11 Tetor 2025

Forcat izraelite nuk pritet të tërhiqen më tej nga Gaza për një kohë të gjatë, sipas analistit ushtarak Michael Clarke, i cili tha se ka ende “pasiguri të madhe” rreth marrëveshjes së armëpushimit.

Duke folur në ditën kur armëpushimi për t’i dhënë fund luftës në Gaza hyri në fuqi, pra të premten e 10 tetorit, Clarke tha se përleshjet mes palëve janë të mundshme, pasi Izraeli e ka bërë “shumë të qartë” se çdo veprim që duket si kërcënim do të marrë përgjigje.

Ai tha se “vija fillestare e tërheqjes, e cila i lë (IDF-së) ende në kontroll 50% të Rripit të Gazës”, ishte “ajo më e lehta për t’u rënë dakord”.

Në teori, ata më pas do të tërhiqeshin në një vijë tjetër që do t’u linte vetëm një pjesë më të vogël territori,” shtoi ai, citon Sky News, përpara se trupat izraelite të zhvendosen në një zonë tampon në një fazë të mëvonshme.
“Nuk mendoj se do të shkojnë shumë përtej asaj vije të parë, asaj vije të verdhë, për një kohë të gjatë.”

Kush mund të përbëjë një forcë paqeruajtëse?

“Ende nuk kemi asnjë ide se kush do të ofrojë, le të themi, një brigadë ushtarake, pra rreth 5 mijë trupa për të hyrë në Gaza dhe për të qëndruar në mes të një armëpushimi shumë të paqëndrueshëm,” tha Clarke, duke shtuar: “Askush nuk dëshiron ta bëjë këtë.”

Ai tha se “mundësitë më të mira” do të ishin trupat turke ose egjiptiane, por që do të kërkonin “shumë stimuj” për ta pranuar rolin.

Duke folur për rreziqet që përballen çdo forcë që mund të vendoset në Gaza, Clarke tha: “Rreziku është që, nëse gjërat fillojnë të shkojnë keq, ata do të duken sikur po ndihmojnë IDF-në për të shtypur grupet guerile të Hamasit, ose thjesht do të shndërrohen në një lloj objektivi për militantët e Hamasit dhe atëherë IDF mund të reagojë me tepri.”

Ai shton: “Është një situatë e mjerueshme për këdo, dhe vetëm trupat më të disiplinuara mund ta përballojnë. Askush nuk dëshiron ta bëjë, prandaj SHBA-të do të duhet të ushtrojnë presion dhe të ofrojnë stimuj të fortë për këdo që do të jetë pjesë e kësaj force stabilizuese.”