
“Shqipëria në BE, iluzion”. – Rama i përgjigjet Zef Mazit: – Une e kam me plan dhe kalendar në tryezë
7 Maji 2025
Kryeministri Rama u shpreh se negociatat do të mbyllen në vitin 2027. Sipas tij, këtë nuk e thotë ai, por BE. Teksa përmendi një deklaratë të ish-kryenegociatorit të Shqipërisë në BE Zef Mazi se mbyllja e negociatave në vitin 2027 është një iluzion, Rama tha se këtë periudhë e kanë me plan dhe kalendar në tryezë. “Nuk e them unë se në 2027 do të mbyllim negociatat. Zef Mazi është miku im, njeriu që ka qenë kryenegociator në fazën e parë por ka kohë që ka dalë informacion dhe nuk ka ndoshta updetuar informacionin.
Këtë e kemi në tryezë me plan dhe kalendar. Nuk ka asnjë por. Në tryezë me BE ne kemi kalendarin dhe plani i dakordësuar me ata është që ky është kalendari, ja kjo është rruga për të mbyllur negociatat brenda 2027. Nuk e kanë thënë kurrë këtë gjë më përpara. Nuk është hapur dera më përpara”, tha Rama. Rama tha gjithashtu se BE unanimisht jo vetëm që nuk e refuzon më idenë e zgjerimit por edhe e mbështet. Teksa analisti Arjon Sulo i përmendi Malin e Zi, kryesocialisti tha se vendi fqinj i ka nisur prej vitesh negociatat dhe ende nuk i ka mbyllur, ndërkohë që Shqipëria në kaq pak kohë ka bërë përparim të madh. “Nuk është hapur dera për Shqipërinë asnjëherë më përpara sot është hapur.
Ta shpjegoj edhe Malin e Zi. Dera nuk ka qenë e hapur më përpara. Këtë muhabet mund ta bësh ti, Zefi e kushdo tjetër përpara kësaj faze. Mund të thoshin ore shiko ju këtë thoni, ata këtë thonë por ndërkohë ja ku janë negociatat. Sot jemi në kushte të tjera. Kushtet e reja janë këto. E para BE unanimisht jo vetëm nuk e refuzon më idenë e zgjerimit por edhe e mbështet”, u shpreh dje Rama për “Report Tv”.