Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqetësimet evropiane janë dhe ato shqiptare

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 16 vite më parë

Rexhep Meidani
Shqetësimet evropiane janë dhe ato shqiptare

Komisioni Evropian, ditët  e fundit, ka propozuar disa masa të rëndësishme si kundërvënie ndaj rënies ekonomike. Midis tyre janë dhe ato që mund të arrijnë të frenojnë më tej recensionin ekonomik në nivel evropian e kombëtar. Po ashtu, në emër të simulimit të rimëkëmbjes ekonomike mendohet një ulje e taksës së vlerës së shtuar (TVSH-së), sugjerohet ulja e përqindjes së interesit të Euros në nivelin e Bankës Qendrore Evropiane, etj. Një çështje tjetër për t'u debatuar më tej, por dhe për t'u përcaktuar është dhe  vetë përmasa e këtij stimulimi. Sipas një vlerësimi të parë, ajo mund të arrijë në afro 1-1.5 % të PBB-së të vendeve anëtare të BE-së. Madje, pritet në total një ndërhyrje simuluese në intervalin, nga 130 deri në 195 miliardë euro. Sidoqoftë, vlera dhe masa përfundimtare e këtij programi, pas konsultimit me qeveritë kombëtare, do të diskutohet në mënyrë të detajuar në samitin e BE-së, në 11-12 dhjetor. Por, dhe në këtë rast, ndërtimi i një konsensusi është i domosdoshëm. 

Nuk është vetëm ndërtimi i këtij konsensusi për vendet e mëdha, ekonomikisht më të fuqishme, por dhe pozicionimi i drejtë i vendeve më të vogla, sidomos i atyre të Evropës Lindore. Aq më tepër që këto të fundit jo vetëm e konsiderojnë të pamundur, por po këmbëngulin për një ulje të intervalit 1% - 1.5% të PBB-së. Në këtë kuptim, një përqindje e tillë, që duket si mjaft e arsyeshme, rezulton përgjithësisht e vështirë për të gjitha vendet anëtare. Bile, divergjencat midis vendeve anëtare të BE-së në këtë pikë duken të qarta. Por, dhe komisionerët e Komisionit Evropian shfaqin qëndrime të ndryshme. P.sh., shefi i industrisë në BE, socialisti Ferhojgen pretendon një vlerë simuluese shumë më të lartë, ndërsa të tjerë, p.sh., anëtari i Komisionit për politikën monetare Almunia ka një mendim fare të ndryshëm. Madje, për të, paketa Barozo po shkon si tepër larg. Megjithatë, pritet që vendimi të merret nga çdo vend anëtar. Ndryshe mund të thuhet se paketa e propozuar nuk është pra një varg veprimesh të detyruara për çdo vend anëtar të BE-së, por është thjesht një sistem referimi masash e mundësish, që duhen zgjedhur dhe, mbi të gjitha, që i përshtaten një situate konkrete kombëtare. Dhe faktikisht, vendimet e deri tanishme kanë nuancë e perceptim kombëtar...    

P.sh., Franca ka deklaruar nëpërmjet presidentit Sarkozi, futjen e paketës prej disa dhjetëra miliarda Eurove për të mënjanuar rënien e mëtejshme ekonomike. Ndërsa, pak ditë më parë, qeveria britanike ka deklaruar një shkurtim të TVSH-së me një vlerë në përqindje prej 2.5% në 15% apo një shumë prej 12.5 miliardë sterlinash, për të vënë në lëvizje ekonominë britanike. Ndryshe nga Gjermania dhe Franca, që nuk e mbështesin këtë plan britanik, edhe në draftin e Komisionit konsiderohet si skemë e favorshme ajo që lidhet qartë me zvogëlimin e TVSH-së. Bile, nga shumë specialistë pretendohet se një rrugë e tillë shërben si një stimul fiskal ndaj konsumit. Në këtë kuadër, një propozim tjetër, i hedhur nga Komisioni, është ai për të reduktuar TVSH-në mbi prodhimet që rezultojnë krejtësisht të favorshme për mjedisin dhe mbrojtjen e tij. Ndër to është dhe futja në prodhim e përdorim apo shtimi në qarkullim i makinave, që ndihmojnë reduktimin e ndotjes së ajrit. Një variant tjetër mund të jetë dhe reduktimi i TVSH-së për disa shërbime intensive, të cilat mund të diskutohen dhe të miratohen në samitin e marsit. Po ashtu, taksat më të reduktuara për paga të ulëta mund të kenë një impakt pozitiv mbi punësimin, konsumin, etj. Po aq të rëndësishme janë dhe masat fiskale që u bashkëngjiten reformave strukturore, të përshtatshme me nevojat konkrete të vendeve individuale të BE-së.

Stimujt fiskalë ka shumë të ngjarë që të ndihmojnë në përmirësimin e deficitit buxhetor në disa vende evropiane si Franca, Britania, Irlanda, Italia, Greqia apo Portugalia, ku është tejkaluar tashmë tavani i 3% të PBB-së. Synimi i Komisionit është sjellja e financave atje ku ishin më parë, para kësaj krize. Krahas këtyre stimujve fiskalë, duket normale dhe shfrytëzimi i hapësirave të BQE (Bankës Qendrore Evropiane) për të zvogëluar përqindjen e interesave. Sinjale të tilla ka dhënë BQE për ulje të këtyre normave me 50-75 pikë, në nivelin e 2.5-2.75 %. Madje, presionet shtesë, në mënyrë të natyrshme, mund të çojnë në ulje të mëtejshme të normave të interesit. Pritet në këtë mënyrë që sektori bankar të mund të inkurajohet në realizmin e aktivitetit normal huadhënës, duke e rritur dhe interesin e konsumatorit.  

Pra, kriza aktuale financiare ka goditur tabutë e mëparshme. Prandaj dhe Komisioni Evropian ka hedhur në "treg" planin e rimëkëmbjes ekonomike për 27 vendet e BE-së, nëpërmjet një shume prej gati 200 miliardë Euro afro prej 1.5% të PBB evropian për një operacion të "stimulimit buxhetor". Me rrugë dhe mënyra të ndryshme, ku përfshihen TVA-ja, ndihmat fiskale në industrinë e makinave, ulja e kuotizacioneve sociale. Me fjalë të ndryshme, Brukseli u jep bekimin e tij të gjitha këtyre iniciativave, qofshin të "shënjuara" apo "kohore", për 2-3 vjetët e ardhshme. Për më tepër, duke kaluar dhe limitet e paktit të stabilitetit, si në lidhje me deficitin publik prej 3% të PBB-së apo borxhin prej 60% të PBB-së, pa ushtruar sanksionet e mëparshme. Pra, në financimin e masave kombëtare dhe evropiane, hidhen tutje dhe tabu të deritanishme.

Krahasuar me vende të tjera, si SHBA apo Japonia, BE-ja disponon hapësira të shumta për realizimin e manovrave të mjaftueshme në injektimin e parasë së freskët. Por dhe me ndërhyrje të tilla nuk duket që mund të bjerë spiralja e recensionit dhe e papunësisë. Bile, me një recension të afërt me 0.5%, nuk ka dyshim që zona Euro, gjatë vitit 2009, ka shumë mundësi që të rezultojë një "viktimë e rrethanave të veçanta". Po ashtu, mund të pritet që një pjesë e vendeve anëtare duke financuar programet e tyre, në nivelin e pranueshëm të borxhit, mund dhe të provokojnë shpërthimin e mëtejshëm të kësaj spiraleje recensioni dhe papunësie. Me fjalë të tjera, ndryshe nga më parë, kur një vend anëtar cenonte paktin e stabilitetit, Brukseli niste kundrejt një shkeljeje të tillë një procedurë të deficitit "eksesif"; ndërsa, në kushtet e sotme nuk bëhet më fjalë për "sanksione" të përcaktuara nga Komisioni, por thjesht për një mbikëqyrjeje të përgjithshme. Sipas Brukselit, masat e përcaktuara, që në vitin 2005 për rregullimin e zbatimit të paktit të stabilitetit, ofrojnë edhe sot një "fleksibilitet" të mjaftueshëm. Sipas tij, parashikohet në rastin e një "rritjeje negative" gjatë një viti apo të një ngjarje të tipit të "veçantë", një vonesë suplementare i akordohet vendit anëtar për të ulur deficitin e tij në nivelin e 3% të PBB-së. Por dhe këto "lëshime" konsiderohen të përkohshme, si mundësi fitimi kohe për të kapërcyer pasojat e krizës, deri rikthimin e tablosë ekonomike brenda normave të paktit të stabilitetit...

