Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Duhet te shqetesohemi per rezultatin? Jo, per procesin

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Duhet te shqetesohemi per rezultatin? Jo, per procesin

"Shqip"-i i djeshëm hapej me një titull gërmëmadh në faqe të parë: Berisha merr kredi për zgjedhjet. Dhe nëntitulli ishte: 180 objekte presin gërshërën e kryeministrit. Afërmendsh, nuk ka qenë nevoja të lexonim përmbajtjen e shkrimit që paralajmërohej nga këta tituj për të kuptuar se e gjithë kjo është e vërtetë. Sali Berisha do të bëjë gjithçka në funksion të një fushate elektorale pompoze e luksoze. Ai ka mundur të bëjë fushata të tilla edhe në opozitë, e për këtë arsye, do të jetë fare e kollajtë për t‘i bërë tani, që është Kryeministër, kur ka në dorë ta përdorë buxhetin e shtetit si t‘ia ketë ënda, e kur nuk gjendet askush ta kundërshtojë në këtë aventurë që do t‘i kushtojë vendit miliona euro. Jepej dje dhe prononcimi i një zv.ministri të Financave, i cili thoshte se borxhi prej 250 milionë eurosh, i marrë prej bankave të huaja nuk do të ketë një një qëllim të caktuar; do të jetë thjesht një mbështetje buxhetore. E kuptoni? Po merret një kredi tregtare pa asnjë qëllim të caktuar; po merret për ta përdorur si "një mbështetje për buxhetin". Si ta lexojmë këtë "mbështetje për buxhetin"? Shumë thjesht: mbështetje për fushatën elektorale të Kryeministrit.

Gjëja më pak e kushtueshme në gjithë këtë histori do të jenë gërshërët, me të cilat do të na fanepset disa herë në ditë Kryeministri për të prerë shiritat e përurimit të rrugëve dhe urave tepër modeste, në pikëpamje të vlerës së përdorimit e të vlerës së investimit. Nuk është çështja se këto rrugë e këto ura nuk duhen ngritur; puna është se përurimi i këtyre palo rrugëve e palo urave është punë karagjozësh. Nuk na kanë zënë kurrë sytë kryeministra e ministra, që rendin të bëjnë përurime rrugësh me gjatësi një kilometër apo urash qesharake, që lidhin brigje përrenjsh. Ura të tilla bëhen dhe pikë. Nuk meritojnë nga ana tjetër asnjë vëmende mass-media-tike, e në këtë kuptim, pavarësisht se të gjitha gazetat e televizionet do të jenë të ftuar nga stafi i Kryeministrit për të ndjekur nga afër këto spektakle të shpifura përurimesh, nuk do të bënin keq t‘i injoronin. Ose ndoshta bëjnë mirë të shkojnë e të filmojnë, pasi me Berishën ka përherë qyfyre, të cilat mund të përdoren në programe satirike, por do të ishte punë dreqërish nëse do të na shtrëngonin të shihnim tri herë në ditë në lajme fytyrën e Berishës me gërshërë në dorë. Dhe në fakt, është e sigurt që televizionet do të bëjnë pikërisht atë që do Berisha. Këtë kanë bërë gjithmonë gjatë gjithë këtyre viteve. Me të gjithë kryeministrat. Edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili është aspirant për Kryeministër.

E dini çfarë? Le t‘i bëjë Berisha këto festa përurimesh! Le ta marrë dhe këtë kredinë tregtare me terma të rëndë plumb! Eshtë e vërtetë që do të jenë pará të çuara dëm, por s‘kemi se çfarë të bëjmë. Nuk e frenojmë dot në këtë marrëzi, ashtu si nuk kemi mundur ta frenojmë në të gjitha marrëzitë që ka bërë deri më sot, n‘daçi si President i Republikës, n‘daçi si leader i opozitës, n‘daçi si Kryeministër. Kemi vetëm një mënyrë për t‘i thënë "stop": duke votuar kundër tij dhe kundër skotës që i bën amen gjithë kohën.

Dhe këtu vijmë tek thelbi i çështjes. Sali Berisha është i humbur në çdo rrethanë, e nuk ka kredi e gërshërë që ta shpëtojnë; ai ka qenë dhe është përfaqësues i pakicës në këtë vend. Ka mbi dhjetë vjet që është i tillë. Madje, dhe në pushtet erdhi si përfaqësues i pakicës. Mund të merret me mend se cila do të ishte mbështetja elektorale pas katër vitesh qeverisjeje, në harkun e të cilave ne kemi parë të thyhet në mënyrë të bujshme e tragjike (tragjike për ne të tjerët) e vetmja degë, ku mbahej Berisha në etjen për pushtet. Është fjala për gjoja ndershmërinë e tij. Pas asaj që ndodhi në Gërdec e pas pasurimit galopant të familjes së tij, kjo alibi e mbështetësve të tij nuk ekziston më, gjë që s‘do të thotë megjithatë se mbështetësit nuk do të ekzistojnë. Përkundrazi, do të ketë gjithmonë me vete e pas vetes një numër mbështetësish, herë të motivuar në mënyrë korruptive, herë në mënyrë parrokiale, herë në mënyrë fetare, herë në mënyrë kanunore e herë në mënyrë klienteliste (ka gjithashtu në këtë korpus edhe njerëz të motivuar në mënyrë politike, dhe kjo është e vetmja pjesë e paqortueshme; fjala vjen, njerëz që kanë vuajtur prej komunizmit, e që nuk kanë arsye t‘ua japin votën ish-komunistëve).

Nuk e di Berisha që është pakicë? Eshtë e vetmja gjë që di me siguri në këtë botë. Dhe kështu shpresa e tij mbetet ruajtja e këtij korpusi mbështetësish të zellshëm e të palodhur, i cili në rrethanat e kacafytjes visherale opozitare mund të shndërrohet nga pakicë elektorale në shumicë parlamentare. Kjo është e mundur që ç‘ke me të. PS-ja dhe LSI-ja kanë treguar se më të lehtë e kanë të merren vesh me partinë e Berishës, se sa me njëra-tjetrën. Në këtë drejtim, PS-ja ka dhënë sinjale të qarta bashkëpunimi me PD-në në nivel reformash, apo kinse reformash; ndërsa LSI-ja së fundmi dha një shenjë të frikshme dhe elokuente se mund të bëhet me PD-në në nivel qeverisjeje (ishte shumë e rëndë dhe shumë e shpifur aleanca PD-LSI në këshillin bashkiak të Tiranës, gjë që bëri të mundur bllokimin e buxhetit). Dhe kështu, pra, mund të ndodhë që Berisha të qëndrojë në politikë e në pushtet, duke përdorur copa të tjera opozitare në funksion xhuveli-an (qoftë PS-në për një Grand Koalition, qoftë LSI-në për një shumicë qeverisëse). Ka gjasa vërtet? Hm, një dreq e di, veçse Berisha me siguri e mendon si një prej varianteve alkimike të shndërrimit nga pakicë elektorale në shumicë qeverisëse.

Por më shumë, Berisha mendon një variant tjetër, atë të manipulimit të zgjedhjeve. Një Kryeministër që e ka mbushur Policinë e Shtetit me tropojanë, e ka domosdo një arsye që e bën këtë. Cila është arsyeja? Që të punësojë disa bashkëfshatarë të vetët? Jo, absolutisht jo. Këta, duke qenë se bëhet fjalë për disa dhjetëra vetë, mund t‘i punësonte gjetkë. Që t‘ia dalë mbanë të rivendosë rendin publik në binarë ligjorë? Përkundrazi, praktikat nepotike nuk kanë lidhje me ndonjë merak mbi shtetin ligjor. Përse atëherë? Sigurisht, për të bërë ndonjë të pabërë gjatë mandatit qeverisës (ajo që ndodhi me makinën e Mero Bazes flet më së miri për këtë gjë), por edhe për t‘i patur - ky është funksioni më i rëndësishëm i çdo policie berishiane - si gardë elektorale në katundet e Shqipërisë, aty ku banojnë shumica e zgjedhësve shqiptarë e aty ku syri vigjilent i organizmave monitorues nuk mund të shkojë dot.

Policia nuk mund të bëjë të mundur vjedhjen e votave të mjaftueshme për ta shndërruar pakicën në shumicë? Epo mirë, ai ka në dorë këtë lojën me kartat e reja të identitetit. E vonoi këtë proces aq sa deshi, dhe ja ku jemi në situatën, kur koha ka shtrënguar në maksimum, e kur, nën pretekstin e nevojës për të nxituar mund t‘i futet një shkelm transparencës. Eshtë për të ardhur keq, por opozita nuk po di si të ruhet prej marifeteve të mundshme me kartat. Mjaftohen të thonë se vjedhja e votave, nëpërmjet kontrollit të procesit të prodhimit të kartave të identitetit, është një praktikë shumë e preferuar nga regjimet policore afrikane, por nuk po shohim të bëjnë asgjë për të patur akses në këtë proces.

Sali Berisha mund të qëndrojë në pushtet me të gjitha mënyrat; mund të qëndrojë me ndihmën e Edi Ramës, me ndihmën e Ilir Metës, me ndihmën e gazetarëve, me ndihmën e të huajve, por ai nuk duhet lejuar të qëndrojë në pushtet me ndihmën e votave të vjedhura. Një opozitë që arrin ta ndalojë Berishën të vjedhë votat, është për t‘u përshëndetur më shumë se sa një opozitë që fiton zgjedhjet. Paradoks? Ndoshta. Por nuk duhet të kemi pikën e dyshimit se procesi elektoral është më i rëndësishëm se sa rezultati. Rezultati i gabuar që vjen nga një proces i ndershëm është absolutisht më i mirë se sa një rezultat kinse i drejtë që vjen prej një procesi të pandershëm. Kur vjen puna pastaj që edhe procesi është i pandershëm, edhe rezultati është i padrejtë (kjo është ajo, me të cilën na kërcënojnë berishianët këtë verë), është për të vënë duart në kokë. Opozita duhet ta pengojë këtë gjë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama