Përse humbi dy herë dhe mund të humbë prapë e Majta…

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 10 vite më parë

Kastriot Islami
Përse humbi dy herë dhe mund të humbë prapë e Majta…

Të gjithë ata që i njohin sadopak rezultatet e zgje-dhjeve të 28 qershorit 2009  shprehen pa asnjë mëdyshje se “po të kishin dalë së bashku, PS dhe LSI, atëherë e Majta do t’i kishte fituar zgjedhjet”.  Sa e vërtetë është kjo mjafton t’i referohemi rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme (shiko tabelën më poshtë) dhe njëkohësisht për të bërë krahasimin mjafton të simulojmë një opsion, sikur PS me aleatët e saj do të bënte koalicion me LSI, që do të shoqërohej me aleatët e saj. Nga krahasimi i dy opsioneve, kur e Majta është ndarë dhe kur e Majta është e bashkuar, mund të nxirret përfundimi sesi ka ndikuar ndarja PS-LSI në humbjen e së majtës.

Në fakt, kjo duhet trajtuar si një arsye tjetër që shpjegon përse PS është në opozitë…Por nëse PD e LSI dalin së bashku në zgjedhjet e ardhshme, qëndrimi i tyre në pushtet bëhet i sigurt. Bile edhe nëse votat e LSI ulen ndjeshëm, ky koalicion rezulton me siguri të lartë maxhoritar dhe PS mbetet për herë të tretë në opozitë. Ky është faktori kryesor i humbjes në të  kaluarën dhe në të ardhmen …Dhe kjo nuk zgjidhet as me bojkot, as me protesta dhe as me greva…

E Majta e ndarë dhe e Majta e bashkuar….

Le ta quajmë e Majta (e bashkuar) koalicionin e përbërë nga BPN+ASI, në të cilin do të bënin pjesë 11 parti politike, 5 nga aleanca BPN(PS) dhe 6 nga aleanca ASI(LSI). Nëse në zgjedhjet e vitit 2009, aleanca BPN, e drejtuar nga PS, mori 66 mandate dhe aleanca ASI e drejtuar nga LSI mori 4 mandate, mund të thuhet se e Majta (e ndarë) mori 66 plus 4, baraz me 70 mandate, duke mos arritur të ketë shumicën matematike të vendeve në Kuvend. Për më tepër, ndarja midis PS e LSI ishte aq e thellë politikisht (për të mos përmendur të gjithë arsyet e tjera të shumta të kësaj ndarjeje), sa që LSI me katër mandatet e saj ndërtoi koalicion qeverisës ( “e detyruar” sipas LSI apo për “tradhti” sipas PS) me PD që së bashku me aleatët e saj kishte fituar 70 mandate. Nuk po analizoj përse dhe sa i nevojshëm, i drejtë apo efikas ishte apo  do të jetë koalicioni PD + LSI (kjo kërkon një analizë më thellë e më të gjerë dhe pa dyshim të shtrirë në kohë) por do të synoj të evidentoj shansin që kishte e Majta e bashkuar, për të çuar në opozitë PD. Dhe mbi të gjitha, si duhet të mos përsëritet gabimi i ndarjes në të ardhmen?!

Mandatet e së Majtës së ndarë dhe të Majtës së bashkuar…

Nga analiza e mëposhtme rezulton se në rastin, kur PS dhe LSI do të mund të kishin ndërtuar një marrëveshje politike paraelektorale (duhet pasur parasysh dhe theksuar se marrëveshja politike nuk varet dhe nuk diktohet nga sistemi elektoral, por nga shumë faktorë të tjerë politikë e jo politikë, që mesa duket nuk kanë favorizuar një bashkim të tillë sepse siç dihet nga cilido, në çdo sistem elektoral është më mirë të bashkohesh sesa të ndahesh dhe që ndarja ul shanset e fitores ndërkohë që bashkimi i rrit ato; kjo dihet edhe nga më naivët e jo më nga lidershipi politik dhe arsyet e vërteta të mosbashkimit nuk duhen kërkuar te sistemi, por kostoja që ka çdo bashkim të cilin lidershipi nuk ishte i prirur ta merrte në konsideratë, kryesisht për arsye personale të drejtuesit të PSSH) jo vetëm që PS do të ishin së bashku edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, por më tepër ato së bashku “matematikisht” do të kishin 72 mandate, pra shumicën në Kuvend dhe do të ndërtonin Qeveri të përbashkët.

E thënë ndryshe, një faktor jo i parëndësishëm përse PS aktualisht ndodhet në opozitë lidhet me faktin se PS nuk gjeti gjuhën e përbashkët me LSI, për të ndërtuar politikisht koalicion të përbashkët. E thënë më shkoqur, e Majta e bashkuar do të fitonte 72 mandate dhe për rrjedhojë do të ndërtonte Qeverinë e përbashkët, ndërsa e Majta e ndarë jo vetëm që matematikisht ka dy mandate më pak, pra 70 mandate, por edhe politikisht gjendet në ndarjen më të thellë të historisë së saj, kur njëra pjesë e saj, PS, është në opozitë dhe pjesa tjetër e saj, LSI, bashkëqeveris me PD, një forcë e djathtë. Mesa duket, jo më një çudi në politikën shqiptare.

Përfitimi dhe kostoja e një bashkimi politiko/elektoral/qeverisës….

Sistemi proporcional rajonal është pak i ndjeshëm (në kushte normale) ndaj bërjes/mosbërjes së koalicionit midis dy forcave politike në kuptimin që diferenca e mandateve në opsionin bashkim me opsionin ndarje është jo fort e madhe, po të krahasohet me sistemin e mëparshëm elektoral. Por natyrisht gjithnjë, pavarësisht sistemit zgjedhor, rezultati është më i lartë për dy forca, kur ato bashkohen sesa kur ato ndahen. Nga ana tjetër, kur merren vendimet për t’u bashkuar dy forca politike, gjithnjë efikasiteti i koalicionit llogaritet duke synuar të maksimalizohet faktori përfitim/kosto.

Kjo do të thotë se çdo bashkim ka edhe koston e tij që duhet të llogaritet, si për sa përket; i) sasisë së votave që vjen nga sjellja e votuesve ndaj bashkimit dhe ii) qeverisjes, e cila duhet bashkëndarë në rast se bashkimi i forcave politike fiton zgjedhjet. Në kushtet kur PD aplikoi taktikën e “bashkimit të madh”, duke futur nën sqetull pothuajse të gjithë forcat e djathta, nevoja e bashkimit të PS me LSI siç del edhe nga analiza e rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 rezulton e konsiderueshme deri “fatale”. Përfshirja e të gjithë forcave të djathta në koalicionin e drejtuar nga PD, jo vetëm do të rriste peshën relative elektorale të këtij koalicioni ndaj koalicionit të drejtuar nga PS, por do të reduktonte ndjeshëm sasinë e votave jashtë tyre që “rindahen proporconalisht”. Dhe kjo do të mund të përballohej vetëm me një bashkim të PS me LSI, por me koston për të bashkëndarë qeverisjen.

Përfitimi nga  bashkimi i PS me LSI…

Konkretisht nga të dhënat elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 del se nga bashkimi matematik i votave të BPN(PS) me ASI(LSI) në qarqet Elbasan dhe Tiranë do të zvogëlohej përkatësisht numri i mandateve të APN(PD) : i) në Elbasan, nga 7 në 6 dhe ii) në Tiranë, nga 16 në 15. Pra nëse do të trajtohej vetëm efekti matematik i ndërtimit të koalicionit të përbërë BPN+ASI, numri i mandateve të i) APN(PD) do të zvogëlohej nga 70 në 68 dhe ii) i të Majtës së bashkuar, BPN(PS)+ASI(LSI) do të rritej, nga 70 në 72 mandate. Pra efekti i bashkimit të së majtës në këtë rast konkret do të ishte plus 2 mandate në favor të së Majtës së bashkuar. Dhe përfitimi në këtë rast, nuk do të ishte thjesht matematik, por politik sepse qeverisja do të ishte e majtë... dhe PD do të ishte në opozitë. Duhet shtuar se në këtë rast e Djathta do të ishte e rrezikuar për të humbur edhe dy mandate të tjerë, përkatësisht në Berat dhe Vlorë, duke krijuar kështu mundësi që e Majta e bashkuar të arrinte shifrën e 74 mandateve.

…..Dhe kostoja e bashkimit të PS me LSI…

Nëse PS dhe LSI do të vendosnin të formonin koalicion të përbërë, atëherë siç rezultoi nga më sipër, e Majta e bashkuar do të fitonte 72 mandate duke zotëruar shumicën e vendeve në Kuvend. Por cila do të ishte kostoja e këtij bashkimi. Së pari, PS do të duhej të bashkëndante jo thjesht proporcionalisht qeverisjen me LSI sepse roli i LSI në formimin e maxhorancës nuk do të ishte thjesht numerik. Kurse numerikisht situata do të ishte si vijon. 72 mandatet e së Majtës së bashkuar, bazuar në aplikimin e formulës Saint-Laguerre do të shpërndaheshin i) 63 mandate PS, ii) 8 mandate LSI dhe iii) 1 mandat PBDNJ. Në aspektin numerik “forca kuvendore” do të rritej ndjeshëm, duke u rritur, nga 4 mandate që ka aktualisht, në 8 mandate dhe roli i saj përcaktues në qeverisjen e majtë do të ishte qartas vendimtar. Kjo do të ishte edhe kostoja e këtij bashkimi.

… Dhe nëse bashkohej PD me LSI …

Nëse nga ana tjetër, PD do të dilte së bashku me LSI, atëherë ky koalicion do të fitonte 76 deputetë, duke rritur humbjen e PS në i) Fier, nga 9 në 8 mandate dhe ii) Lezhë, nga 3 në 2 mandate. Në këtë rast, PS në opozitë do të kishte pasur 64 mandate. Me një llogaritje të thjeshtë rezulton se edhe sikur LSI të zbresë në rreth 20 mijë vota e PD të mbetet e pandryshuar, koalicioni aktual qeverisës do të vazhdonte të kishte 74 mandate. Pra strategjia e PS për të zvogëluar LSI nuk do të ishte shumë e suksesshme.

Në vend të përfundimit: “Hendeku elektoral historik”, pësimi nga e kaluara dhe mësimi për të ardhmen…

Ky pësim i përsëritur, fillimisht në zgjedhjet e vitit 2005 (me pasoja më drastike, për shkak se sistemi zgjedhor i mëparshëm (me 100 zona maxhoritare) ishte më i ndjeshëm ndaj ndarjes së PS me LSI dhe më tej në zgjedhjet e vitit 2009, duhet vënë në dukje në mënyrë që ai të mos përsëritet në të ardhmen. Ky pësim duhet analizuar thellë që të mos përsëritet. Tentativa e lidershipit të PS, për të mundur kundërshtarin PD dhe njëkohësisht për të eliminuar apo zvogëluar LSI në kufirin maksimal (aq sa LSI të mos kishte mundësi të merrte mandate që e kthenin në një “forcë përcaktuese” për ndërtimin e qeverisë) ka rezultuar dy herë e dështuar. “Hendeku elektoral” tanimë gati “historik” prej rreth 60 mijë votash ose rreth 4 për qind të votave në shkallë kombëtare, midis të Majtës dhe të Djathtës, kur LSI vërtitet në kufijtë e 5-6 për qind të votave, nuk ka asnjë shans të kapërcehet me mungesën e një koalicioni të PS me LSI, apo akoma më keq në rast se mendohet të “absorbohen” nga PS 5-6 për qind e votave të LSI (LSI prej dy mandatesh merr 6-9 për qind të votave në shkallë kombëtare).

 Përfitimi nga bashkimi PS me LSI është i qartë: fitore e së majtës me siguri të lartë. Edhe kostoja në këtë rast është për t’u marrë në konsideratë: bashkëqeverisje dhe ndarje e përgjegjësive qeverisëse. Pësimi është i njohur: e majta dy herë në opozitë. Po ashtu duhet nëse PD dhe LSI dalin së bashku, humbja e PS bëhet e sigurt edhe nëse LSI do të zvogëlohej deri në 20 mijë vota. Mësimi për të ardhmen: i) në rastin e një reagimi pozitiv, shanset e fitores së bashkimit PS me LSI mund të rriten ndjeshëm për të majtën e ii) në rastin e një reagimi negativ, humbja për PS në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme është pothuajse e sigurt dhe strategjia e saj për të zvogëluar apo eliminuar LSI nuk do të funksiononte. Në këtë rast, pas një humbjeje të tretë, PS me shanse të larta, ose do të pësonte çarjen e tretë para zgjedhjeve, ose do të rrudhej ndjeshëm pas tyre… Strategjia e veprimeve radikale e ka nxitur dhe afruar një të ardhme të tillë, duke treguar se humbjet e saj e kanë themelin pikërisht në konceptin e saj të gabuar të përçarjes....

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama