“Shën Sofia” e Tiranës/ Një vit nga përplasja për Teatrin, artistët: – Forca jonë është kultura

– 25.07.20

Fatmira Nikolli – Imazhi i Neritan Liçajt para një radhe të gjatë policësh, që bërë viral 24 korrikun e 2019-ës, kur qëndronte i vetëm në pritje të së ardhmes. Momenti kur tërhiqej Edmond Budina, po ashtu. Unë kam ende të ruajtur imazhin e Robert Budinës pa këpucë që ecën zbathur nëpër oborr, imazhet e qytetarëve të etur për drejtësi e ujë, në vapën e një korriku të thatë, që ia doli të digjte si dielli përvëlues pritshmëritë tona për të ardhmen. Artistë përballë policëve, mendim përballë forcës, arsye përballë pushtetit, logjikë përballë shifrash, të vjetra sa vetë jeta. Nëse me demokracinë nënkuptojmë vetëm protestat, me gjasë nuk kemi kuptuar mirë. Demokracia përfshin protestat si mjet për të kundërshtuar e zgjidhur jo si akte në vetvete që nuk arrijnë të prodhojnë asgjë. Të të lënë të protestosh, prapë nuk është demokraci, as liri. Protesta nënkupton të dëgjohesh e në këtë pikë shenjohet “kufini i mbramë që hasim mes vedit e lirisë së perëndimit”. Duket se në qarkimin që i bëjmë vetes, protesta është turp, ndaj në protestë dilet më së shumti, kur me protestën janë dakord të gjithë, edhe qeveria, edhe opozita, edhe ndërkombëtarët. Për rrjedhojë, ne dalim në protestë për ndonjë anonim që ka gabuar rëndë, por ata që dalin nga anonimati e që enden mes godina vendimmarrëse të bulevardit, me qenë kundër tyre, mbërrin të jetë deri në një farë sakrilegji. I kam gjetur me interes reagimet për Shën Sofinë e Stambollit. Gjeta mes tyre elemente të pafundme, që shqetësoheshin për kujtesën e ish-Kostandinopojës, por që qenë gojëkyçur (siç), kur erdh puna për një godinë që nuk kish qenë as kishë, as xhami, por një faltore e njimendshme e koncepteve mbi lirinë dhe të drejtën, për çka, na ka udhëzuar më herët, në daçi Shën Sofia, në daçi xhamia që zë vendin e saj. Është më e lehtë si duket të jesh kundër autokracisë a padrejtësisë të një vendi larg, të kundërshtosh humbjen e kujtesës të një vendi larg – dhe bëhet pothuaj herezi të kesh një mendim të tillë për jetën tënde të përditshme. Është e gjatë kjo parantezë, por në dy muaj nga shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, reflektimi i shoqërisë ka munguar, reagimi i saj po ashtu, ndërsa ata që e patën përdorur herë për t’i rënë e herë për ta ngritur, i kanë lëshuar artistët që mirëpritën çdo ndihmë në vetminë e tyre gjenuine, siç qenë në fakt në më se dy vite. Ata janë fillikat dhe kanë kërkuar vetëm një partner, drejtësinë. Iu është mohuar gjithnjë, ende tani, ndërsa shohin truallin “shënsofias” të kridhet i djegur shkrumb nga një tjetër korrik.

 “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar” ka kujtuar përmes një postimi 24 korrikun e 2019-ës, kur u shënua përplasja e parë fizike me policinë për mbrojtjen e Teatrit nga vendimi qeverisë për ta shembur. Një vit më pas, godina që rimori jetë e funksionalitet është zhdukur, ndërsa një listë e gjatë kallëzimesh presin gjykatat t’i shqyrtojnë. “Ishte dita kur Teatri Kombëtar u çlirua nga artistët, aktivistët dhe qytetarët e angazhuar, ishte dita kur qytetaria pas pesëmbëdhjetë orësh rrethim, fitoi mbi dhunën policore dhe arrogancën e pushtetit, ishte dita kur paqja fitoi mbi dhunën. Aktivistët, qytetarët dhe artistët i rikthyen sallës magjike të Teatrit Kombëtar dinjitetin, duke e pastruar dhe mirëmbajtur edhe pse qeveria preu dritat dhe ujin. Një grup qytetarësh prej pesëdhjetë vetash organizuan një peticion që aktivistët të pranonin dhurimet e qytetarëve për të mirëmbajtur sallën”, shkruan “Aleanca”. Sipas saj, në këtë mënyrë që prej asaj dite deri më 17 maj, në kuadrin e Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit, u organizuan nga artistët dhe qytetarët protestues mbi tetëdhjetë ngjarje kulturore në sallën e Teatrit dhe mbi pesëdhjetë shfaqje teatrale e muzikore. “Por në 17 maj pushteti i frikësuar në palcë nga këto aktivitete, që po e sfidonin hapur dhe po sillnin një mendësi të re në demokracinë shqiptare, përdori policinë speciale dhe forcat RENEA për të mposhtur forcën e fjalës së lirë dhe artit të angazhuar, për të vazhduar me projektin e teatrit të ri, me idenë se duke shembur muret e godinës, do të mposhtte protestën më shumë se dyvjeçare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe mendimin e lirë. Në fakt, kjo vetëm sa e forcoi simbolin që solli shembulli i Teatrit Kombëtar, shembull i cili frymëzon për ta rikthyer atë, aty ku ishte edhe siç ishte. Forca jonë është arti, kultura, trashëgimia, dinjiteti”, mbyllet postimi. 24 korrikun e vitit të shkuar, qytetarët e artistët morën godinën dhe nisën shfaqjen në të, duke siguruar mbrojtje nga jashtë vendit, duke nisur procedurat për mbrojtjen edhe nga “Europa Nostra” dhe duke siguruar drita e gjenerator nga kontributet qytetare.

Aktivistët kanë kujtuar dje 24 korrikun e 2019-ës sipas perceogimeve të tyre. Shkrimtarja Lindita Komani vërejti se, “dita nisi me vrapin për te Teatri Kombëtar pas lajmit se po vinte policia, vijoi me hyrjen në teatër dhe qëndrimin aty të rrethuar nga policia dhe u mbyll me këtë foto pas ‘çlirimit’. ‘Këtu e pashë për herë të fundit tim atë, këtu më burgosën nën qiell të hapur edhe time bijë’ – tha im atë me sy të përlotur, i munduar nga ajo ditë tejet e nxehtë që ai prej orës 15:00 e kaloi në pedonale në pritje, në ankth, për të më mbështetur mua”.

Ajo pyet nëse ia vlejti gjithë, ai mundim kur qeveria prapëseprapë veproi barbarisht mbi Teatrin dhe brenda pak orëve i dha fund kompleksit të ndërtesave? “Mendoj që koha do ta tregojë që po. A jemi të dështuar në përpjekjen tonë qytetare? Po aq sa mund të vritet një ide, aq mund të vritet edhe liria, edhe Teatri, edhe shpirti i qëndresës. Në këtë aspekt është e qartë që nuk jemi të dështuar. Edhe liria, edhe Teatri, edhe shpirti i qëndresës, sot më 24 korrik 2020 mendoj se janë më të fortë se para një viti”, thotë Komani. Sipas saj, thonë që Teatri u bë pre e lojës politike. “Koha do ta tregojë nëse ishte kështu. Kushdo që e ka shitur Teatrin nuk do të mbetet i mbuluar në qetësinë prej njeriu me pushtet. Pushteti vjen dhe shkon e asnjë bëmë nuk mbetet pa u zbuluar. Por, qytetaria fitoi shumë dhe kushdo që përpiqet ta zvogëlojë këtë, nuk është asgjë më shumë se një njeri i vogël”, përfundon ajo.

Gazeta Shqiptare