjedh", realizohet pikërisht një zgjedhje -  konkretisht zgjedhja për të mos zgjedhur. Këtij fakti jetësor e natyror, social e politik, nuk mund ti shmanget asnjeri, sepse në çdo rast e hap, individi kryen një zgjedhje. Veçse zgjedhja, si individuale, ashtu edhe kolektive, shoqërohet me pasoja individuale e kolektive. Ndërsa, në një bashkësi, zgjedhja individuale, veç pasojës individuale të drejtpërdrejtë mund të ketë dhe pasoja kolektive, pozitive e negative.

Në raste të tilla, për të reduktuar pasojën e një zgjedhjeje negative apo për të fuqizuar atë pozitive, në një zgjedhje individuale kërkohet dhe mbështetja kolektive, përfshirja e anëtarëve të bashkësisë apo e përfaqësuesve të tyre. Kjo e bën vendimmarrjen më harmonike, me fuqi krijuese e bindëse. Aq më tepër, kur pranohet që, për një individ, fuqia mendore sintetizon vetë ndërgjegjen e tij, mënyrën e të menduarit, mendjen dhe mendimet e tij, që nuk mund të emetohen në të njëjtën kohë në një kah pozitiv apo negativ, pikërisht për të mos shuar njeri-tjetrin.

Ndryshe është puna në një mendim kolektiv. Aty mund të realizohen emetime të kundërta, nga shumimi i të cilave mund të arrihet një rezultat shumë më i drejtë dhe i sigurt. Në këtë kuptim, aktivizimi i përbashkët dhe përgjegjësia kolektive e bëjnë të mundshme një vendimmarrje të përgjegjshme ose të afërt me të, pikërisht si rezultat i mesatarizimit të gjitha mendjeve individuale në një "mendje kolektive". Por, ky është edhe thelbi i kolegjialitetit, p.sh., në një vendimmarrje partiake.

Është ai, që mundëson kapërcimin e paaftësive dhe të mangësive individuale, influencat parciale të një mendje të veçantë, largimet nga emocionet e padobishme, peshat konkrete mbi mendimet mbizotëruese dhe energjinë e pranishme, etj. Sepse vetë fuqia mendore individuale, përveç kufizimit, si një sistem dyjar midis mendjes (trurit dhe të menduarit) dhe subkoshiencës, është njëlloj të menduari që manifeston realitetin individual, por jo patjetër atë të bashkësisë.

Është pikërisht, kombinimi i fuqisë (apo pafuqisë) së mendjes dhe i asaj të subkoshiencës, që arrin, kështu, të modelojë realitetin individual, që vetëm i shumuar nga individi në individ, e mesatarizon apo e pasqyron në mënyrë kolegjiale këtë realitet. E thënë me fjalë më të thjeshta, ky është edhe ndryshimi midis vendimmarrjes partiake "presidenciale" ("kancelarike") nga ajo kolegjiale! Për më tepër, në mungesë të rrallësisë ky lloj "presidencializmi" partiak është shoqëruar dhe mund të shoqërohet me gabime të tjera të rënda, me kapriçio, pasiguri serioze dhe humbje kohe e energjie.

Këtë ka përjetuar PD-ja më parë, këtë duket se po imiton PS-ja sot. Megjithatë, le ta analizojë vetë lexuesi këtë lloj "presidencializmi" lëngues të politikës shqiptare, me topin "evropian" të hedhur nga një fushë në tjetrën, me pasat e përditshme politike që, ndoshta, do ti kishin zili edhe lojtarët më me zë dhe skuadrat më të mira të kampionatit botëror...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama