Si e përlau miku i Ramës pronën publike në mes të Tiranës. Kushtonte miliona euro, Carlo Bollino e mori me 1 euro

20 dhjetor 2025
Botuesi i Shqiptarja.com dhe Report TV, Carlo Bollino, i njohur si megafon i qeverisa së Edi Ramës, duket se shërbimet propagandistike ndaj mikut të tij kryeministër dhe manipulimit të opinionit publik për llogari të Ramës nuk i bën as për bindje, as falas, po në këmbim të përfitimeve të majme nga buxheti i shtetit, nga taksat e shqiptarëve.
Carlo Bollino ka dalë së fundi edhe në dosjen korruptive miliardëshe të Belinda Ballukut, ku sipas përgjimeve, përmes personave të tretë është përfitues i qindra milionë lekëve nga fondet publike të ARRSH.
Po kush është Carlo Bollino – etaloni i korrupsionit pushtet – media dhe rastet konkrete ku ka përfituar para apo prona nga pushteti i rilindjes:
Për botuesin e Shqiptarja.com dhe Report TV ka disa padi në SPAK, por që Prokurorinë e Posaçme duket se e ka zënë gjumi mbi to.
Bëhet fjalë për padinë që lidhet me përfitimin e pronës shtetërore 4021.5 m² tek “ish-Reparti i Orëve”, në Tiranë, nga botuesi i Rilindjes, Carlo Bollino.
Në padinë e Partisë Demokratike, të dorëzuar në SPAK për këtë çështje, renditen 10 akuza penale dhe një prej personave të kallëzuar është edhe ish-ministrja e Financave, Anila Denaj.Sipas padisë, Anila Denaj, shpalli fitues të dhënies me qira për pronën shtetërore Carlo Bollino-n në korrik të 2019-ës.
Më pas, Denaj i propozoi Këshillit të Ministrave që botuesi i oborrit kryeministror të mos paguante 6.300 euro qira, por ta përfitonte atë me vetëm 1 euro dhe në tetor të po atij viti u pranua propozimi i saj. Pra, një pronë që kushton miliona euro në mes të Tiranës, iu fal mikut të kryeministrit me 1 euro.
Qeveria me disa VKM njëra pas tjetrës i dha Bollino-s të drejtën e qiramarrjes për katin 2 të godinës, më pas vendosi që dogina të prishej dhe në fund ndryshoi objektin e kontratës së qirasë, ndërkohë që asnjë godinë e qiradhënësit shtet, tashmë nuk ekzistonte.
Për të mbuluar shpërdorimin e pasurisë publike, sipas kallëzimit të PD-së, Këshilli i Ministrave është angazhuar sërish për të plotësuar aktet rregullatore, pra, të mbulojë gjurmët e krimit në kushtet kur objekti i qiradhënies nuk ekzistonte më.
“Konkretisht me propozim të zonjës Anila Denaj, Këshilli i Ministrave, miraton VKM nr. 589 datë 22.07.2020, përmes të cilës ndryshon Nenin 2 të kontratës së qirasë.
Pra Neni 2 “Qëllimi i Përdorimit” dhe pika 5.7 e nenit 5 “Të drejtat dhe detyrimet e qiramarrësit”, fjalët “rikonstruksion total” zëvendësohen me “rikonstruksionin minimalisht të totalit”.”, thuhet në faqen 10 të padisë.
Procedura e radhës është marrja në dorëzim e pronës nga Ndërmarrja Industriale në datën 06.05.2019, por vendimi për qiradhënien nuk kishte dalë akoma nga Ministria e Financave.
Në padi theksohet se “me kërkesë të Ministres Denaj Ndërmarrja Industriale është detyruar të ndryshojë datat dhe protokollin e vendimit të Këshillit Drejtues”.
Sipas kallëzimit, gjatë periudhës mars-maj 2020, Ndërmarrja Industriale Nr.1 dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë kanë ndërmarrë disa veprime për të nxjerrë jashtë përdorimit godinat e marra me qira nga shoqëria “MTSC”, në pronësi të Bollino-s.
Në 10 qershor të 2020-ës, Denaj i kërkon Agjencisë së Zhvillimit të Territorit që t’i japë leje ndërtimi Bollino-s, në mënyrë që të ndërtojë godinën e televizionit në pronën e përfituar.
Në padi theksohet se: “Ministria e Financave dhe Ekonomisë, AZHT dhe subjekti “MTSC” kanë bashkëpunuar MIDIS TYRE, për te reklamuar fakte e rrethana të pavëreteta, me qëllim falsifikimin e dokumentacionit, për të justifikuar jo vetëm plotësimin e dosjes për tu pajisur me leje ndërtimi, por për të arritur qëllimin kriminal dhe kryesor, përftimin prej Carlo Bollino-s, të pasurisë shtetërore truall.”
Në bazë të fakteve të sipërmendura, demokratët kanë paditur ish-ministren e Financave, duke bërë që ajo të rrezikojë burgun.
Nëse hetimet e SPAK-ut vërtetojnë akuzat e Partisë Demokratike, atëherë Denaj me shumë gjasë nuk do të mund t’u shpëtojë dot prangave.
Kjo pasi ish-ministrja e Financave mund të akuzohet për “shpërdorim detyre”, “falsifikim të dokumenteve”, “shkelje të bazazisë së pjesëmarrësve në tenderë dhe ankande publike”, e shumë tjera.
Tashmë kjo padi është në duart e SPAK-ut dhe i mbetet këtij institucioni nëse do të vërë para drejtësisë Denajn, zyrtarët e ish-zyrtarët e tjerë të Rilindjes dhe shërbëtorin mediatik të Ramës, Carlo Bollino-n, apo do të vijojë të flejë gjumë mbi kallëzimet, siç ka bërë deri tani.