Duke studiuar propozimet e Komisionit, debatet përkatëse apo masat e veçanta, vlen të diskutohen disa veprime konkrete në rrafshin financiar- bankar, për kushtet e Shqipërisë. Jo thjesht për të hedhur një shikim mbi ndikimet e krizës financiare globale apo për të qetësuar veten tonë me "garancitë", "dobësitë", primitivizmin e "mbylljen" e sistemit tonë! As për të manifestuar eufori këshilltarësh të gjithanshëm, agresivë e të paaftë, por për të lëvizur në drejtimin e duhur, për të "pompuar" veprimtarinë ekonomike. Pavarësisht se bankierët tanë pretendojnë se gjithçka është ende në rregull, si brenda bankave mëmë apo dhe degëve të tyre në Shqipëri!...

Megjithatë, duhet lëvizur e menduar. Kështu, p.sh., a nuk ka ardhur koha për të ulur normën e interesit të Lekut në nivelin e BSH-së. Aq më tepër, kjo ka ndodhur fillimisht me dollarin, aktualisht me paundin dhe më tej me euron. Sidomos për të rritur vigjilencën për të mos lejuar më norma interesi si ato të "promovuara" nga bankat e rendit të dytë gjatë fund-verës, në nivelin e 10% për lekun apo për euron apo dollarin shumë më të larta se norma e Bankës Qendrore Evropiane apo ajo e Rezervës Federale. Në këtë mënyrë, me një ulje normale të këtyre përqindjeve, sektori bankar mund të inkurajohet në realizmin e aktivitetit normal huadhënës duke e rritur dhe interesin e konsumatorit. Një kujdes të veçantë kërkon ulja e domosdoshme e deficitit publik, sidomos kur shpenzimet qeveritare janë krejtësisht të pajustifikuara. Po ashtu, duhet studiuar dhe rekomandimi evropian, sipas të cilit taksat duhet të jenë më të reduktuara për paga të ulëta. Ato mund të kenë një impakt pozitiv mbi punësimin e konsumin. Ndërkohë që taksa e sheshtë, sado e thjeshtë, nuk është e tillë! E kështu me radhë...

Pra, kërkohen jo vetëm veprime të mençura e të kursyera, por dhe rregullime të mëtejshme ligjore, financiare e strukturore. Kurse koncepti i deklaruar prej kryeministrit, para biznesmenëve në Dhomën e Tregtisë së Industrisë, sipas të cilit "masat më të shkëlqyera anti-krizë janë krijimi i klimës sa më të favorshme për veprimtarinë tuaj, për tërheqjen e investimeve, për aktivitetin e biznesit në Shqipëri" shpreh një pozicionim  në fjalë të përgjithshme, krejtësisht "patetik" e "entuziast", por jo shqetësues për atë që po ndodh pranë e brenda nesh. Kurse duhet menduar e vepruar. Por, jo duke luajtur me shifra rritjesh ekonomike, që sipas vlerësimeve të ndryshme deklarohen: Qeveria: 6% në 2009, 6% në 2008; BERZH: 5% në 2009, 6.1% në 2008, 6% në 2007; 6% në 2008; BSH: 4-4.5% në 2009, 6% në 2008; FMN: 3.5% në 2009. Bile, BSH-ja, duke u vendosur midis BERZH-it dhe FMN-së, në mes të krizës globale, po dëshmon në mënyrë "të ndrojtur" dhe "frikën" e përgjegjësisë institucionale të kësaj strukture. Kur kërkohet edhe prej saj më shumë, mbi të gjitha më tepër transparencë, efektivitet dhe agresivitet. Pse jo dhe një reagim konkret dhe i prerë ndaj abuzimit qeveritar e apatisë qeveritare ndaj tregut dhe spekulimeve të tij, sidomos në atë të karburanteve e të shumë mallrave ushqimore...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama