21 Janar 2026

Gjykata e Distriktit të Narës ka dënuar me burgim të përjetshëm Tetsuya Yamagami-n, burrin që vrau ish-kryeministrin japonez Shinzo Abe me një armë të improvizuar, në korrik të vitit 2022.

Yamagami, 45 vjeç, qëlloi Abe-n nga afër gjatë një fjalimi elektoral në qytetin e Narës. Ish-kryeministri ndërroi jetë pak orë më vonë, në një atentat që tronditi Japoninë dhe opinionin ndërkombëtar, në një vend ku dhuna me armë është jashtëzakonisht e rrallë.

Duke dhënë vendimin, gjyqtari e cilësoi krimin si të paramenduar, jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe keqdashës, duke theksuar se sulmi u krye në mes të një turme njerëzish.

Sipas autoriteteve, Yamagami e kishte ndërtuar vetë armën dhe kishte pritur momentin për të vepruar. Ai u arrestua në vendngjarje dhe më pas u akuzua për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë hetimeve, autori deklaroi se e kishte shënjestruar Abe-n për shkak të lidhjeve të supozuara të ish-kryeministrit me Kishën e Unifikimit, një sekt fetar që Yamagami e fajëson për shkatërrimin financiar të familjes së tij. Pas vrasjes, qeveria japoneze hapi hetime ndaj kishës, të cilat çuan në vendimin për shpërbërjen e saj, një vendim që aktualisht është në apel.

Shinzo Abe ishte kryeministri më jetëgjatë në historinë e Japonisë moderne dhe një figurë kyçe në politikën rajonale dhe globale. Vrasja e tij solli pasoja të forta politike dhe tronditi thellë shoqërinë japoneze.

Top Channe