Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Regjistrimi, problemi vjen nga jashtë

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Nazarko
Regjistrimi, problemi vjen nga jashtë

Përballë rritjes së mobilizimit të një pjese të rëndësishme të opinionit publik shqiptar kundër procesit zyrtar të regjistrimit, përfshirjes në të dhe të penave të shquara nga jashtë Shqipërisë politike, si Arbër Xhaferri, ka pasur dhe zëra autoritarë pro këtij procesi regjistrimi. Më i fundit ishte Fatos Lubonja, i cili mbetet besnik i një qasjeje çmitizuese, të identitetit të hershëm dhe të ri të shqiptarëve.

Një qasje e tillë, e zgjedhur nga një figurë si Lubonja, e rrit cilësisht debatin dhe diskutimin për një çështje të tillë si regjistrimi, sepse ajo na fton të shikojmë në mënyrë kritike vetveten. Pavarësisht se Lubonja në shkrimin e vet mundohet të thjeshtojë në maksimum pozicionin e kritikëve të procesit zyrtar të regjistrimit, duke i konsideruar ata si bartës të një paranoje për rrezikun e disintegrimit kombëtar, apo krijimit të së ashtuquajturës kauzë të Vorio Epirit, tezat e Lubonjës meritojnë vëmendje. Dhe jo thjeshtim. Por, në pamundësi për t’u marrë në stil të gjerë me të gjithë konstruktin e tij ligjërimor pro regjistrimit zyrtar – ai në fakt nuk hynte në detaje – ja vlen ta ftojmë atë për një modifikim të vogël në qasjen e tij tradicionale. Kjo ftesë e jona, në fakt s’ do merret me shumë momente të regjistrimit, apo me tërë idetë e tij, por vetëm me disa.

Nevoja e koncepteve të sakta

Në artikullin e Lubonjës vihet re një prirje për të përkufizuar në një qasje Perëndimore, konceptin e asaj që quhet rëndom përkatësi etnike, apo kombësi. Një studiuesi, një sociologu, dhe një juristi me ndihmën e të parëve, i lejohet të krijojë përkufizime. Në shumë vende Perëndimore, koncepti kombësi është i lidhur me raportin që ka qytetari me shtetin e vet, d.m.th, barazohet me shtetësinë. Edhe ky nënvizim i Z.Lubonja, kjo lirshmëri e tij për të përkufizuar, tregon sesa i papërcaktuar është dhe në një rrafsh global, një koncept i tillë si kombësia.

Për pasojë, nëse një koncept i tillë është i papërcaktuar në rrafsh global, duke u luhatur shumë, si mund ta përkufizojmë ne, apo Instituti i Statistikave me një lehtësi kaq të madhe në të ashtuquajturin formular të procesit të regjistrimit? INSTAT-i në mënyrë administrative, pa ligj, diçka mjaft e rëndësishme, përkufizoka konceptin e përkatësisë etnike!? Asnjë konventë ndërkombëtare nuk ka ofruar një përkufizim unik; asnjë ligj shqiptar nuk e ka bërë deri më sot. Greqia vetë e ka bërë vetëm para pak vitesh. Atëherë, me çfarë mendjelehtësie kjo qeveri, nëpërmjet INSTAT-it, ngutet të na përkufizojë përkatësinë etnike dhe të na ofrojë në një formular listën e këtyre përkatësive? Pse neni 20 i Kushtetutës përdor një term si përkatësia etnike? Ky nen interpretohet në një mënyrë krejt banale nga mbrojtësit e këtij regjistrimi që nga Nikolas Geixh, tek konsujt grekë, deri tek ofiqarët më të lartë të shtetit shqiptar, që ja kanë premtuar Geixhit regjistrimin. E drejta e deklarimit të përkatësisë etnike, fetare dhe gjuhësore, (paragrafi 2 i nenit 20, duhet lexuar së bashku me paragrafin 1) është vetëm për pakicat, por që të vërtetosh se je pakicë, nëse s’je njohur deri më tani si pjesëtar i saj, duhet të ofrosh prova objektive. E drejta kushtetuese, për të cilën flet neni 20, nuk është vetëdeklarimi me gojë, por vetëdeklarimi i asaj përkatësie etnike të provuar objektivisht. S’po merremi ndërkaq me antikushtetueshmërinë e deklarimit të përkatësisë fetare dhe problemet që do të krijojë ajo.

