11 Janar 2026

Policia e Tiranës ka deklaruar se zjarri që ra në tregun e rrobave të përdorura në zonën “5 majit” dyshohet se ka qenë aksidental. Ai ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në një nga kapanonet e tregut, ku për pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe në mallra.

“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, njoftoi policia.

Përveç dëmeve materiale, incidenti ka shkaktuar edhe dëme të mëdha mjedisore. Shtëllungat e tymit kanë ndotur ajrin në zonat përreth Tiranës, duke shqetësuar banorët dhe duke rrezikuar ambientin.

Ndërkohë, bizneset që nuk u prekën direkt nga zjarri, por nga nxehtësia e shkaktuar prej tij, kanë pësuar dëme më të vogla, të cilat po verifikohen nga autoritetet.