Taulant Muka: – Ftesa e Trump ekspozoi analfabetizmin funksional të kryeministrit

22 Janar 2026
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, ka reaguar ashpër në rrjetin e tij social Facebook ndaj mënyrës se si kryeministri Edi Rama e paraqiti publikisht ftesën e marrë nga Presidenti amerikan Donald Trump, duke e cilësuar situatën si një rast tipik të “analfabetizmit funksional në nivel kryeministror”. Sipas Mukës, letra e dërguar nga Trump nuk përbën as nder personal, as moment historik dhe as ndonjë zhvillim të jashtëzakonshëm diplomatik, por është thjesht një ftesë standarde, e njëjtë për shumë liderë botërorë.
“Joe Biden harron emra. Rama harron kontekstin. Një letër copy-paste, e dërguar nga Presidenti Trump dhe identike për shumë liderë botërorë, përjetohet si moment historik, majë e paimagjinueshme dhe nder personal i jashtëzakonshëm. Për ata që s’e dinë: është thjesht një ftesë standarde për shqyrtim pjesëmarrjeje në një bord që ende nuk ekziston, jo anëtarësim, jo marrëveshje, jo epokë e re për njerëzimin. Në foto gjeni edhe ftesat e dërguara presidentit të Argjentinës dhe Paraguait, identike në përmbajtje, ndryshojnë vetëm emri i presidentit dhe shteti.
Në këtë pikë, kemi analfabetizëm funksional në nivel kryeministror, pasojë e shkatërrimit të arsimit dhe largimit të trurit nga vendi”, shkruan Muka, duke publikua letrat identike për liderët e tjerë. Duke vijuar kritikën, Muka nënvizon në një tjetër reagim se mënyra se si u trajtua publikisht kjo letër është simptomë e një problemi më të thellë strukturor. “Parodia politike që shoqëroi letrën e Trump tregoi edhe një herë sa jetik është kthimi i trurit në vend.
Durana Park ofron 0 taksa për kompani që nuk kanë dhe një faqe webi, ndërkohë që shteti nuk ka as ulje taksash, as programe serioze për rikthimin e shqiptarëve të arsimuar jashtë vendit. Kompanitë e mëdha në teknologji nuk investojnë për fasada, por për kapital njerëzor, universitete cilësore dhe reputacion e siguri shtetërore. Në këto kushte, kthimi i trurit dhe rithemelimi i universiteteve nuk është luks, është domosdoshmëri kombëtare”, tha Muka.

