
S’ka zgjedhje më 9 nëntor në Tiranë, Gjykata Kushtetuese rrëzon presidentin Begaj, vendimi i plotë botohet në…
10 Tetor 2025
S’ka zgjedhje më 9 nëntor në Tiranë, Gjykata Kushtetuese rrëzon presidentin Begaj, vendimi i plotë botohet në Fletoren Zyrtare, zbardhen argumentet e gjykatës, më 31 tetor shqyrtohet shkarkimi i Veliajt
Rigels Seliman
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dje dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë Tiranë më 9 nëntor. Vendimi u mor unanimisht nga trupa gjyqësore dhe tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare. Kjo do të thotë se në kryeqytet nuk do të ketë zgjedhje deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës. Ankimimi u bë nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili e cilësoi dekretin e Presidentit si të paligjshëm dhe kërkoi pezullimin e procesit zgjedhor. Gjykata pranoi kërkesën e tij duke theksuar se zbatimi i dekretit do të sillte pasoja të pariparueshme për të drejtat e të zgjedhurit vendor. Në arsyetimin e saj, Kushtetuesja citoi nenin 45 të ligjit nr. 8577/2000, që lejon pezullimin e një akti kur ai cenon interesa shtetërore, shoqërore apo individuale. Vendimi i djeshëm i hap rrugën një faze të re ligjore për çështjen e Tiranës, ndërkohë që më 31 tetor, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në seancë publike kërkesën për shkarkimin e Veliajt nga detyra. Deri atëherë, procesi zgjedhor mbetet i pezulluar. Por ky zhvillim ka sjellë debat të fortë politik dhe institucional në vend, teksa më poshtë gazeta “SOT” po pasqyron me detaje çfarë ka ndodhur.
DETAJET
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
Konkretisht Gjykata Kushtetuese njoftoi dje sa ka vendosur pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës. Vendimi vjen pas kërkesës së paraqitur nga Erion Veliaj, i cili kundërshton si shkarkimin nga detyra, ashtu edhe dekretimin e datës së zgjedhjeve të reja. “Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës, VENDOSI: Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë”, njoftoi dje Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë disa orë pas këtij njoftimi, u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, që kishte të bënte me caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për disa njësi të qeverisjes vendore. Pezullimi lidhet me pjesën e dekretit që përcaktonte datën e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, ndërsa për njësitë e tjera vendore dekreti mbetet në fuqi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Zbardhen argumentet e Kushtetueses
Nga ana tjetër, po dje janë zbardhur argumentet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e ditës së djeshme për pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë. Gjykata pranoi kërkesën e Veliajt për pezullimin e dekretit, derisa të merret një vendim final në fund. Në argumentet e saj, Kushtetuesja shprehet se sipas nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar, Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjykatës ose në seancë plenare urdhëron pezullimin e tij. Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata përpara ose në seancë plenare. Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577/2000. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.
Pjesë nga vendimi
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Holta Zaçaj Kryetare, Marsida Xhaferllari Anëtare, Fiona Papajorgji Anëtare, Sandër Beci Anëtar, Ilir Toska Anëtar, Genti Ibrahimi Anëtar, Marjana Semini Anëtare, Sonila Bejtja Anëtare, në datën 9.10.2025 mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt:
“Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.” Mbledhja e Gjyqtarëve pasi mori në shqyrtim kërkesën për pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025,VËREN:
- Në datën 29.9.2025, kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata)me kërkesë me objekt shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.9.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”me pretendimin se ai vjen në kundërshtim me nenin 115 të Kushtetutës. Në datën 1.10.2025 Presidenti i Republikës ka nxjerrë dekretin nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, përfshirë edhe Bashkinë iranë të përcaktuar në pikën 1 të këtij akti. Kërkuesi në datën 2.10.2025 i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për shtim objekti, duke kërkuar edhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës për pikën 1 të tij si dhe pezullimin e efekteve juridike të këtij akti, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577/2000.
- Në mbështetje të kërkesës për pezullim, kërkuesi ka pretenduar se, për sa kohë Kushtetuta i ka dhënë Gjykatës kompetencën dhe përgjegjësinë për të garantuar të drejtën e organit të zgjedhur vendor ajo duhet të ndalojë pasojat e paligjshme që vijnë nga dekreti i Presidentit. Sipas tij, zbatimi i dekretit përpara se të shprehet Gjykata për ligjshmërinë e VKM-së që e ka shkarkuar atë nga detyra, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikthyeshme, që prekin jo vetëm pozitën institucionale të të zgjedhurit vendor, por edhe interesat shtetërore, shoqërore dhe të qytetarëve. Kërkuesi ka pretenduar se pasojat e mundshme janë organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakanca juridike; shpenzimet e burimeve njerëzore e financiare për organizimin e zgjedhjeve; një proces zgjedhor i imponuar politikisht dhe kundër vullnetit të qytetarëve. Po sipas tij, në rast se nuk vendoset pezullimi, vendimi i Gjykatës nuk do të rivendosë situatën e mëparshme dhe pasojat do të ishin të pakthyeshme, duke u krijuar një precedent i rrezikshëm, zëvendësimi i të zgjedhurit vendor përpara se të vendoset vlefshmëria e shkarkimit.
- Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar, Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërore, shoqërore ose të individëve, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancë plenare urdhëron pezullimin e tij. Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata përpara ose në seancë plenare.
- Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577/2000. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim. PËR KËTO ARSYE, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës, njëzëri,VENDOSI:
- Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se z. Veliaj kishte ankimuar në Gjykatë Kushtetuese më 29 shtator vendimin e Këshillit të Ministrave që e shkarkoi nga detyra. Sipas Kushtetutës, akti i qeverisë pezullohet automatikisht. Për rrjedhojë nuk mund të shpalleshin as zgjedhjet në Tiranë. Por Presidenti Bajram Begaj, më datë 1 tetor 2025, nxori dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera të vendit. Menjëherë, avokatët e Erion Veliajt u vunë në lëvizje dhe të nesërmen bënë shtesë në ankimimin e tyre të mëparshëm, duke kërkuar edhe shpalljen anti-kushtetues të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e Tiranës. Ogerta Manastirliu, Florjan Binaj dhe Arlind Qori, duhet të presin, për të kuptuar nëse një betejë dimri mes tyre do të zhvillohet. Kronologjia e ngjarjeve për Bashkinë e Tiranës:
- 11 shtator 2025 – Në Asamblenë e PS, Edi Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës të niste procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt. Ogerta Manastirliu prezantohet si kandidate e PS për kryeqytetin.
- 17 shtator 2025 – Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës organizojnë mbledhje në selinë e PS për të diskutuar për nisjen e procedurës së shkarkimit të Erion Veliajt. Motivacioni: Aktivizimi i nenit 62 të qeverisjes vendore me mosparaqitjen në detyrë të kryebashkiakut për 3 muaj.
- 23 shtator 2025 – Këshilli Bashkiak i Tiranës propozoi shkarkimin e Erion Veliajt me 50 vota. Kryebashkiaku Veliaj nuk u lejua të merrte pjesë në mbledhje.
- 24 shtator 2025 – Prefekti i Tiranës i dërgon Qeverisë propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt.
- 25 shtator 2025 – Këshilli i Ministrave shkarkon nga detyra Erion Veliajn.
- 29 shtator 2025 – Erion Veliaj ankimon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës.
- 30 shtator 2025 – Qeveria njofton zyrtarisht Presidencën për vakancën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
- 1 tetor 2025 – Presidenti Begaj dekreton zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë Tiranë më datë 9 nëntor
- 2 tetor 2025 – Avokatët e Erion Veliajt ankimojnë në Kushtetuese dekretin e Presidentit, kërkojnë pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë
- 9 tetor 2025 – Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Veliajt dhe rrëzon dekretin e Presidentit duke pezulluar zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës
Përse lindi debati kushtetues për Bashkinë e Tiranës?
Debati lindi që prej shkarkimit të Erion Veliajt nga Këshilli i Ministrave si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Procesi nisi nga socialistët në këshillin bashkiak të Tiranës me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë për 3 muaj. Kryebashkiaku Erion Veliaj e ankimoi në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij, që do të thotë se sipas Kushtetutës, Presidenti nuk do të duhej të kishte shpallur dekret për zgjedhjet në Tiranë pa pritur vendimi te Gjykata. Por pavarësisht kësaj, Kreu i Shtetit nxori dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor, duke argumentuar se shkarkimi i Veliajt për mosparaqitjen në detyrë është çështje administrative dhe jo kushtetuese.
Vetë Veliaj e kundërshtoi këtë dekret në Kushtetuese dhe argument të Presidentit, duke thënë se neni 62 te Ligji për pushteti vendor, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkimin me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës (i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve). Veliaj thekson se shkarkimi mund të merrej vetëm kur të kishte një vendim të formës së prerë, pasi atëherë mund të cilësohej si një shkelje e rëndë e ligjit apo Kushtetutës. Por, në ankim, argumentohet se mosparaqitja e tij në detyrë është “rezultat i një pamundësie objektive”, pasi ndodhet prej 10 shkurtit në paraburgimin e Durrësit.
Ai arsyeton në kërkesën e tij se është Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ajo që i përcakton shkaqet për të cilat mund të shkarkohet kryetari i bashkisë dhe se Këshilli i Ministrave ka aplikuar një “kriter” të ri, që nuk gjendet në asnjë dispozitë juridike. Dje, Gjykata Kushtetuese e pranoi ankimimin e Veliajt për Dekretin e Presidentit Bajram, duke rrëzuar këtë të fundit dhe rrjedhimisht pezullohet i gjithë procesi për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë. Ky proces do të qëndrojë i pezulluar deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese që do të përcaktojë nëse shkarkimi nga detyra i Erion Veliajt ishte i ligjshëm ose jo. Në këtë aspekt, zgjedhjet në Tiranë do të mbahen vetëm pasi të jepet ky vendim përfundimtar nga Kushtetuesja.
Nga: Gazetaa Sot