
Vota e diasporës mundet te përcaktoje formimin e qeverisë. – Jo si vullnet i lirë i qytetarëve, por si rezultat i ndikimit dhe mekanizmave nga shtete të tjera
1 Maji 2015
Vota e diasporës u pa vetëm në kontekstin politik dhe nuk u hartuan strategji afatgjata, duke vlerësuar edhe rreziqet ndaj të cilave ekspozohet vendi ynë.
Financimi apo dhurimi i parave për fushatën elektorale nuk është i rregulluar me ligj.
Të dhënat nuk deklarohen në asnjë regjistër dhe, për rrjedhojë, nuk janë objekt monitorimi.
“Pikë e errët në diasporë është lëvizja e parave. Ne nuk kemi bazë ligjore që e rregullon ardhjen e parave për fushatë elektorale nga diaspora ose aktet që po ndodhin në diasporë për transparencën e tyre financiare: kush i financon, për çfarë arsyeje dhe si deklarohen këto në sistem. Na mungon kjo lloj baze ligjore. Ne nuk kemi as një element parandalues për ndikimin e palëve të treta që mund të kenë në zgjedhjet e diasporës”, u shpreh Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike.
Një pikë e cila është tërësisht e lirë për këdo është investimi nga persona të tretë në fushatë, të cilët mund të ndikojnë drejtpërdrejt. Këtu bëjnë pjesë edhe influencat e ndryshme nga shtete që kanë interesa të shtrijnë më tej ndikimin në Shqipëri. Një plagë që ka mbetur pa adresim, edhe pse ndërhyrjet e grupeve të lidhura me shtete të tjera nuk kanë munguar në asnjë palë zgjedhjesh.
“Le të supozojmë që një grup i caktuar politik, shtetëror, informal apo biznesi në një shtet të caktuar — përfshirë edhe vende fqinje si Greqia — ka interes për të lobuar për një kandidat të caktuar në Shqipëri. Ata mund ta zhvillojnë këtë lloj ndikimi dhe ne nuk kemi asnjë mekanizëm parandalues. Duhet të kishte një lloj qasje strategjike afatgjatë e të qëndrueshme, që është detyrë shtetërore për të mbrojtur interesat shtetërore”, u shpreh Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike.
Në vende të tjera ka ndodhur që vota e diasporës të ketë përcaktuar formimin e qeverisë. Jo si vullnet i lirë i qytetarëve, por si rezultat i ndikimit dhe mekanizmave nga shtete të tjera. Tek ne kjo çështje ende nuk është temë diskutimi. Në këto kushte, vendi ekspozohet ndaj një rreziku të panjohur.
“Ne kemi menduar thjesht dhe vetëm për zarfin: se si të shkojë, se si grupi mbështetës i partive voton dhe se si ai zarf të vijë. Por asnjë nga këta elementë që në vende të tjera — si në Bosnje, Kroaci, madje edhe në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut, e deri në zgjedhjet e fundit në Rumani — kanë ndikuar në raportet politike të vendit dhe në përcaktimin e fituesve nga aktorë të tretë dhe grupe informale nga jashtë, në Shqipëri nuk është temë debati kjo gjë”, u shpreh Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike./Inside Story