Problemi nuk është i brendshëm, por vjen nga jashtë

Cili është motivi që të improvizohet kaq banalisht me një çështje kaq të rëndësishme prej shtetit shqiptar? Për të bërë politika sociale? Për të kuptuar më mirë shoqërinë tonë dhe prirjet e saj? A llogarit kush se problemi ndër ne nuk është i brendshëm, pra se ne nuk kemi probleme me trajtimin e pakicave, por se fqinjët duan dhe do të na krijojnë probleme? Nëse ne do të kishim probleme në trajtimin e pakicave, atëherë në Shqipëri do të kishte parti të forta pakicash, do të kishte probleme etnike etj, etj. Fakti që nuk ekzistojnë kauza për to, sjell si pasojë tkurrjen e vazhdueshme të partive të pakicave dhe rreshtimin e politikanëve minoritarë në partitë e mëdha. Por i këtij mendimi nuk janë fqinjët dhe kjo është shqetësuese: si mund të lejojë një shtet anëtar i NATO-s, që dy konsuj, në fakt dy autoritete thjesht administrative të vendit fqinjë, të bëjnë thirrje për beteja të Vorio Epirit që lidhen me regjistrimin, apo që do të pasojnë regjistrimin?

Këtu mbërritëm tek dy momente të tjerë mjaft të rëndësishëm, të nënvizuara prej Lubonjës. Më i pari lidhej me paaftësinë tonë për të ngritur një shtet, që nuk do të detyronte njerëzit e tij të ndërronin qoftë shtetësinë, qoftë përkatësinë etnike. Më i dyti, lidhej me nevojën e forcimit të luajalitetit të individit në raport me shtetin, e ndërtimit të një shteti qytetar, ku përkatësia etnike apo kulturore nuk dominon shtetin. Elementi i dytë në të cilin vinte theksin Lubonja, në fakt ka lidhje me të parin: nëse qytetari, shtetasi, nuk ka respekt, vlerësim për shtetin e tij, aq më shumë mund të krijojë një raport luajal me këtë shtet.
Është shumë e drejtë qasja filozofike e Z.Lubonja, që më së pari ne duhet të fillojmë shikimin kritik nga vetja. Por, për efekt analize, ne e ftojmë atë ta shikojë regjistrimin edhe si proces për të cilin kanë interes ekskluziv grekët, që jo vetëm nuk i gjejnë brenda vetes arsyet për falimentimin e shtetit të tyre, por mundohen të ngushëllohen me beteja të rreme për minoritetin e vet në Shqipëri.

Madje, me shumë gjasa do shprehin shumë interes rumunët, të cilët po heshtin tani, për t’u aktivizuar më vonë, kur të bëhen publike rezultatet e regjistrimit për vllehtë. Ne jemi plotësisht dakord me qasjen e Z.Lubonja, se s’ia vlen të jesh krenar për këtë shtetin tonë, se njerëzit kanë akoma motive për të ikur, për të ndërruar shtetësinë- si shqiptarët në Kanada, dhe kombësinë apo përkatësinë etnike- siç bëjnë vetëm në Greqi. Ama, realisht, një shtet i tillë, s’mund të jetë kurrë shtet qytetar dhe një gjë duhet kuptuar njëherë e mirë. Me këtë lloj procesi regjistrimi, ku të huajt ndërhyjnë kaq brutalisht, vërtet do të zvogëlohen gjasat që qytetarët të kenë respekt për shtetin e tyre dhe do të shtohen arsyet për ta lënë atë.

Falë ndikimit grek, ne po rrezikojmë të kemi një shtet ku duhet të fuqizohet përkatësia e rremë etnike, në dëm të përkatësisë qytetare, pra luajalitetit për shtetin. Ka vetëm një shpresë: nëse do ta shohim procesin e regjistrimit si proces ku koncepti i përkatësisë etnike është i saktë, i përcaktuar ligjërisht, jo vetëm mbi bazën e vetëdeklarimit, por dhe i dokumenteve objektive që e mbështesin atë, atëherë do të jemi në një gjatësi vale me Z.Lubonja, pro regjistrimit. Nëse do ta shohim këtë proces si proces rutinor të një vendi sovran, ku vendi fqinjë nuk ndikon ofiqarët tanë servilë nëpërmjet mercenarëve si Geixh apo niveleve të ulëta diplomatike si konsujt, atëherë me siguri do të jemi bashkë me Lubonjën.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama