'Maqedonia' po tregon edhe brishtësinë e vet shqiptarëve

Shkruar nga: Ben Andoni  
Botuar më: 8 vite më parë

Ben Andoni
'Maqedonia' po tregon edhe brishtësinë e vet shqiptarëve

Megjithë dëshirën dashakeqe të maqedonasve, elementi fetar deri më tani nuk përbën trendin e vërtetë të protestës por flet qartë se kërkon barazi dhe dinjitet. Marrja e statusit kandidat të Shqipërisë, pak ditë më parë, i ka shtuar një barrë jo të vogël mes shqiptarëve. Veç malit me probleme që duhet të ngjisë drejt integrimit, Shqipëria duhet të tregojë fytyrën e saj evropiane edhe në diplomacinë rajonale. Në rastin e fundit, përballë situatës, e cila lidhet me shqiptarët e Maqedonisë.


Ashtu si pritej prej kohësh në Shkup, ka mjaftuar një shenjë dhe situata e pakënaqësisë mes shqiptarëve ka shpërthyer egër. Protestat, që nisën de jure si kundërshtim ndaj akt-vendimit të gjykatës për procesin gjyqësor “Monstra”, po përcjellin de facto problemet e mëdha të pazgjidhura të shqiptarëve. Ato kanë nxjerrë dukshëm se shumë çështje të tyret çalojnë nga Kushtetuta e pamaturuar maqedone, madje një pjesë e problemeve s’janë fare të rregulluara që në dokumentin themeltar. Vendasit e dy etniteteve dinë mirë tashmë se një masë e madhe çështjesh lidhen direkt me statusin aktual juridik dhe kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni. Madje, juristët pretendojnë se ndryshimi duhet të fillojë prej nga preambula e Kushtetutës, e cila po tregon se nuk i shkon fare frymës së ‘Marrëveshjen e Ohrit’. Ku statusi shtet-formuesit i etnisë shqiptare është fare i papërfillshëm. Por, sikur të ishte vetëm kjo!

 

Protestat kanë qenë edhe një kambanë alarmi për dy forcat politike kryesore shqiptare në vend: BDI-së në qeveri, e cila në ditët e fundit paradoksalisht është duke menduar për zgjedhjen e zv/ministrave të rinj dhe PDSh-së, që i ofendon ata në çdo hap. Protestat kanë bërë me dije se nëse ndaj autoritetit maqedon shqiptarët janë direkt kundërshtues, kjo s’vlen më pak edhe ndaj retorikës së dy partive kryesore shqiptare në vend. Prej mos seriozitetit të tyre, edhe pse kanë kaluar vite nga Marrëveshja e Ohrit, pika të saj s’kanë gjetur asfare implementimin. Marrëveshja e Ohrit parashikonte miratimin e një ligji, për autoritetin e të zgjedhurve vendorë dhe shtimin kompetencat e tyre.

 

S’u implementua kurrë si duhet. E njëjta gjë ndodhi për mosdiskriminimin dhe përfaqësimin e drejtë, ku Marrëveshja parashikonte trajtimin e barabartë të të gjithë personave përpara ligjit. Rasti i fundit në Gjykatë u përcoll me protestat. 1/3 e Gjykatës Kushtetuese duhet të përmbante shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve, të cilët nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni, por s’është arritur. Në këtë situatë të shqiptarëve edhe pse kanë peshkuar shumë elementë islamikë, megjithë dëshirën dashakeqe të maqedonasve, ajo deri më tani nuk përbën trendin e vërtetë të protestës. E cila flet qartë se kërkon barazi dhe dinjitet ose si e shprehu në mënyrë konçize kryeministri Rama: “Protestat erdhën nga moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit”. Reagimi i zbehtë i VMRO-së, partisë së Gruevskit, ndaj Ramës tregon se reflektimi është larg.


Por, megjithatë, në fund, larg kaosit të Shkupit, Tirana dhe Prishtina zyrtare, duhet t’i jepnin të paktën një mesazh bashkëpunimi forcave politike shqiptare në Shkup. Një gjë që duket fare e largët, pasi parlamenti shqiptar ashtu edhe maqedon janë larg frymës së bashkëpunimit. Duke e treguar, në të gjithë elementët lëvizjen e fundit në Maqedoni të jetë një protestë dhe kundër përçarjes së vetë shqiptarëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama