Theksimi i kodit moral dhe mungesa e kodit civil

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 11 vite më parë

Mustafa Nano
Theksimi i kodit moral dhe mungesa e kodit civil

1.

Dje, të gjithë i ishin vërsulur Ylli Pangos, e kjo është e kuptueshme, pasi filmi i xhiruar nga kamera spiune dhe mizore e programit "Fiks Fare" nxirrte në shesh një palo ministër. Ishte e sikletshme e gjithë ajo meselé televizive; ishte e sikletshme për ne, por nuk do mend që ishte shumë më tepër e sikletshme për vetë Ylli Pangon, i cili pesë minuta pas përfundimit të programit satirik "Fiks Fare" mori vesh - tok me ne të tjerët - se nuk është më ministër. E shkarkoi Kryeministri, i cili nuk u fsheh si herë të tjera pas batutave me çimka (besoj se të gjithë e kujtojnë rastin "Gazmend Dibra", kur Kryeministrit tonë nuk ia bëri syri tërr përballë përgjimeve të së njëjtës natyrë, të cilat denonconin - sipas meje - një dukuri shumë më të shëmtuar e shumë më të rrezikshme se sa pejzat e këputura mishtore të një ministri).

Kryeministri e shkarkoi duke marrë miratimin e të gjithëve. Dhe nuk kish se si të ndodhte ndryshe. Por nga ana tjetër nuk do të ish mirë të merreshim me dëngla, të cilat do të synonin ta nxirrnin Pangon si macen e zezë të një qeverie, e të cilat do të kishin për pasojë eklipsimin e disa skandaleve të tjera qeveritare, që janë sipas të gjitha kritereve morale të botës shumë më të rënda. Këtë po bën mazhoranca e sotme, e cila nuk po kursen asnjë epitet fyes e përçmues për atë që 24 orë më parë ka qenë një ministër bujëmadh i kësaj qeverie. Dhe vini re: shumica syresh nuk e hedhin poshtë si ministër, as si ministër që ka abuzuar me detyrën e me postin, por e leqendisin si njeri e si burrë. Tek i sheh që luajnë rolin e kryqtarit në emër të moralit kundër Pangos së pamoralshëm të vjen t‘u thuash: ligjëroni, ligjëroni, por dijeni se vetëm një ndryshim keni nga Pango! E dini se cili është ndryshimi? Pangon e filmuan, ndërsa juve nuk ju kanë filmuar. Kaq.

Ka plot njerëz që mendojnë në mënyrë të thjeshtëzuar se Pango, me këtë që ka ndodhur, thjesht ka "groposur" veten. Këta janë njerëzit e entourage-it të Kryeministrit, të cilët harrojnë se kryqëzimi i Pangos nuk mund të shpëtojë një pushtet të tërë, bëmat e të cilit janë ku e ku më të rënda e më të frikshme. Kështu që nuk do të ishte keq që kjo puna e Pangos të mos tirrej më gjatë se sa duhej.


2.

E përsëris: në këtë Shqipërinë tonë kanë ndodhur gjëra ku e ku më imorale. Jo vetëm kaq: edhe vetë Ylli Pango ka bërë gjëra më të shëmtuara se sa kjo, për të cilën u kryqëzua politikisht fët e fët e për të cilën do të kryqëzohet moralisht - në stilin shqiptar - çikë e nga një çikë. Një nga këto gjëra të shëmtuara e bëri para ca ditësh, teksa ish ulur të shkruante një shkrim polemik kundër Ardian Klosit, i cili u publikua në të përditshmen "Panorama". Më duhet të pranoj (ndoshta duke çuditur dynjanë), se ai shkrim më ka skandalizuar më shumë se sa përdorimi i postit ministror për të ndjellë seksualisht një vajzë. Kush ka nge e dëshirë le ta gjejë këtë shkrim në internet, e do të zbulojë se në vardisjen krejt të pashijshme ndaj gazetares lozonjare të maskuar si hallexheshë ka pasur më shumë takt, stil, elegancë e qibër se sa në atë artikull të shkruar me një gjuhë të egër, të papërpunuar, banale, rrugaçërore. Lexojeni, e do të më jepni të drejtë! Afërmendsh, një ministër që e përdor postin si element të sex-apeal-it të vet duhet shkarkuar pa një, pa dy, por shkrime të tilla janë një arsye më e fortë për ta shkarkuar dikë nga një post i lartë institucional.


3.

Ndonëse një numër opinionistësh, teksa thoshin të tyren lidhur me ngjarjen "Pango", ishin fokusuar mbi të gjitha tek abuzimi me pushtetin (me të drejtë), shqiptarët e zakonshëm ka shumë gjasa të mos ia vënë veshin këtyre borive, gjë që unë pata rast ta vëreja të nesërmen e transmetimit të përgjimit televiziv në bisedat rastësore me njerëz rastësorë. Qortimi bazë që bëhej mbyllej me fraza të llojit "nuk bën burri kështu", ose "hajde burrë, hajde", ose "ja, çfarë njeriu legen paska qenë" etj. Në asnjë rast nuk m‘u tha: hajde ministër, hajde!

Ata, pra, kanë një fokus të tyre, i cili ka lidhje me një ortodoksi morale që, edhe kur s‘e kanë, duan të krijojnë idenë (ose të gënjejnë veten) sikur e kanë. Me fjalë të tjera, ka plot arsye të besojmë që shumica e shqiptarëve janë të shock-uar (ose kinse të shock-uar) nga lapërdhia e palavia seksuale e një burri, e jo nga paturpësia e një ministri për të përdorur një post publik për qëllime ngushtësisht private. E kjo është një nga limitet apo cenet e shoqërisë sonë; me fjalë të tjera, ne shqiptarët jemi të prirur t‘i fajësojmë të tjerët për cene individuale, por jo për zullume publike; me fjalë të tjera akoma, ne shqiptarët kemi (ose bëjmë sikur kemi) kod moral, por nuk kemi kod civil. Kjo është një simptomë e shoqërive të prapambetura.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama