Specialistët e trashëgimisë kulturore inspektime në dy objekte kulti

18 GUSHT 2020

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe ata të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, sektori Sarandë, kryen këto ditë një ekspeditë me qëllim verifikimin e gjendjes së konservimit të pikturës murale në Kishën e Manastirit të Shën Mërisë në Kostar dhe në Kishën e Manastirit të Shën Triadhës në Kardhikaq, Delvinë. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shprehet qëllimi i kësaj ekspedite është verifikimi dhe hartimi i projekteve të ndërhyrjes konservuese e restauruese në pikturën murale të këtyre dy objekteve “monument kulture”, si dy objekte me mjaft vlera dhe interes në këtë zonë. Kisha Shën Mëria e Kostarit ngrihet në anën lindore të qytetit antik të Finiqit dhe ndodhet brenda një shpelle të natyrshme në malin e Kostarit.

Pjesa veriperëndimore u ndërtua për herë të parë në 1332 dhe, më vonë, në vitet 1690-1770 u unifikua me pjesën tjetër. Po ashtu dhe Kisha e Manastirit të Shën Triadhës në Delvinë është e njohur për vlerat e saj në trashëgiminë kulturore në vendin tonë, ku ky objekt kulti është pjesë e listës së monumenteve të kulturës të zonës. Në muajin korrik nga DRTK Vlorë u bë me dije një tjetër zbulim i rëndësishëm për datimin e vendbanimit, në qytetin e Himarës.

Në korrik Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë, së bashku me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore zbuluan një varrezë tumulare të periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr). Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit të Himarës. Varret e dala në sipërfaqe kërcënoheshin të dëmtoheshin nga rrjedha e përroit dhe nga ndërhyrjet klandestine, për këtë arsye, në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) dhe disa varre ciste. Për një dokumentim më të plotë të varrezës, dy javët e fundit të muajit qershor, të vitit 2020 u realizua faza e dytë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, ku u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmon ekzistencën e një varreze tumulare pranë qytetit të Himarës.

Gazeta Sot