13 Shtator 2023

Ekipi i DRTK Shkodër përfundoi restaurimin e grykës së sterës së shek- XVII, (saranxha), në oborrin e tretë kalaja Rozafa. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër shprehet se objekti, i cili u dëmtua gjatë trazirave të vitit 1997, në tentativë për tu vjedhur, falë ndërhyrjes restauruese, sot ka një pamje tjetër konservimi.

“Nën mentorimin e restauratorit, Petrit Bilali, janë riparuar dëmet e identifikuara duke restauruar elementet e brendshme sipas teknikave tradicionale duke ruajtur vlerat dekorative dhe duke u siguruar që objekti të ketë një strukturë të qëndrueshme”, thuhet nga DRTK Shkodër, që ka ndarë në faqen e saj në rrjete sociale dhe disa foto gjatë punës së bërë me restaurimin e objektit.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër restaurimi i objektit kaloi në disa etapa të tilla si; ç’montimi i pusit në 3 pjesë, heqja e materialeve të mëparshme me të cilin është çimentuar, heqja e myshqeve të vdekura dhe të gjalla, ri montimi dhe ngjitja specifike sipas tipologjisë së gurit, stukimi i fugaturës dhe stukimi me pluhur guri dhe gëlqere. “Stera e pestë, e cila ndodhet në oborrin e tretë, prodhim venecian, furnizonte me ujë deri vonë edhe banesën e vezirëve Bushatlli aty ngjit, e që sot nuk ekziston më”, thuhet nga DRTK Shkodër.

Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafa është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në jug-lindje të tij. Qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh. Kalaja përbën një simbol të qytetit, e pranishme ndër piktura, gdhendje, etj. Hyrjen kryesore kalaja e ka nga veri-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre.