Teatri ‘vija e kuqe’, Basha protestë me artistët: – Nëse e shembin të presin zjarrin e popullit në institucione e qendra tregtare! Budina: Opozita është me ne

Opozita është zotuar se do të përkrahë kauzën e artistëve, të cilët thonë se Teatri Kombëtar nuk mund të shembet, pasi është një vlerë e trashëgimisë kulturore.

14 Maj, 19:45

TIRANË– Ditën e hënë Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ndërsa Kreu i PD-së, Lulzim Basha pas takimit me një grup artistësh foli për ‘vija të kuqe’.

Në deklaratën që kryedemokrati Basha bëri pas takimit u shpreh se çdo hap për prishjen e Teatrit Kombëtar është akti i pastër luftë.

Basha paralajmëroi edhe për protesta të qytetarëve nëpër institucionet, që siç tha ai janë të uzurpuara. Nga ana e tyre, artistët u shprehën të bindur se Lulzim Basha do të jetë me ta në mbrojtje të Teatrit  Kombëtar.

“Do të vazhdojmë t’i mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat. Afera me Teatrin Kombëtar është afera e radhës e korrupsionit të një qeverie në ikje. Në kohën e pandemisë, kur shqiptarët presin dhe meritojnë mbështetjen nga shteti, presin dhe meritojnë që taksat që kanë  paguar 7 vite, faturat e kripura që kanë paguar 7 vite t’u kthehen në shërbime, t’u kthehen në subvencione për pagat për ata që kanë humbur vendet e punës, t’u kthehen në para për familjet në nevojë, pikërisht në kohën e pandemisë, Edi Rama sulet për të tjetërsuar Teatrin Kombëtar, për të vjedhur pronën publike, për të shkatërruar këtë pasuri të kulturës dhe të trashëgimisë së kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Pra, mesazhi është i qartë edhe në kohë pandemie këta e kanë mendjen vetëm për të vjedhur, këtë duan ta bëjnë në mënyrën më të dhunshme të mundshme. Ju e keni parë që për më shumë se 1 vit e gjysmë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë janë përballur me dhunë, janë përballur me represion, ndërkohë që nuk janë duke mbrojtur diçka personale, por diçka që iu takon të gjithë qytetarëve. E pra, siç e kam thënë edhe më pare, çdo hap për prishjen e Teatrit Kombëtar është një akt i pastër lufte ndaj qytetarëve dhe jo vetëm ndaj artit dhe artistëve. Përgjigja nuk është një përgjigje që i takon vetëm artistëve, por gjithë qytetarëve, prandaj unë u bëj thirrje sot në emër të Partisë Demokratike gjithë demokratëve shqiptarë kudo ku ndodhen, të gjithë mbështetësve të opozitës dhe çdo qytetari shqiptar të djathtë e të majtë që sot është në pasiguri për jetën, që sot është me tavolinë të boshatisur, që sot nuk ka me çfarë t’i ushqejë fëmijët, ta kuptojnë te Teatri Kombëtar sot është vija e kuqe e përballjes me regjimin që ju ka vjedhur dhe ju ka lënë pa bukën e fëmijëve, që ju ka lënë pa rroga në kohën e pandemisë, që ka nxjerrë zbuluar shtetin prej kartoni, i cili ua merr taksat, juavendos gjobat, por kur ju keni nevojë për mbështetje jo vetëm nuk kujtohet për ju, por vazhdon të vjedhë pasuritë tuaja për veten e tij dhe për një grusht oligarkësh. Nëse ky pushtet do t’i shkojë deri në fund marrëzisë për të ndezur zjarrin te Teatri, le ta presin popullin tek çdo institucion i uzurpuar. Le ta presin zjarrin nga Surreli tek qendrat tregtare dhe objektet luksoze të oligarkëve të lidhur me krimin e organizuar. Kjo është thirrja ime ndaj qytetarëve shqiptarë, kjo është thirrja ime ndaj opozitës. Teatri është vija e kuqe. Akti i luftës do të ketë përgjigjen e merituar”, tha Basha.

Ndërkohë sot, Presidenti Ilir Meta përmes këshilltarit të tij Bledar Dervishaj dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese padinë e dytë kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Kreu i shtetit kundërshton vendimin e qeverisë së pak ditëve më parë që i kaloi pronësinë e Teatrit Kombëtar bashkisë së Tiranës, e cila sot e futi në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak për ta shembur.

Gazeta Shqiptarja.com